Fjala e Ministrit Tahiri në prezantimin e projektit për kamerat e trupit të punonjësve të policisë

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në prezantimin e projektit për kamerat e trupit të punonjësve të policisë:

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar deputetë të Komisionit të Sigurisë,
Të nderuar pjesëmarrës, 

Ishte një ndër angazhimet tona kryesore vendosja e një standardi transparence në punën e punonjësve të Policisë, me synim rritjen e besimit të publikut tek Policia e Shtetit. Një ndër angazhimet tona kryesore që sot bëhet realitet është vendosja e kamerave të trupit për punonjësit e Policisë, jo vetëm si element teknologjik në ndihmë të tij por mbi të gjitha si element garancie për qytetarin i cili kërkon e pret nga punonjësi i Policisë të zbatojë ligjin, të jetë korrekt me detyrën, të sillet në mënyrë etike e sidomos pa korrupsion.

Të gjitha këto nuk mund të përmblidhen dot brenda lëkurës së njeriut. Përkundrazi. Përtej instrumenteve edukues, standardizimit e protokolleve të punës, zyrave të shërbimit në Policinë e Shtetit (të cilat mundësojnë një gamë të gjerë standardesh sigurie për të shërbyer në mënyrë sa më transparente dhe pa korrupsion), dixhitalizimi, inovacioni dhe instrumente të tillë si kamerat e trupit i japin mundësinë qytetarit të ndihet i garantuar nga puna e përditshme e punonjësit të Policisë.

Bëhet fjalë për një mjet të domosdoshëm në trupin e punonjësit të Policisë, i cili nuk mund të manipulohet, nuk mund të fshihet, nuk mund të jetë instrument në dorën e tij, por është mjeti më i paanshëm, mbi interesin e punonjësit e Policisë e për interesin e qytetarit. Në këtë mënyrë, çdo punonjës Policie do jetë i monitoruar 24h/24. Madje pa e kuptuar. Salla e Komandimit do mund të hyjë në veprimtarinë e tij të përditshme, në punën e tij me qytetarët, për të parë nëse punonjësi i Policisë respekton ligjin, kryen detyrën në mënyrën e duhur dhe i shërben qytetarit ashtu siç presim ne dhe qytetarët vetë.
 
Por është dhe një instrument sigurie për punonjësit e policisë që e kryejnë detyrën në mënyrë të përshtatshme dhe në bazë të ligjit. Ka pasur shumë më tepër - e ka ende - të pandëshkueshëm ose njerëz që shfaqin çdo lloj imuniteti përballë zbatimit të ligjit dhe punonjësit të Policisë. Ka njerëz që për çdo lloj arsyeje (nga lidhjet shoqërore deri tek ushtrimi i detyrës) kërkojnë pandëshkueshmëri. Me kamerën e trupit punonjësi i Policisë nuk ka më mundësi as të bëhet pre e presionit, as të bëjë favore në emër të kujtdo që nesër mund të shkelë ligjin. Sepse vetë punonjësi i Policisë i monitoruar me kamera do e ketë krejtësisht të pamundur të mos e zbatojë ligjin. 

Në harkun e dy viteve janë gati 2 mijë punonjësit e Policisë në procedim penal dhe në procedim disiplinor (për moszbatim të detyrës, mosushtrim të detyrës, vepra korruptive, abuzim me detyrën, bashkëpunim me paligjshmërinë). Nga njëra anë kjo tregon trashëgiminë (pra si e gjetëm Policinë e Shtetit) por nga tjetra tregon dhe vendosmërinë tonë për ta bërë Policinë e Shtetit ashtu siç e duan qytetarët.

Është pa dyshim kamera e trupit një instrument mjaft i domosdoshëm për të garantuar një standard sigurie në punën e punonjësve të Policisë, në mënyrë që marrëdhënia e besimit ndërmjet qytetarit dhe punonjësit të policisë të jetë e ndërtuar jo mbi bazën e vullnetit personal të gjithkujt, por të jetë e ndërtuar mbi instrumente që nuk tradhtojnë dot askënd. Kamera e sigurisë do të shërbejë në parandalimin e sjelljeve abuzive të punonjësve të Policisë. Sot një punonjës policie me kamera në trup e ka shumë më të vështirë të sillet në mënyrë abuzive, por mbi të gjitha të abuzojë me transparencën në rast të çdo ankimi, nga çdo qytetar, për çdo punonjës policie.

Është instrumenti më i fuqishëm antikorrupsion dhe unë jam shumë krenar që Policia Shqiptare është e para në Ballkan që aplikon këtë instrument, duke na vënë ne para përgjegjësisë dhe para detyrimit duke bërë shumë më shumë, për të rritur standardin e sigurisë, për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë, kriminalitetin dhe mbi të gjitha për të ndërtuar besimin solid dhe konstant të qytetarëve të Policia e Shtetit. Ne besojmë që teknologjia dhe inovacioni janë mënyrat më të mira për të modernizuar Policinë e Shtetit, për të rritur standardin e shërbimit të saj, për të rritur garancinë e qytetarit përballë punonjësit të Policisë së Shtetit, për të pasur punonjës policie që nuk abuzojnë me detyrën, punonjës policie të denjë për të fituar besimin e qytetarëve.

Vetëm dje u bë i ditur një sondazh publik që fliste për rritjen e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit. Kjo për ne është vetëm një mundësi për të na bërë me dije dhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur për sa i takon bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë, shërbimit dhe filozofisë së shërbimit të çdo punonjësi policie ndaj qytetarit. Dhe mbi të gjitha luftës pa asnjë kompromis ndaj çdo praktike abuzive, korruptive të mosushtrimit të detyrës apo ushtrimit të detyrës në kundërshtim me ligjin nga çdo punonjës policie.

Kemi bërë shumë punë për të garantuar standard të lartë shërbimi ndaj qytetarëve. Kemi bërë shumë punë për të fituar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Por, gjithçka kemi bërë deri më sot është një mënyrë për të na bërë  të kuptojmë se hapësira për të bërë akoma është ende aty. Gjithçka kemi bërë deri më sot në luftën kundër korrupsionit, në shërbimin ndaj qytetarëve, në uniformizimin e punës së punonjësit të Policisë ndaj qytetarit është mundësia jonë më e mirë për të kuptuar se kemi ende më shumë punë për të bërë. Na duhet të fitojmë besimin e çdo qytetari që pret prej Policisë së Shtetit të shërbehet në mënyrë të denjë, transparente dhe pa korrupsion. Kjo është ekzaktësisht rruga e duhur. E nisim me Tiranën me kamerat e trupit. Shumë shpejt çdo punonjës policie në Tiranë do jetë i pajisur me kamerat e trupit.

Jemi mjaft të bindur që produkti i këtij revolucioni në mënyrën sesi funksionon Policia e Shtetit në raport me qytetarin e për t’i shërbyer qytetarit, do jetë modeli ynë më i mirë për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të garantuar pritshmëritë më të larta të qytetarëve lidhur me punën e Policisë.

Dua të falënderoj Kryeministrin për gjithë mbështetjen dhe nxitjen që i ka dhënë këtij projekti. Duke ju uruar punë të mbarë punonjësve të Policisë që do punojnë me kamerat e trupit, ne mbetemi në dispozicion e shërbim të qytetarëve 24h/24 për të mos humbur asnjë sekondë punë dhe për të fituar çdo minutë punë për ta bërë jetën e qytetarëve më të sigurt dhe më të denjë.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet