Ka raste ekstreme, besoj se i keni dëgjuar, që fatkeqësisht, të rinj kanë vrarë veten, pasi në shkollë janë dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga një shok i klasës, një shoqe apo grup. Kjo nuk duhet lejuar, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë.
Mësuesit duhet të jenë të përgatitur dhe duhet të mos e pranojnë bulizmin, pasi shpesh herë ndodh të thuhet që: “Hë, se s’ka gjë, nuk është ndonjë gjë e madhe, është pjesë e rritjes nëpër shkolla, pjesë e jetës së përditshme të nxënësve”. Jo, bullizmi është një fenomen që nuk duhet pranuar dhe nuk duhet toleruar më askund. Janë mësuesit të parët që nuk duhet të tolerojnë këtë fenomen, janë nxënësit të dytët, që duhet ta izolojnë këtë person që bën bullizmin. Natyrisht edhe prindërit, sepse një fëmijë që bën “të fortin” në shkollë, ka edhe një model negativ nga familja. Mund të ndodhë që ka nga familja një model të tillë dhe e ushtron edhe në shkollë. Pra, duhet biseduar edhe me familjen e këtij nxënësi që bën të fortin, ashtu edhe duhen ndihmuar shokët e shoqet që vuajnë nga këto pasoja.
Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë me të rinjtë edhe kundër këtij fenomeni. Të rinjtë janë natyrisht në qendër të punës sonë si bashki dhe komuniteti këtu është pjesë e bashkisë sonë të madhe. Qëllimet dhe objektivat tona janë që të rinjtë të kenë një përfshirje të madhe dhe të jenë pjesë e aktiviteteve tona. Ne kemi disa qendra rinore, qendra kulturore “Ten” apo qendra të tjera kulturore që sot janë në shërbim të nxënësve për aktivitete, takime të ndryshme, shfaqje, koncerte. Janë këto ambiente që ju ofrojnë lehtësira dhe ku ju mund të shprehni edhe talentet tuaja.
Po ashtu, Bashkia e Tiranës ka vënë në planet e saj përgjatë këtij viti edhe përfshirjen e të rinjve të shkollave, për të bërë teatër, shfaqje, disa prej aktiviteteve të rëndësishme. Ne si Bashki, secili prej nesh, kemi marrë përsipër nga një shkollë të mesme në të gjithë bashkinë e Tiranës, për t’i mbështetur si në nevojat apo aktivitetet që kanë.
Një gjë tjetër shumë e rëndësishme që Bashkia e Tiranës po bën, do vijojë ta bëjë dhe është një punë vërtet e domosdoshme është sensibilizimi mbi problematikën e bullizmit apo problematika të tjera, pra ndërgjegjësimi i të rinjve dhe krijimi i një ambienti sa më të ngrohtë për të gjithë studentët.