Fjala e plotë e Kryeministrit Rama pas takimit të zhvilluar me Bashën

Mirëmbrëma!

Ne ishim mikpritësit, por ishte dëshira e miqve që unë të dilja përpara, gjë që nuk është shumë e natyrshme që mikpritësit ta lenë mikun brenda.

Më vjen sinqerisht keq që nuk arritën ta bindim Partinë Demokratike për ta votuar së bashku, draftin e shkruar bashkërisht me partnerët tanë strategjikë të reformës në drejtësi.

Por më vjen shumë mirë që t’u them sot të gjithë shqiptarëve që i bëmë të gjithë përpjekjet e mundshme për t’ia dhënë kundërshtarëve tanë politikë një mundësi reale kompromisi, pa cenuar përmbajtjen thelbësore të kësaj reforme.

Me përpjekjet e mundshme nuk kam parasysh vetëm këto orë që kaluam sot me një diskutim të hapur dhe të drejtpërdrejtë, por kam parasysh 1 vit e gjysëm proces. Drafti që kishim në tryezën e diskutimit ishte ai i diskutuar në Komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi i shoqëruar me një plan disapikësh që u ofrua nga ekspertët europiane dhe amerikanë për të lehtësuar afrimin mes palëve.

Ne e kishim pranuar 100 % këtë plan, ku përfshihej edhe shumica e cilësuar e 2/3-ve që është kërkuar papushim nga PD, pas leximit të parë të raportit të Komisionit të Venecias. Për habinë e shumëkujt ndoshta, por jo timen, PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën dhe opozitën në përzgjedhjen me votë të kandidatëve për pozicione të caktuara në sistemin gjyqësor.

Unë nuk u habita sepse nuk hyj tek ata që mendojnë se Partia Demokratike e do reformën në drejtësi. Por pikërisht sepse kam menduar kështu që ditë e parë, kam qënë jashtëzakonisht më i duruar se asnjëherë tjetër dhe kam kërkuar nga të gjithë durimin më të madh. Të njëjtën gjë ka bërë dhe aleati ynë në qeveri, madje duke predikuar në infinit nevojën për konsensus.

Nuk kemi dashur t’i lëmë shteg PD për asnjë lloj justifikimi, as në sytë e shqiptarëve, as në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Partia Demokratike nuk ka lënë gur pa luajtur, marifet pa përdorur, justifikim pa nxjerrë për ta zvarritur këtë reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj. Por sonte e mbrapa, Partia Demokratike nuk mund ti tregojë dot as shqiptarëve, as Brukselit, as Washingtonit, as edhe një arsye të vetme që mund të justifikojë mosvotimin e reformës në drejtësi. Natyrisht mund të tregojë arsyet e saj të radhës, por jam i bindur se tanimë çfarëdo që të thotë, ato që do të thotë i duhet t’i besojë vetëm vetë.

Unë thashë që mendoj se PD nuk e do reformën në drejtësi, çka sot besoj se nuk ka njeri jashtë oborrit të PD që ta mendojë ndryshe. Por kjo sipas meje nuk do të thotë akoma që PD nuk do ta votojë reformën në drejtësi. Ne nuk do ta presim më Partinë Demokratike. Do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Por deri ditën e votës në parlament ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me këtë tren të historisë edhe krejt fytyrën e tyre. Unë dua t’i siguroj se nëse do të duan të flasin me ne që tani në nivel ekspertësh për ta shfrytëzuar kohën, nga sonte deri në ditën e votimit në parlament, ne jemi gati.

Jemi gati të dëgjojmë çdo ide, propozim, kërkesë të tyre që nuk e cenon thelbësisht përmbajtjen e draftit të reformës dhe që nuk përbën një përpjekje për të mbajtur duart brenda sistemit të drejtësisë.

Drafti në fjalë nuk është i përsosur dhe nuk është i shkruar në gur. Ai është i përmirësueshëm padyshim, por në asnjë mënyrë i përkeqsueshëm për llogari të partive, të kastave, të individëve që i tremben kësaj reforme apo thjesht parapëlqejnë gjykatat e sotme, në vend të atyre që duhen Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Për çdo përmirësim ne jemi të hapur deri në sekondën e fundit. Asnjë përkeqësim nuk do të lejojmë dhe asnjë sekondë tjetër nuk do të presim. E përsëris, pas këtij takimi reforma do të niset drejtë e në sallën e parlamentit. Ne duam që çdo prokuror dhe gjykatës që do të dojë të vazhdojë të punojë në sistem, të kalojë në një sitë të imët të kontrollit të pasurisë, të cilësisë së karrierës së deritanishme, të aftësisë profesionale dhe morale për të përballuar detyrën. Dhe i gjithë ky proces radiografimi profesional, person për person të bëhet nën monitorimin ndërkombëtar. Kjo reformë, ky draft e garanton këtë.

Ne duam që ngrehina aktuale e sistemit të drejtësisë, duke filluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë të shembet përtokë dhe të ndërtohet një ngrehinë e re, banorët e së cilës nga i pari tek i fundit, do të hynë brenda saj në pozicionet përkatëse, pasi të kenë dalë pa asnjë njollë në radiografinë profesionale dhe të jenë përzgjedhur në një rrugë që politika nuk e bllokon dot.

Kjo reformë e garanton këtë sepse krijon mekanizma zhbllokues të vetë sistemit në rast të çdo bllokimi politik.


Ne duam që partitë të mos e shqyejnë sistemin për interesat e tyre dhe as të mos e ngjyrosin ngrehinën e tij sipas ngjyrës së shumicës qeverisëse të radhës apo sipas harmonisë të ngjyrave mes shumicës dhe pakicës të lidhura në mëkat. Sepse duam një sistem që t’i japë fund pandëshkueshmërisë së të gjithë llojeve të të fortëve, nga ata që ulërijnë në lartësitë e politikës, tek ata që bubërrojnë në nëndheun e krimit.

Kjo reformë e garanton këtë dhe shumica e nevojshme prej 2/3, 94 vota aq sa duhen për të ndryshuar Kushtetutën e Republikës në dispozicion të këtij procesi për t’i dhënë mundësi partive të thonë fjalën e tyre për kandidaturat që shkojnë në parlament, por ama të mos e vënë dot veton e tyre për të kontrolluar politikisht drejtësinë, - e blindon këtë.

Ja pse kjo reformë mbështetet plotësisht nga SHBA, BE dhe koalicioni ynë qeverisës.

Ja pse kjo reformë i hap Shqipërisë dyert e negociatave për anëtarësim dhe BE dhe meriton mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje, partie jo e jo.​
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme: Mbështesim përpjekjet e SHBA, Egjiptit dhe Katari për të arritur paqen mes Izraelit dhe Hamasit