Fjala e Ramës në takimin me infermierë dhe infermiere

Kam një lajm shumë të mirë, që, ashtu sikundër bëmë me mësueset dhe mësuesit, do të bëjmë edhe për infermieret dhe infermierët, shpëtimin përfund​imtar nga kthetrat e partive politike dhe garantimin përfundimtar të çdo profesionisteje dhe profesionisti të infermierisë, që askush, asnjëherë nuk do të guxojë më ta lëvizë nga vendi i punës për arsye politike, që do të thotë se tepsinë në fushën e veprimtarisë suaj e çojmë për skrap.

Nga sot, çdo infermiere apo infermier, që do të rekrutohet në sistemin tonë shëndetësor, do të mund të rekrutohet vetëm falë meritës dhe aftësive të veta. Ashtu sikundër tanimë ndodh në mënyrë të përsëritur dhe rutinë me mësueset dhe mësuesit. Mjafton të pyesni mësuesit e fëmijëve, për të marrë vesh këtë të vërtetë shumë të thjeshtë Edhe mësuesve, kur jua thamë këtë gjë, nuk e besonin dhe kishin gjithë të drejtën të mos e besonin. Por, pavarësisht vështirësive e pavarësisht pengesave të trashëguara, arritëm që mësuesit t’i nxjerrim të parët nga kthetrat e interesave partiake dhe të mos ishin më pjesë e listave të propozimeve për punësim të partisë apo partive që erdhën në qeveri.

Përmes të njëjtit mekanizëm, portalit, që është një mekanizëm automatik dhe sistematik, ju dhamë mundësinë të gjithë atyre që donin të punësoheshin si mësues, të aplikonin e të tregonin përmes testimit vlerën e kontributit të tyre të mundshëm. Portali i mësueseve tanimë është kthyer në një sistem të gjithëpranuar, do të ketë dhe një përmirësim të fundit në javët në vijim, pasi, ndryshe nga ç’ndodh me infermierët dhe siç do të ndodhi më tutje, ku emërimi do të bëhet në mënyrë shumë të përqendruar, me mësuesit, ne ndeshëm problemin e rasteve të kontratave të përkohshme, zëvendësimeve të përkohshme e disa procedura të tjera të ndërmjetme ku pati abuzime. Por të gjithë mësuesit fitues në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të cilëve iu dha një vend pune në bazë të pikëve të mbledhura, sot e mot janë e do të jenë aty, për të dhënë kontributin e tyre.

Ndërsa me infermierët, kjo do të jetë më e thjeshtë, në kuptimin e garantimit të transparencës së plotë të të gjithë procedurës së emërimeve, sepse në bazë të testimit, secili dot të marrë pikët që i takojnë, në bazë të pikëve, secili do të gjejë vendin e vetë në klasifikim dhe në bazë të klasifikimit, të shpërndarë sipas zonave gjeografike, do të merren individët me radhë, jo duke kapërcyer radhën, në funksion të kapërcimit të vendeve vakante.

Sot, aktualisht janë 420 vende vakante. Ne kemi refuzuar t‘i mbushim vendet vakante me ndërhyrje nga poshtë, nga anash e nga lart, pasi përgatiteshim pikërisht për këtë proces. Nëse do të ishte e vërtetë që ne nuk e kemi këtë vullnet, sot nuk do të kishte vende vakante. Askush nuk na ka penguar, as ligji dhe as ndonjë forcë madhore që ne të refuzojmë emërime të mëtejshme infermierësh, pas fillimit të procesit të ri qeverisës, përveç vullnetit tonë që jo nuk mundet dot t’ia besojmë partisë rekrutimin e një pjese esenciale të shërbimit mjekësor, siç janë infermierët, por duhet t’ua besojmë atyre që janë më të aftët e që janë në pritje për të marrë një punë si infermierë.

E që t’ua besojmë siç duhet, duhet t’i vlerësojmë në bazë të meritës dhe meritën e tyre nuk mund ta vlerësojë partia dhe nuk e përcakton fakti se e njohin, apo nuk e njohin deputetin, e njohin, apo nuk e njohin kryetarin e partisë në zonë, kanë, apo nuk kanë njohje me një kushëri të ministres e kështu me radhë, por vetëm pikët që do të marrin në testimin transparent, që do të organizohet sipas gjithë procedurave, të publikuara tanimë, nga Ministria e Shëndetësisë.

Për mua është një çlirim shumë i madh edhe personalisht, sepse kam qenë dëshmitar në shumë raste, për katër vjet, i pamundësisë për ta ndaluar  padrejtësinë në këtë sistem për shkaqe dhe ekuilibrash politikë, për shkaqe të një tradite të të gjitha partive politike, duke përfshirë dhe partinë që sot e vetme ka qeverinë dhe që unë e drejtoj. Realisht ka qenë një ndjenjë shumë e vështirë pafuqie, dobësie dhe turpi, kur përballë ankesave legjitime të një infermiereje me 20 vjet eksperiencë në një spital “x“,  nuk kam mundur dot të bëj asgjë.

Është larguar për t’u zëvendësuar nga një infermiere e sapolicencuar, meritat e të cilës i ka ditur vetëm deputeti “x” i partisë “x” në qytetin “y” për spitalin “z”. Raste të tilla ku të kap edhe frika, se po ikën dikush që gjilpërës i thotë gjilpërë dhe po vjen një tjetër që gjilpërës i thotë gozhdë, nuk ka patur një apo dy, ka patur shumë.

Ajo që është po ashtu e rëndësishme të nënvizohet është se ky sistem rrit edhe kërkesën ndaj vetes, të infermierëve që janë tanimë brenda sistemit, për të plotësuar të gjitha kërkesat e edukimit në vazhdim, për të qenë gjithmonë në lartësinë e testimeve në vazhdim dhe për të qenë në punën tuaj të pacenuar në dinjitetin profesional e njerëzor nga askush, sepse kjo është t’i gjesh punës njeriun e jo t’i gjejmë njeriut një punë e punë e madhe se a bëhet, apo nuk bëhet puna.

Eksperienca e portalit “Mësues për Shqipërinë” është shumë e çmuar dhe shumë pozitive. Portali do të bëhet ligj. Së shpejti, ne do të bëjmë ligjin në Parlament, që jo vetëm, çdo shkelje e mundshme e dinjitetit, qoftë edhe të një mësuesi të vetëm, të jetë shkelje e ligjit në lëvizje, emërime e me radhë, por edhe që kjo të kthehet në një normë ligjore në të gjithë sistemin.

E njëjta gjë do të ndodhë dhe me këtë portal. Rekrutimi i infermierëve në një proces ku është vetëm dija dhe aftësia dhe askush tjetër, që mund të të ndihmojë të parakalosh tjetrin padrejtësisht, është shumë e rëndësishëm që të jetë normë ligjore. E njëjta gjë ka ndodhur me hyrjet në universitet. Fëmija i kujtdo këtu, që sot është në vitin e parë në universitet, është aty, falë investimit të bërë nga prindërit, aftësive të veta e falë faktit që ne nuk kemi lejuar më që ta parakalojë dikush që ka babain drejtor spitali dhe jo nënën infermiere, apo që ka dorën e partisë që i jep një të shtyrë dhe e nxjerr përpara.

Faktikisht në hyrjet në universitet këtë vit, ne nuk kemi pasur asnjë ankesë. E kur them asnjë, nuk them as 1% ankesa. Asnjë ankesë, sepse procesi ka qenë i tëri automatik dhe transparent. As unë, as ministrja e Arsimit, as rektorët, askush, nuk ka pasur dot mundësinë, edhe po të donte, të futej atje e të krijonte parakalime artificiale për askënd.

Kështu do të ndodhi edhe për infermierët. Sigurisht janë disa mijëra që duan të futen në punë dhe nuk ka disa mijëra vende pune. Sot janë 420 vende vakante, por me këtë grup të parë fillon një histori e re në infermierinë shqiptare, sepse çdo vend që do të hapet, kur dikush do të dalë në pension, apo do të largohet për të shkuar diku tjetër, do të mbushet automatikisht nga ai që pret në radhë dhe që ka pikët e mjaftueshme për të qenë i pari i radhës, që të plotësojë vendin vakant.

Në administratë, ne kemi shumë probleme akoma, por sot që flasim, një skemë e ngjashme ka filluar të funksionojë në Shërbimin Civil. Shumë njerëz thonë se për tu futur në shtet duhen lekë e miq. Po, ka pasur shumë, ka edhe sot dhe nuk ka sesi të mos ketë, në rast se ne nuk modernizojmë sistemin në rastet kur mund të jetë kështu. Por ama, nëse në administratën publike, në Shërbimin Civil të Republikës së Shqipërisë, kemi 25% të konkurseve që nuk nxjerrin fitues, kjo do të thotë se kur nuk ka fitues, nuk ka mik, nuk ka lekë? Jo, kjo do të thotë që funksionojnë këto.

Administrata civile është njëra pjesë e administratës shtetërore. Një pjesë tjetër e administratës shtetërore është problem. Problem që ne do ta trajtojmë pjesë-pjesë. E siç jemi zotuar, në 4 vite, ne do t’i japim një dinjitet krejt tjetër të gjithë niveleve të administratës dhe çdo njeriu që meriton të hyjë në administratë, apo që meriton të qëndrojë në administratë, në bazë vetëm të meritës së tij. Kemi bërë një përpjekje që në fillim, me 16 menaxherët e institucioneve spitalore dhe rajonale të të gjithë vendit.

A ka qenë një përpjekje që na ka dhënë atë që do ta quanim një rezultat plotësisht të kënaqshëm? Nuk ka qenë për disa arsye. Sigurisht është një rezultat shumë më i mirë seç mund të ishte, sikur spitalet të ishin të ndara, këtë spital e ka kjo parti, atë spital e ka ajo parti dhe atë spital e ka ajo partia tjetër. E në rast se ajo partia që ka atë spital nuk ka një menaxher, do të sjelli një agronom, se nuk ka problem se do drejtojë spitalin, rëndësi ka që spitali është i partisë.  Pastaj se, kur infermierja shkon tek drejtori i spitalit dhe kërkon diçka që lidhet me infermierinë, ai i përgjigjet për kallirin e grurit, punë e madhe shumë.

Rëndësi ka që partia ka në punë njerëzit e vet. Kjo nuk ndodh e nuk ka për të ndodhur më pikërisht sepse duam shumë më tepër, edhe nga menaxhimi i spitaleve, edhe nga drejtimi i spitaleve bashkiake, - 34 të tillë. Sigurisht edhe nga shefat, por po flasim për spitalet, pasi për drejtuesit, ne kemi lënë 3 muaj kohë e brenda këtyre 3 muajve, të gjithë ata që drejtojnë, janë në testim.

Ashtu sikundër nga ana tjetër jemi të bindur për një fakt të rëndësishëm, që nuk mund të kemi shërbim infermierie të një niveli dinjitoz në qendra shëndetësore, apo në pika ambulatore, që janë katastrofë nga pikëpamja e infrastrukturës. Kjo është arsyeja që ne kemi një program për të financuar rindërtimin e plotë të 300 qendrave shëndetësore në Republikën e Shqipërisë. 80 të parat do të bëhen këtë vit dhe do të jenë me të gjitha standardet që keni parë në Laprakë, në Kamzë apo në qendra të tjera të rindërtuara. Do të jenë qendra pritëse për një shërbim parësor që të mund të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme shërbimin më të specializuar e më të komplikuar në spitale. 

Rroga u rrit në mënyrë të ndjeshme, në radhë të parë, për infermierët. Ju gëzoheni që kush punon në një qendër shëndetësore që akoma është akoma e parindërtuar, do rindërtohet, dikush që punon në një qendër shëndetësore të rindërtuar, gëzohet që do rindërtohet diku tjetër, por kjo nuk e shton entuziazmin, aq sa do ta shtonte rritja e mëtejshme e rrogës. Kështu që ne kemi programuar një rritje progresive të mëtejshme të rrogave për infermierët, në radhë të parë, në të gjithë sistemin. Kur rritëm rrogat, na u mërzitën profesorët, se u rritën shumë për infermierët dhe pak për profesorët. Do mërziten përsëri profesorët, por ne do vazhdojmë të rrisim më shumë rrogat për infermierët.

Ndërkohë për profesorët kemi një lajm të mirë. Ne kemi mungesë serioze mjekësh specialistë në zonat larg, apo edhe jashtë Tiranës. Kam thënë se kjo mund të zgjidhet, duke iu dhënë atyre një pagë të barabartë, ose pak a shumë si paga që do merrnin po të “arratiseshin” sot në Itali, ose në Gjermani, pa pasur parasysh taksat. Kur e kam thënë këtë, kanë thënë “kjo nuk bëhet”. Kjo është vendosur. Nga sot, kush mjek specialist do pranojë të shkojë në spitale jashtë Tiranës, ku ka nevojë për specialistë, sipas specialiteteve do të marrë deri në 2.5 milionë lekë [të vjetra], plus rrogës që merr si specialist në Tiranë. Ju duken shumë, por është shumë më e madha plaga që hapet nga mungesa e tyre, sot.

Ndërkohë që kjo nuk do vazhdojë pafundësisht si problem, edhe për një arsye tjetër. Në vitin 2011, për një arsye, apo për një arse tjetër u ndërprenë specializimet në fushën e shëndetësisë. Ata që i ndërprenë, sot kërkojnë llogari. Ndërkohë që ne i filluam specializimet, duke përgatitur të gjitha procedurat në vitin 2014 dhe 2015-ë, duke bërë hapjen e dyerve.

Brenda harkut të dy viteve, ne do të kemi mbi 300 specialistë, ndërkohë që sot, mungesa e specialistëve nga e cila vuajmë e që bëhet e gjithë kjo zhurmë e madhe, është më pak se 100. Këto janë shifra konkrete, është realiteti, për të konfrontuar çfarë thuhet dhe çfarë ndodh në të vërtetë. Janë përsëri shumë, kur mungojnë dhe për këtë arsye, ne do vendosim bonusin deri në 2.5 milionë lekë, sipas specialisteve, se ka një shkallëzim mbi rrogë, që, kur merr përsipër të shkojë në Tropojë, Përmet, Librazhd, apo kudo qoftë tjetër në këto zona, të mund të ketë një fitim real. Pra, është një migrim i brendshëm me një fitim që është i llogaritur pak a shumë saç do fitonte po të shkonte sot në Gjermani apo Itali, duke punuar mjek.

Dua t’ju siguroj se ne e dimë dhe besoj e dimë më mirë, pas jush, sesa të gjithë ata që flasin për shëndetësinë, sesa probleme ka shëndetësia. Jemi shumë të qartë për sa shumë akoma mbetet për të bërë. Për këtë arsye jemi fare të pakënaqur sot, në raport me të ardhmen, por në raport me ku u nisëm, unë nuk besoj se ka një njeri të arsyeshëm, që shikon faktet dhe jo pasqyrën e kazanit, që të mund të ketë kurajon të thotë nuk jemi shumë më përpara seç ishim.

Unë besoj se kjo që po bëjmë sot është një shembull, i cili dhe i vetëm mjafton, sepse nuk është çështje portali punësimesh, por është çështje dinjiteti profesional dhe njerëzor. Marrim shpesh mesazhe, ankesa nga vajza dhe djem, që kanë mbaruar infermieri e duan të punësohen dhe janë të gjithë me idenë, si do ia bëj kësaj pune, se kjo nuk bëhet me aftësi. Ja pra, duke qenë se nga sot, kjo do bëhet vetëm me aftësi, besoj se është një hap shumë i madh përpara.

Duke filluar prej këtij viti, procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, që nga qendrat shëndetësore deri tek spitalet universitare, një akreditim sipas normave dhe standardeve të larta, të përcaktuara ndërkombëtarisht, ne do i japim vetes, në radhë të parë, një pasqyrë objektive të të gjithë situatës dhe në radhë të dytë, mundësinë për të parë konkretisht e për të bërë konkretisht gjërat që duhen në raport me ku duhet të shkojmë.

Por besoj se një trupë mjekësh, infermierësh, punonjësish të tjerë të shkencave mjekësore teknike, e garantuar se gjithçka nën bluzën e bardhë varet nga merita, profesionalizmi dhe dinjiteti i vet në shërbim, është një epokë më përpara, sesa trupa ku bluzën e bardhë ta vesh e ta heq partia. Ishte kështu deri përpara disa vitesh. Nëse nuk ishte kështu edhe në pak vitet që ne jemi në drejtim në Qendrën Spitalore Universitare, ju siguroj që ishte kështu në shumë spitale të Shqipërisë deri në shtator. Po të ishim sot, siç ishim dje, nuk do kishim 420 vende bosh e nuk do kishim çfarë të nxirrnim në portal, se këto vende do ishin ndarë jo përmes portalit, por këtu afër ku janë partitë.

Ne do bëjmë çmos që gjërat të bëhen më mirë, por jemi e vetmja garanci që gjërat mbrapsht nuk shkojnë më.

 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Çuçi: Veliaj është ka mbështetjen absolute të grupit të PS! S’e bën pis asnjë lloj balte që hidhet ndaj tij