Fjala e Ministrit Tahiri në prezantimin e uniformave të reja të policisë

Unë besoj që, siç e tha dhe Drejtori i Policisë, është padiskutim një ditë e shënuar në jetën e Policisë Së shtetit. Dua ta nis duke falënderuar të gjithë ekipin në Policinë e Shtetit dhe të gjithë ata që nga jashtë ndihmuan në dizajnin e uniformës së re të Policisë së Shtetit.

Në fakt që në fillim u përballëm me disa probleme për të cilat duhet të gjenin konfliktet, duhet të gjenim arsyet dhe pastaj zgjidhjet, lidhur e uniformën e policisë.  Ka patur probleme të panumërta që nga rrëmuja me identitetin e uniformës në polici, që nga kaosi lidhur me elementët e veçantë të uniformës së policisë, disa tradicionalë, disa modernë, disa të kopjuar pikë për pikë nga uniforma të tjera të policive në vende të tjera të Europës. Humbja e një linje konstante të uniformizimit të vetë uniformës dhe ndërkohë ndjekja e një praktike të rrëmujshme lidhur me modelin e uniformës që kërkonim. 

Ajo që bëmë ne është gjetja e arsyeve konkrete pse ky kaotizëm lidhur me uniformën. Dhe ndërkohë hartimi i boshtit filozofik të uniformës së re të Policisë së Shtetit, që nuk është vetëm rrobë, nuk është vetëm vizatim, nuk është vetëm çështje dizajni. Uniforma e policisë është shumë më shumë se kaq. Është marrëdhënia që krijon Policia e Shtetit me qytetarin. Është pasqyra më e mirë e identitetit të Policisë me qytetarin.

Ne menduam që ta fillonim nga elementi më i parë tradicional. Ne e dimë shumë mirë që elementi më tradicional në vendin tonë është punimi artizanal i çdo gjëje që ka të bëjë me historikun artizanal në Shqipëri. Pas meje u shfaq një qilim prej nga vijnë motivet kryesore të cilat kanë pasuruar uniformën edhe gradat e reja të Policisë së Shtetit, për të shkuar më pas tek përkrenarja e Skënderbeut, si një element i dytë identifikues i trajtës kombëtare në uniformën e Policisë së Shtetit.
 
Është vendosur shpesh në uniformat e policisë, ajo që përzgjodhëm ne është një dizajn i përkrenares së Skënderbeut që daton në vitin 1940. E përzgjodhëm sepse është dizajni më i mirë, më racional, më i thjeshtë dhe më përfaqësues i mënyrës sesi lidhet karakteri kombëtar, identifikimi kombëtar me elementin tradicional dhe elementin modern, bashkëkohor gjithashtu.

Edhe detajet në uniformën e policisë kanë vlerën e tyre. Është kjo arsyeja edhe pse në çdo kopsë të uniformës është ruajtur elementi i përkrenares. Po ashtu edhe në rripin e sipërm të kapelës (që është thyer si element) është ruajtur po ky element, përkrenarja. Karakter dallues është padyshim shqiponja.
Ka pasur në historinë e uniformave disa modele të shqiponjës së flamurit. Ne menduam që të zgjidhnim njëtrajtshmërinë në trajtimin e këtyre elementëve kombëtarë në uniformën e Policisë së Shtetit. Dhe është kjo arsyeja pse përzgjodhëm një rishikim të stilizuar të shqiponjës me përkrenaren e Skënderbeut lart, që është një derivat i shqiponjës origjinale nga derivati i shqiponjës së modelit të flamurit të vitit 1992. Ndërkohë për t’iu bashkuar këtij elementi edhe pantallonat e uniformës së Policisë edhe në disa element të kapelës është përzgjedhur shiriti i kuq, që është ngjyra bazë e flamurit, si risi në uniformën e Policisë së Shtetit. Kjo ka qenë edhe më parë dhe tani rikthehet përsëri.

Një element kryesor është stema e policisë. Mendo që në parim stema e policisë duhet të jetë identifikues i qartë,  i dukshëm, i pangatërrueshëm për Policinë e Shtetit dhe mbi të gjitha i dallueshëm lehtësisht nga qytetarët. Menduam që stema e policisë të ketë elementët bazë, ngjyrat bazë, dhe ti përshtatet zhvillimit të kohës, dhe mbi të gjitha raportit të policisë me qytetarët. Stema e policisë në qendër ka një mburojë të vogël të kuqe me shqiponjën e zezë të flamurit kombëtar dhe kjo qëndron në gjoksin e shqiponjës dykrenore, me përkrenaren e Skënderbeut të vendosur sipër.

Dhe e gjitha kjo rrethohet nga një kornizë me ngjyrë të artë, me formën e një mburoje të madhe, e ndarë vertikalisht në dy pjesë të barabarta me ngjyra të veçanta identifikuese të Policisë (blu dhe e kuqe), ndërsa në kokë shënohet “Policia e Shtetit”. Ne menduam që kjo stemë përfaqëson më së miri jo vetëm trupën e Policisë së Shtetit, por atë që duhet të arrijmë me uniformën (në mision e filozofi) në shërbimin e Policisë së Shtetit me qytetarin, dhe marrëdhënien që krijon punonjësi i Policisë me uniformën, detyrën, kolegun, eprorin, vartësin dhe mbi të gjitha qytetarin. 

Formati i përzgjedhur  ka lidhje me traditën tonë policore, sepse është bazuar në stemën e Policisë së fundviteve 1930. Dikush mund të mendojë se kthehemi shumë pas në kohë. Në fakt është pasurimi i epokës moderne të gjeneratës së re të Policisë së Shtetit me elementet më të mirë të historisë së saj. Gjithashtu stilizuam po njëlloj stemat e tjera të shërbimeve (pra Policia e Rendit, Policia Kufitare, Policia Rrugore, e më pas reparti i FNSH dhe reparti RENEA). Të gjitha këto të udhëhequra nga e njëjta filozofi, si ajo e ndjekur në analizën për stemën bazë.

Janë rishikuar gradat për nga mënyra e dizajnit, duke  u përpjekur që të ruajmë njëtrajtshmëri në simbolet e përdorura dhe të njëjtën shkollë gradash sa i takon historikut dhe ndarjeve të tyre. Pas meje shfaqet Grada Madhore, duke u përpjekur të ruajmë të dy elementët e gradave (ajo e Shërbimit dhe Ceremoniale) e cila pasurohet me përkrenaren e Skënderbeut. Kemi zgjedhur një model fare të thjeshtë gradash, një model  identifikues ku përdoren vetëm yje dhe viza (duke u larguar nga simbole që shpesh vjedhurazi ishin marrë nga uniformat dhe gradat e Policive të vendeve partnere – gjë që s’na përfaqësonte, që ishte kopjim i trashë, që s’kishte asnjë identitet në historinë e Policisë së Shtetit dhe që nuk krijonte perceptimin bazik të punonjësit të Policisë, gradës, rendit, përgjegjësive në raport me qytetarin.

Të gjitha gradat ruajnë të njëjtën njëtrajtshmëri, të njëjtat elementë (të ndara sipas funksioneve), duke mos humbur për asnjë moment elementët themelorë të detyrës, përgjegjësisë dhe të marrëdhënies me qytetarin. Ndërkohë që Gradat  Ceremoniale kanë dhe identifikimin ceremonial që është përkrenarja e Skënderbeut.
Ne zgjodhëm që Uniformat e reja të punonjësve të Policisë të jenë të ndara sipas detyrës. Deri sot kemi pasur uniformë të njëjtë në lloj si për punonjësin e Policisë në rrugë si për atë në zyrë.

Ne mendojmë se kjo është e papërshtatshme! Nga të gjitha analizat e praktikat e vendeve më të zhvilluara, nga të gjitha konsultat me ekspertët më të mirë të fushës dhe me partnerët ndërkombëtarë, u arrit në përfundimin që uniforma duhet të jetë e veçantë për zyrën dhe e veçantë për terrenin. Është kjo arsyeja për të cilën skema e uniformës së re për ceremonial të përdorur dhe në zyrë është një rikthim i modernizuar, bashkëkohor, në traditën e uniformave tona të Policisë (lidhur me ngjyrat, karakteristikat, simbolet, gradat). Pra kemi bërë trajtën më bashkëkohore të të gjithë traditës më të mirë të uniformave të Policisë ndër vite – që nga krijimi i Policisë së Shtetit. Këtu kanë burimin të gjithë elementët:
-          që nga shiriti i kuq në mëngë, pantallona e kapele;
-          përkrenarja
-          numri identifikues i punonjësit të Policisë (i cili shërben si garanci për të, për qytetarin, dhe raportin mes tyre).

Kemi vendosur shiritin e kuq (që rikthehet për herë të parë pas shumë kohësh) tek pantallonat dhe Stema e Policisë,  jo vetëm sepse është ngjyra e flamurit por sepse është element dallues  për uniformën e punonjësit të Policisë. Kjo ndodh në të gjitha vendet e botës por sigurisht duhet të ndodhë në uniformen e re të Policisë së Shtetit. Ndryshimi është sigurisht edhe në prerje, e siç e tha dhe Drejtori i Policisë, ndryshim do ketë edhe në prodhimin e uniformes. Ajo që duam akoma është t’i shkojmë pas shqetësimit që kanë shfaqur shpesh punonjësit e Policisë, lidhur me mënyrën sesi përfaqësohen në raport me qytetarët, përsa i takon uniformës, mjeteve, infrastrukturës.

Po të mbetemi te uniforma është një element themelor që dikton shërbimin e punonjësit të Policisë ndaj qytetarit, që dikton përgjegjësinë reciproke të punonjësit të policisë dhe qytetarit ndaj ligjit, që dikton mënyrën se si rikonceptohet marrëdhënia e Policisë me publikun.
Menduam se uniforma e punonjësve të policisë që janë në terren ose e quajtur uniforma operacionale të jetë e ndarë me ngjyra sipas shërbimeve, gjë që ndodh sot. Me blu janë punonjësit e Policisë së Rendit. Kur shikon një punonjës policie me të verdhë e kupton menjëherë që është punonjës i Qarkullimit Rrugor. Me ngjyrë të kuqe tashmë dihet që janë Shqiponjat.

Është kjo arsyeja pse patrulla e përgjithshme, pra punonjësit e Policisë së Rendit do të kenë ngjyrën dalluese blu. Uniforma do të jetë e tillë që çdo detaj karakteristik të jetë i përfaqësuar në llojin e uniformës me element dallues në mënyrë që edhe uniforma në terren edhe uniforma në zyrë të jetë sa më përfaqësuese, të jetë me filozofinë e shërbimit dhe sa më mikpritëse për qytetarin.

Ne besojmë që duke ruajtur elementët karakteristik të uniformave ndërtojmë një marrëdhënie tërësisht të re të punonjësit të Policisë me qytetarin. Ne besojmë që uniforma e re e punonjësit të Policisë së Shtetit nuk është çështje ngjyrash, nuk është çështje prerjesh, nuk është çështje materialesh dhe nuk është çështje vizatimi. Uniforma e Policisë është identifikimi më i mirë i vlerave tona kombëtare, identifikimi i pasurisë historike të Policisë së Shtetit, ruajta e trashëgimisë më të mirë në Policinë e Shtetit dhe mbi të gjitha modernizimi i Policisë së Shtetit për ta bërë atë Policinë e gjeneratës së re.

Unë jam shumë i sigurtë që uniforma e re e Policisë së Shtetit do zgjojë interesimin e qytetarëve. Jam shumë i sigurtë dhe pa asnjë dyshim që do të  ketë njerëz që do të thonë pse e bëtë kështu uniformën e re të Policisë së Shtetit. Të gjithë ata që nuk kanë bërë asgjë deri më sot e kanë fare kollaj të kritikojnë. Ne kemi zgjedhur modelin për të modernizuar dhe për të krijuar Policinë e gjeneratës së re.

Unë dua edhe një herë të falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan dhe na dhanë një dorë për uniformën e re të Policisë së Shtetit. (Unë do të ftoja këtu punonjësit e Policisë me uniformat përkatëse. Qarkullimi Rrugor, Policia e Rendit dhe Shqiponjat). Dua t’ju falenderoj edhe ju për mundësinë që i keni dhënë Policisë së Shtetit që të krijojë mekanizma korrigjues dhe përmirësues duke ruajtur traditën më të mirë dhe duke vënë qytetarin në qendër të punës së punonjësve të Policisë dhe  duke shpresuar që uniformat e reja do të kthehen në mundësinë tonë më të mirë për të përfaqësuar vlerat historike të Policisë së Shtetit dhe marrëdhëniet që duhet të kemi me qytetarët për Policinë e gjeneratës së re.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Absurde/ Softa: U vra në mes të qytetit dhe askush nuk i dha ndihmën e parë