Fjala e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla

Zoti drejtues i seancës,

Kolege dhe kolegë deputetë,

Do kisha dashur shumë që të isha fokusuar vetëm tek ligji për ndikimin në mjedis, po të kemi parasysh rëndësinë e tij, rregullimet dhe përmirësime ligjore që ai bën. Do të kisha dashur shumë t’i referohesha dhe një deputeti që ka ndikimin më të keq në mjedisin parlamentar me gjuhën, me shpifjet, me trillimet, abuzimet. Por sigurisht që do të doja të përdorja disa minuta nga fjala ime për të denoncuar një sulm të mirëkoordinuar nga SHQUP-i përkundrejt ministrit të Shëndetësisë së vendit tim.

E them është sulm i mirëkoordinuar nga SHQUP-i sepse faktet që do të sjell sot, janë fakte që tregojnë qartë pse SHQUP-i është shqetësuar shumë nga ulja e çmimit të barnave në Shqipëri.

Prej 1 janarit, në Shqipëri çmimet e barnave janë shumë më të ulëta seç ishin më parë, mesatarja është rreth 30 %. Rastet që solli ministri dhe që do t’i sjellë edhe unë në vëmendjen tuaj, shkojnë në uljen e çmimit të barnave edhe në 200% apo 300%.

Po pse SHQUP-i është kaq i shqetësuar që edhe deputetë të bashkërendojnë sulmin me kompanitë grosiste kundër ministrit të Shëndetësisë?

Kam këtu listën e kompanive grosiste, nuk po ja them emrin se janë shumë, të cilat janë të regjistruara qoftë në Drejtorinë e Kontrollit të Barnave, qoftë në Ministrinë e Shëndetësisë, qoftë në dogana.

Kam këtu edhe listën e sponsorëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit! Si ka mundësi që janë njësoj?! Si grosistët e ilaçeve ashtu dhe sponsorizuesit e PD-së në fushatën e 2013! Të njëjtët persona të regjistruar si grosistë ilaçesh, janë të regjistruar dhe si sponsorë të PD-së në zgjedhje.

Ka një shpjegim. Ka një shqetësim të madh të grosistëve për uljen e çmimit të barnave, se është rregull ekonomik i qartë. Po u ul çmimi, ulet fitimi. Dhe grosistët janë turrur të SHQUP-i dhe i thonë, përdorni foltoren e SHQUP-it, përdorni deputetët e SHQUP-it për të sulmuar ministrin e Shëndetësisë, përdorni dhe televizionet e SHQUP-it për të sulmuar ministrin e Shëndetësisë.

Ju jeni deputetët e grosistëve apo jeni deputetët e popullit?!

Si deputetë të popullit duhet të çoheshit këtu dhe të thonit: “Po, faleminderit Qeverisë që ka ulur me 30 %”. Përjashtuar ndërhyrjet që u bënë kohë me parë tek TVSH-ja.

Një bar shumë i përdorur, edhe nga ju, pse jo? Për ata që kanë probleme me krimbat, Vermox-i, nga 409 lekë bëhet vetëm 122 lekë. Sa është ulja? 300%. Me një ndërhyrje, me disa rregulla të cilat ju vetë e dinit se mungonin.

Ja ku i keni, jua tha ministri po jua citoj një për një. Nga ministri i Financave, nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, raportonin se çmimet e ilaçeve që hynin në Shqipëri ishin më të larta se ato në Itali. A thua se vëllezërit dhe motrat tanë që vuajnë nga një sëmundje e caktuar janë më të pasur se qytetarët italianë dhe duhet të paguajnë çmime më të larta.

Po mirë, turp nuk keni një herë të vetme, që pasi u detyruat të shkonit në opozitë nga populli shqiptar të thonit: “Po, e kishim gabim, nuk e bënim dot, na kishin kapur grosistët dhe nuk na lëshonin grosistët të ndërhynim për uljen e çmimit të ilaçeve”. Por tani vazhdoni përsëri bindjen tuaj ndaj grosistëve për të sulmuar ministrin, për të sulmuar administratën mjekësore në këtë vend, që po ndërhyn me ndryshime ligjore dhe jo vetëm, për uljen e çmimit të ilaçeve.

E mirëkuptoj që opozita mbështet çdo lloj mosbindje qytetare apo civile, apo të çdo lloj forme tjetër dhe çdo lloj proteste të sindikatave përfshirë këtu edhe çfarë po ndodh me një pjesë të sistemit shëndetësor.

Kam një pyetje shumë miqësore. Ministri ju informoi, dhe këto të dhëna i keni dhe ju, se 1/3 e stafit mjekësor është e pa certifikuar, që do të thotë, është e pamundur të ushtrojnë ligjërisht aktivitetin profesional. Të jesh i pa certifikuar do të thotë të jesh i pamundur të ofrosh shërbimin ndaj pacientit.

Po sikur larg qoftë, një dentisti të pa certifikuar, që ishte në 50 % e stomatologëve, t’i kishte ndodhur një aksident me një pacient, një hemorragji dhe problemet që vijnë më pas, çfarë do të bënit ju? Do të vinit këtu në Parlament dhe “korba” apo “korbi” që i njohim, do të çoheshin këtu dhe do të thonin: “Qytetari apo pacienti filan, për shkak të ministrit të Shëndetësie, pati këtë problem mjekësor që shkoi deri në, larg qoftë, humbje jete!” Do akuzonit ministrin, sepse do t’i thonit që kishte lënë në punë një mjek, një stomatolog, të pa certifikuar. Sot i thoni mos e certifiko, nesër do t’i thonit pse nuk e certifikove? Pse nuk e testove më përpara?

Nuk ka asgjë tjetër, është manipulim publik gjithçka, që po bëhet për diçka që e dinë të gjithë. E kishte sistemi i kaluar, e kanë gjithë sistemet e tjera, në çdo lloj profesioni. A ka mundësi të fusim testim edhe në Parlament? Po, pse jo?! Por rregullat janë rregulla. Në sistemin shëndetësor, atë arsimor, atë policor, normale, pas 4-5 vjetësh duhesh parë se sa i ke njohuritë. Që kur të thonë t’ia bësh venoze mos t’ia bësh në vend tjetër.

Lidhur me shqetësimin tjetër të dyshes së stolit. Njëri foli për ilaçet, tjetra foli për Enver Bashën, një qytetar që meriton gjithë respektin për sjelljen e tij përkundrejt denoncimit, pjesëmarrjes dhe mbështetjes së forcave të policisë për arrestimin e kriminelëve në një akt kriminal. Por, të përdorësh një rrahje ku vetë nëna e djalit del dhe bën thirrje publike: “Aman mos ma politizoni djalin se nuk ka lidhje fare me këtë punë”.  Sipas Facebook-ut të Saliut, konferenca për shtyp e Saliut, vaitja e Jozefinës, ka dy ditë që vajton pse u rrah. Po mirë, dakord, ka një njoftim policie, “Shtetasi Enver Basha është konfliktuar dhe është goditur nga dy shtetas të cilët më pas janë arrestuar nga Policia e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur për motive banale të cilat janë dokumentuar dhe në deklarimet e shtetasve. Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur muaj më parë ku ishte përfshirë dhe shtetasi Enver Basha si dëshmitar”.

Po mirë, kjo është kauza e Partisë Demokratike? Rrihen dy qytetarë, keni dy ditë që keni harxhuar kohën e komunikimit tuaj në publik me qytetarët për një rrahje?! S’ka Partia Demokratike asnjë kauzë tjetër për të komunikuar me publikun?!

Unë ju mirëkuptoj, jua kam thënë dhe disa herë, për ne është avantazh të kemi nisjen e re të Lulzim Bashës, çiftin Berisha-Topalli. Por nuk është kjo opozita që duam dhe e mirëkuptoj që do ta them çdo ditë sa herë të flas këtu, që kandili politik i Lulëzim Bashës mbaron më 21 qershor. Saliun do ta ktheni prapë në krye të PD, ta gëzoni këtu e sa t’i japi perëndia jetë. Por nuk është kjo Partia Demokratike që ne duam si bashkëkolegët tuaj në këtë sallë.

Ankoheni ju për rastet e dhunës në polici. Po, jemi edhe ne më shumë të keqardhur por jemi shumë krenar për sjelljen e ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe autoriteteve drejtuese në polici për mënyrën e denoncimit, për mënyrën e përjashtimit të atyre punonjësve policie që godasin një qytetar shqiptar. Po ç’bëtë ju? Po ju sjell në vëmendje vetëm një rast, rastin e nëndrejtorit të policisë së Tiranës, i cili me pamje, brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës, rrihte kameramanin e televizionit Top Channel. Çfarë bëtë ju për rastin në fjalë? Sigurisht që e graduat më lartë në hierarkinë e policisë, jo që t’ju shkonte ndonjëherë në mendje ta largonit dhe tani keni ndërmend ta bëni dhe kandidat për kryetar bashkie, personin që rrihet kameramanin.

Faleminderit!

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Ardian Vehbiu: Histeria ndaj kryepeshkopit Anastas