Fjala e ministrit Tahiri ne aktivitetin ku u lancua nr i emergjencave 112

Dua shumë sinqerisht t’ju falënderoj për të gjithë asistencën që i keni dhënë qeverisë shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur që reforma jonë në sistemin e sigurisë (dhe veçanërisht në Policinë e Shtetit) të jetë e tillë që të meritojë besimin më të thellë të qytetarëve shqiptarë.
Pak ditë më parë u bë publik një sondazh, i cili tregonte shumë qartë se sot Policia e Shtetit është institucioni më i besuar në kuadër të luftës kundër korrupsionit e mbi të gjitha të shërbimit ndaj qytetarëve. E ne sigurisht jemi shumë krenarë për këtë. Ne sigurisht jemi shumë mirënjohës për ndihmën që na kanë dhënë partnerët tanë. Unë i jam shumë mirënjohës çdo punonjësi policie, (në çdo qark të vend, në çdo cep të Shqipërisë, në çdo komisariat, në çdo post policie) që ka punuar me vetëmohim e sakrificë për t’u shërbyer qytetarëve e për të ndërtuar një front të gjerë (bashkë me qytetarët e ndershëm në këtë vend) për të luftuar të Keqen që kemi përballë. Të cilën e kemi të trashëguar dhe qytetarët e kanë duruar prej më shumë se dy dekadash. Të cilën qytetarët e kanë duruar për më shumë se dy dekada, e që sot me plot të drejtë kërkojnë që ne të bëjmë gjithçka të mundur që shteti të funksionojë për t’u shërbyer qytetarëve pa korrupsion, pa paligjshmëri, e sidomos me ndjenjën, vetëdijen, filozofinë e shërbimit për cilindo qytetar pa dallim nga statusi shoqëror, nga kuleta, nga miqësia, nga tarafi, nga bakshishi. E të gjitha këto po i bëjmë realitet në Policinë e Shtetit.
Ne kemi trashëguar në Policinë e Shtetit një trupë që është pak të thuash e tradhëtuar! Ku punonjësi i Policisë në rrugë nuk punonte, nuk vepronte dot, sepse ishte gjithmonë dikush lart i cili, në të gjitha rastet, i tregonte punonjësit të Policisë (më të parit) dhe qytetarëve në tërësi (më pas) se ligji nuk vlente njëlloj për të gjithë në Republikën e Shqipërisë. Kishte disa më të privilegjuar: ata që kishin mikun, lekun, tarafin, pushtetin politik, korrupsionin, kishin të gjithë fuqinë e paligjshmërisë, për të mbajtur këtë vend nën thundrën e prapambetjes.
Ne e filluam duke reformuar Policinë e Shtetit. Sepse ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u shërbyer qytetarëve, mënyra më e mirë për të bërë gjithçka është e mundur që ligji të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë, mënyra më e mirë për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të ndjehen të shërbyer nga Policia e Shtetit, është duke reformuar më së pari veten. 
Është kjo arsyeja pse kemi besuar që në fillim që Policia e Shtetit duhet të jetë një trupë moderne. Është kjo arsyeja pse kemi kërkuar nga partnerët ndihmë, që në ditët e para, për ta kthyer Policinë e Shtetit në “Policinë e Gjeneratës tjetër”. Për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Sot këtu kemi hapur një panair. Është hera e parë në historinë e Policisë së Shtetit që organizohet një ditë e tillë për t’u treguar qytetarëve çfarë bën realisht Policia. Dhe për të përfshirë të rinj e të reja të bëhen pjesë e veprimtarisë së përditshme të Policisë së Shtetit.
Të rinj dhe të reja, burra e gra, të moshuar,  janë bërë pjesë e këtij panairi. DO bëhen pjesë edhe nesër. Sepse ne besojmë shumë se nuk mund të ketë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër paligjshmërisë, informalitetit e korrupsionit, nëse nuk bëjmë të mundur bashkimin e Policisë së Shtetit, institucioneve dhe qytetarëve të ndershëm të këtij vendi për ta bërë Shqipërinë më të drejtë.
Për ta bërë Shqipërinë më të drejtë! Dhe kjo nuk është një frazë. Ky është një mision themelor i yni. Ky është një mision themelor i Policisë së Shtetit. Ky është qëllimi madhor, sepse kjo mazhorancë dhe qeveria sot kanë forcën dhe kurajon të bashkëbisedojnë me qytetarët me një qëllim të vetëm: t’i garantojnë reformën në sistemin e drejtësisë, për t’i dhënë shoqërisë mundësi të ndjehet dinjitozë dhe të barabartë para ligjit.
Policia e Shtetit sigurisht është e para në përpjekjet për të arritur maksimumin duke i shërbyer qytetarëve. E nisëm me reformimin brenda Policisë nga njëra anë, duke luftuar ata që ishin të korruptuar brenda saj. Deri më sot nuk janë pak po janë mbi 2000 punonjës policie që janë larguar në procedim disiplinor apo penal, sepse kanë shkelur ligjin, janë korruptuar, kanë bashkëpunuar me krimin e kanë lejuar paligjshmërinë nën hundën e tyre. Dhe kjo është një betejë që do vazhdojë.
Nga ana tjetër për reformimin e sistemit, për të moslejuar cilindo individ brenda Policisë së Shtetit apo jashtë që të difektojë, duke cenuar kapacitetin tonë për t’i shërbyer qytetarëve.  Ne jemi në rrugën e reformave. Askush nga ne nuk thotë që është bërë gjithçka, por jemi në rrugën e duhur.
Jemi në rrugën e duhur bashkë me qytetarët. Është kjo arsyeja pse Policia e Shtetit është sot institucioni më i besuar nga qytetarët.
Besoj nuk janë të paktë ata që kanë provuar të telefonojnë numrin 129 për të kërkuar ndihmë. Nuk janë të paktë ata që kanë telefonuar numrat e tjerë të emergjencës. Unë vet kam marrë shumë ankesa. Marr shembull numrin 126 i cili nuk përgjigjet ashtu siç duhet. Ne e dinim që në fillim këtë. Dhe zgjodhëm që nga njëra anë të përmirësonim shërbimin, por nga ana tjetër të reformonim në themel sistemin. Është kjo arsyeja pse ne sot bëjmë shpalljen e një reforme themelore  në Policinë e Shtetit dhe në të gjitha agjencitë që merren me ndihmën dhe shërbimin ndaj qytetarëve në rast emergjence.
Pra, në qoftë se sot je një qytetar në Tiranë, është mirë që në rast emergjence, qoftë kjo shëndetësore, qoftë kjo emergjencë kur kërkohet ndihma e Policisë, kërkohet ndihma e shërbimit zjarrfikës, nuk ke pse telefonon më disa numra. Ke vetëm një numër. Dhe ky është numri 112.
Në qoftë se deri sot telefonatat që vinin në numrat e emergjencës as regjistroheshin, as mbaheshin shënim dhe linte shumë vend për abuzim, në rast se qytetari kishte marrë në telefon e kjo nuk evidentohej. Ky sistem është inteligjent, i dixhitalizuar tërësisht. Nga njëra anë regjistron të dhënat e telefonuesit në mënyrë automatike, e nga ana tjetër, pas pak kohësh do regjistrojë edhe vet telefonatën. Se ne na duhet të kemi provë për telefonatën e qytetarit. Ne na duhet të kemi provë për sjelljen e punonjësit të Policisë.  Ne na duhet të kemi provë për shërbimin që i japim qytetarit.
Madje ky shërbim është inteligjent dhe i dixhitalizuar deri në pikën që të identifikojë vendndodhjen nga telefonon qytetari, duke lejuar Policinë që t’i çojë më shpejt një shërbim qytetarit e duke identifikuar patrullën më të afërt, me shqetësimin që ka qytetari që telefonon.
Kjo është një reformë themelore që zgjeron kapacitetin tonë për t’i shërbyer çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë. Me këtë reformë kemi filluar nga Tirana, po jemi mjaft të vetëdijshëm që duhet të vazhdojmë në çdo qytet, duke bërë të mundur që çdo Komisariat, çdo Postë Policie në çdo qark t’i ofrojë mundësinë qytetarëve që t’u përgjigjen në numrin 112. Kjo do kërkojë kohë e ndihmë nga partnerët.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet se rruga jonë drejt reformave nuk është e lehtë, nuk është e kollajtë. Pavarësisht se s’do ishte e udhës t’u flisja vetëm për 112-n. Nuk kam se si i shmangem një çështjeje që u bë e ditur para pak orësh, lidhur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me dy punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.
Unë jam shumë i vetëdijshëm që Drejtori i Policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekondë të ushtrimit të punës së tyre. Nuk kanë bërë asnjë përgjim. E s’kanë bërë asgjë qoftë dhe largësisht e afër me përgjimin.
Publikisht i jap mbështetjen time personale, institucionale, mbështetjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë.  Për Drejtorin e Policisë dhe dy punonjësit e policisë e për çdo punonjës policie në çdo cep të Shqipërisë që kryen detyrën me përkushtim, me devotshmëri, me ndershmëri duke besuar shumë fort se Policia e Shtetit ka një mision të shenjtë: Për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të bërë ç’është e mundur që shoqëria të ndjejë, të perceptojë dhe të ketë mundësi të jetojë duke u garantuar që institucioni të respektojë ligjin në mënyrë të njëjtë, pa të preferuar, pa të përkëdhelur, pa të paprekshëm.
Unë besoj që janë të shumtë ata që e dinë se rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtësisë ka shumë armiq. Janë të shumtë ata që nuk duan që drejtësia të funksionojë siç duhet në këtë vend.    
Në mënyrë që fermeri mos të vuaj sepse nuk fiton dot titullin e pronësisë për shkak se është dikush tjetër i korruptuar bashkë me gjyqtarin dhe bashkë me prokurorin që i zapton tokën, që i pushton tokën, që ja merr tokën me letra dhe kurrë nuk fiton të drejtën fermeri i ndershëm. Është dikush sipërmarrës që sakrifikon dita-ditës dhe që ndihet nën dhunën e korrupsionit e të gjithë atyre që me pushtetin e sistemit të drejtësisë bëjnë lloj-lloj padrejtësie në këtë vend, padrejtësi të cilës i vënë taksën e  korrupsionit.
Janë 99 % shqiptarët që duan realisht që ky vend të jetë i drejtë për fëmijët e tyre. Edhe duhet të sakrifikojnë sot për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Ashtu si po punojmë sot me Policinë e gjeneratës tjetër. Dhe sot u pa në mënyrë të pa ekuivok. Sot u bë shumë evidente se ata që nuk duan reformën në drejtësi janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Sot u pa kush është i gatshëm të bëj gjithçka për të shpëtuar ata që nuk duan Reformën në Drejtësi. Edhe sistemet më të korruptuara, instancat më të korruptuara në prokurori dhe gjyqësor nuk do të guxonin kurrë të shkonin deri këtu, për të penguar Reformën në Drejtësi. Dhe ne jemi tërësisht të gatshëm të përballemi me cilindo që nuk e do Reformën në Drejtësi. Kjo është beteja jonë me të shkuarën. Kjo është beteja jonë me të gjithë ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu. Kjo është beteja jonë e hapur me të gjithë ata që janë në gjendje dhe të gatshëm të bëjnë gjithçka që qytetarët e Shqipërisë mos të kenë kurrë një sistem drejtësie që garanton drejtësi jo sipas xhepit, por sipas të drejtës. Jo sipas më të fortit, me para apo muskuj, por sipas të drejtës.
Unë e kuptoj që opozita gjendet ngushtë, opozita bashkë me frontin e të keqes që sot nxori kokën dhe që nuk e do Reformën në Drejtësi. Ashtu si kuptoj shumë mirë sakrificën e madhe, të gjithë atyre që janë  të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm për të shpëtuar Saliun që të mos mbetet me gjithë gishtin në gojë. Ne jemi shumë të gatshëm dhe shumë të vetëdijshëm që kjo rrugë ka nevojë edhe për sakrifica. Kjo është një rrugë që ka pengesa por për t’i shërbyer qytetarëve, për të garantuar një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të drejtë, për të garantuar që qytetarët të jenë nesër të barabartë përpara ligjit dhe për të garantuar që fëmijët tanë, fëmijët e çdo shqiptari të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa merakun se kush është i fortë, kush ka para, kush është i lidhur me pushtetin, kush është i lidhur me partitë, kush gjen një prokuror të korruptuar në fuqi, një gjyqtar të korruptuar për të garantuar Shqipërinë e drejtë e së ardhmes.
Ne duhet të kapërcejmë çdo pengesë, me forcën dhe fuqinë që na jep e drejta. Për të bërë gjithçka duhet bashkë me 99% të shqiptarëve që sot janë të gatshëm të hedhin pas të shkuarën. Janë të gatshëm të hedhin pas të kaluarën që e solli Shqipërinë deri këtu. Unë nuk dua të zgjatem më në këtë fjalim timin sepse jam shumë i sigurt se nuk ka shqiptar që nuk e kupton sa e rëndësishme është Reforma në Drejtësi. Ashtu si nuk ka shqiptarë që nuk e di, me gisht ta tregoj, emër mbiemër, se cilët janë ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi. Cilët janë ata që duan ta mbajnë Shqipërinë me kokën pas duke mbajtur peng të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe unë jam i gatshëm bashkë me ju që të bëjmë gjithçka duhet, në këtë betejë për të garantuar një Shqipëri të drejtë, një shoqëri të drejtë.
Dhe të jeni të sigurt që kjo do të jetë një betejë jo e lehtë. Por do ta bëjmë bashkë. Me çdo shqiptar të ndershëm në këtë vend që e do të ardhmen më shumë se të shkuarën që lamë pas. Edhe një herë dua t’i japë forcë dhe kurajo çdo punonjësi policie në çdo cep të Shqipërisë. Luftoni me krimin, luftoni me paligjshmërinë, luftoni me informalitetin, luftoni me të gjithë ata që duan t’ju pengojnë në detyrë. Po bëni gjithçka është e mundur për të garantuar që Shqipëria nesër do jetë më mirë falë nesh dhe betejës që po bëjmë sot.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit