Fjala e plotë e Ministres Kodheli në ceremoninë e 7 vjetorit të anëtarësimit në NATO
 

Kolegë ministra e deputetë, kryetar i bashkisë së kryeqytetit, miq e të ftuar,

Jemi mbledhur të gjithë së bashku për të festuar përvjetorin e shtatë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky përvjetor na jep mundësinë për të kuptuar e reflektuar rrugën e bërë nga Shqipëria si anëtare e Aleancës në këto vite si dhe sa e rëndësishme është NATO për sigurinë tonë të përbashkët sot.
Që në hapat e para të demokracisë, Shqipëria vendosi të ndiqte një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në organizatat e familjes euro-atlantike, ku ne, një nga popujt më të vjetër të këtij kontinenti, nuk mund të mungonim.

Sot, po festojmë një nga arritjet më të mëdha për sigurinë e vendit dhe integrimin e plotë në komunitetin euro-atlantik, si pjesë e një grupi demokracish moderne të destinuara të adresojnë sfidat e shekullit të 21-të, bazuar në vlerat e përbashkëta të lirive personale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.
Rruga që Shqipëria mori për t’iu bashkuar Aleancës së Atlantikut të Veriut ishte e qartë dhe reflektoi që në ditët e para dëshirën e të gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare për të vendosur interesat kombëtare mbi ato personale.

Mbështetja masive që populli shqiptar i ka dhënë anëtarësimit në NATO tregon themelin mbi të cilin ne kemi ngritur të gjithë përpjekjen tonë politike, e vetmja e përfshirë në axhendat e çdo force politike në vend.

Gjatë këtyre viteve, së bashku me të 27 aleatët e tjerë, kemi adresuar shumë kërcënime për sigurinë tonë të përbashkët, fillimisht si vend partner e që prej shtatë vitesh si anëtarë me të drejta të plota. Ushtarakët tanë kanë luftuar në Kabul, Herat, Kandahar, Mazar-e Sharif, si pjesë e misionit ISAF dhe tani si pjesë e misionit Resolute Support. Jemi të pranishëm atje, që nga viti 2002, duke iu bashkuar që në fillim koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit.

Midis heronjve pjesë e këtyre misioneve, ne patëm edhe një humbje kapiten Voglin, Dëshmor i Atdheut. Akti i tij heroik na kujton çdo ditë sakrificën tuaj të nderuar ushtarakë, sakrificë që e bën çdo shqiptar të përkulet me respekt para jush.

Ushtarakët tanë janë në Kosovë si pjesë e misionit NATO-KFOR. Po punojmë së bashku për stabilitetin në rajon si dhe për t’i sjellë sa më shpejt kosovarët në gjirin e familjes së tyre natyrale, atë Euro-Atlantike.

Tashmë operacionet në mbështetje të paqes, janë pjesë e traditës së angazhimeve ndërkombëtare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Që kur ushtarakët e parë shqiptarë u nisën drejt Bosnje-Hercegovinës 20 vjet më parë, kemi qenë të pranishëm në gjithë sfidat e mëdha botërore, përveç Afganistanit, në Irak, Kosovë e Çad.
Dhe kemi treguar, përmes më shumë se 6500 ushtarakëve,  se jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force ushtarake profesioniste e profesionale, njerëzish të zotë e trima.

Sot shqiptarë dhe shqiptare në uniformë shërbejnë me dinjitet dhe përkushtim në shtabet dhe komandat e Aleancës, në Belgjikë, Bullgari, Britani, Francë, Greqi, Itali, Holandë, Rumani, Turqi e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria gjeneron paqe, siguri dhe stabilitet në të gjithë ambientin e sigurisë në të cilin po jetojmë. Teksa shohim me krenari arritjet tona gjatë rrugëtimit tonë konstant përkrah aleatëve tanë natyralë, gjejmë edhe një moment për të reflektuar ndaj sfidave aktuale të sigurisë. Sulmet e përgjakshme terroriste brenda kufijve NATO si në Paris, Ankara dhe Bruksel, apo edhe jashtë kufijve të saj si ato të ditëve të fundit në Pakistan, kanë treguar se na duhet të adresojmë sa më parë atë që po ndodh në kufijtë jugorë të Aleancës.

Rajoni në të cilin jetojmë është krejtësisht i përfshirë në vorbullat e pasigurisë që po krijohen në Lindje e në Jug. Valët e refugjatëve që po vijnë drejt Europës forcojnë nevojën për të gjetur një zgjidhje që prek rrënjët e problemit, e jo vetëm pasojat e tij.

Shqipëria ka marrë një rol primar me donacionet ushtarake që Forcat tona të Armatosura kanë bërë gjatë dy viteve të fundit, ku kemi kontribuar, qenësishëm, në betejën që bota e civilizuar po bën kundër të keqes që po përpiqet të zërë rrënjë në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka treguar se është e aftë të luajë një rol të rëndësishëm në gjirin e familjes Euro-Atlantike, edhe falë një tolerance të admirueshme fetare, bashkëjetesës shekullore mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Ne modestisht kemi ditur si  të kontribuojmë në këto ditë të çoroditura të njerëzimit.
Edhe ngjarjet në Ukrainë, edhe rreziqet në kufijtë e Polonisë dhe aleatëve tanë në brigjet e Detit Balltik, për fat të keq, po na tregojnë se jetojmë në një botë të cilën nuk e kishim imagjinuar të tillë në fillim të shekullit të 21-të. Na duhet të përqendrohemi në forcimin e Aleancës dhe të sigurohemi se jemi të gatshëm për rreziqet që na presin.
Një arsye më shumë që ne të mbështesim dhe mirëpresim çdo anëtar të ri që kërkon t’i bashkohet Aleancës tonë. Përpjekjet e Malit të Zi u finalizuan suksesshëm dhe ai po I bashkohet  familjes tonë. Shpresojmë që rruga drejt anëtarësimit të jetë sa më e shpejtë për të gjithë vendet e tjera të rajonit që e dëshirojnë atë.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë shumë reforma të rëndësishme për të modernizuar Forcat tona të Armatosura. E në këtë rrugëtim dua të falenderoj në mënyrë të veçantë qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Italisë, Turqisë, Greqisë, Gjermanisë e Britanisë së Madhe për kontributin e tyre të posaçëm në edukim, trajnim, stërvitje, pajisje dhe modernizim.

Dua ta mbyll këtë fjalë, me një falenderim të sinqertë për të gjithë ata që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. I përulem me respekt të gjithë popullit shqiptar dhe falenderoj Forcat e Armatosura, administratën shqiptare, shoqërinë civile dhe çdo aktor të politikës pa dallim, që bënë të mundur realizimin e detyrimeve që më pas  sollën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Shqipëria dhe NATO kanë nevojë për njëra-tjetrën.
Për të mbrojtur vlerat tona.
Për të ruajtur sigurinë e vendeve tona.
Për të siguruar paqen në Europë dhe në botë.
Për të mbrojtur të ardhmen tonë.

Ju faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari