Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli

I nderuar Ambasadori Bayraktar, Ushtarakë të pranishëm, Zonja dhe zotërinj, Sot është një moment i veçantë për Forcat tona të Armatosura. Një togë e Policisë Ushtarake po niset për misionin e saj të parë jashtë vendit, drejt Afganistanit, atje ku ne jemi të pranishëm që nga viti 2002.

Për të gjithë ju, djem dhe vajza në uniformë të batalionit të Policisë Ushtarake ky 5 dhjetor duhet mbajtur mend gjatë. Është fillimi i një angazhimi të ri, një dimension i rrahur nga shumë kolegë tuajt, por i panjohur për ju. Jeni stërvitur e pajisur për të kryer detyra më specifike se shumë nga repartet e Forcave tona të Armatosura.

Ju konsiderojmë si një nga repartet më të mirë e më profesionalë që kemi. Dhe prandaj jeni përzgjedhur për të na përfaqësuar në Kabulin e largët, përkrah aleatëve tanë turq, në ruajtje të aeroportit të atjeshëm. Për një kohë të gjatë kam diskutuar me drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm por dhe me komandantin e Policisë Ushtarake, për të bërë të mundur përfaqësimin e batalionit tuaj në një mision jashtë vendit. Dhe ja ky moment u bë realitet.

Momente të tilla mbajnë mbi vete edhe shumë tension, mbi të panjohurën që ju pret dhe rreziqet që çdo mision i tillë ka. Por fakti që drejtoheni nga komandant Kingji, mua personalisht më jep shumë besim. Ai ka qenë komandanti i misionit të parë shqiptar në Kabul në vitin 2002. E njeh mirë realitetin që ju pret dhe jam e bindur se ju ka instruktuar më mirë se kushdo tjetër në këtë angazhim të rëndësishëm tonin.

Sfidat e reja të sigurisë, kërkojnë me ngulm vlerësimin e bashkëpunimit mes vendeve aleate si mundësinë primare jetike të suksesit, në këto kohë mungesash dhe radikalizimi. Gjendemi së bashku me aleatët tanë në zonat më të nxehta të globit, marrim përsipër angazhime në përmbushje të kërkesave të Aleancës, por dhe mendojmë në çdo moment për përmirësimin e realitetit me të cilin përballemi.

Ngjarjet që po ndodhin kudo nëpër botë demonstrojnë rëndësinë që ka mirëpërgatitja për parandalimin e çdo agresioni të mundshëm ndaj Aleancës apo për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme. Jemi të pranishëm në Afganistan prej plot 14 vjetësh, fillimisht në formatin ISAF e që prej dy vitesh si pjesë e Misionit “Resolute Support”, duke iu bashkuar që në fillim koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit.

Jemi të pranishëm atje, fillimisht si vend partner e më pas si anëtar më të drejta të plota të Aleancës, për t’u dhënë afganëve liri nga shtypja dhe terrori si dhe për t’i ndihmuar ata në krijimin e sigurisë dhe stabilitetit për vendin e tyre. Sot, forcat ushtarake të NATO-s nuk patrullojnë më fshatrat e qytetet afgane, por janë të angazhuara në trajnimin dhe stërvitjen e afganëve, të cilët po rimarrin në duar fatet e vendit të tyre.

Dua të falenderoj aleatët tanë turq për të gjithë ndihmën e dhënë në plotësimin e angazhimit tonë në Afganistan. Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura Turke, mbetet për ne mjaft i rëndësishëm dhe thelbësor. Ne do të jemi në Afganistan, do të dyfishojmë angazhimin tonëduke nisur nga e shtuna e ardhshme si dhe do të ndjekim me vëmendje kërkesat dhe nevojat e Aleancës për ekspertizën tonë.

Në unison të plotë me aleatët amerikanë, turq, italianë, gjermanë si dhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, ne do të plotësojmë detyrimet e marra vite më parë. Dhe jemi krenarë për këtë! Ju uroj rrugë të mbarë dhe suksese në misionin tuaj. Fjala e ambasadorit turk, z. Hidayet Bayraktar E nderuar ministre e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Të nderuar komandantë, Të nderuar pjesëmarrës, pjesëmarrës të familjeve. Këtë sot jemi mbledhur për të përcjellë kontigjentin e përbërë nga 30 persona të efektivit të ushtrisë shqiptare të cilët nën komandën turke do të zhvillojnë misionin e tyre në kuadrin e NATO-s.

Jam tepër i lumtur dhe tepër i kënaqur që marr pjesë në këtë ceremoni përcjelljeje.Turqia ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në institucionet Euroatlantike, ndërkohë ajo ka mbështetur edhe antarësimin e Shqipërisë në NATO. Turqia ashtu siç në çdo fushë edhe në fushën ushtarake ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Sot kërcënimet rajonale dhe globale por arrijnë përmasa tepër të vështira. Në këtë kohë rritet akoma më shumë roli rajonal dhe global i NATO-s për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Botë. Turqia është një mbështetëse e politikës e dyerve të hapura të NATO-s.

Në të njëjtën kohë e shikon këtë Aleancë si një garanci të fuqishme për stabilitetin dhe paqen në Ballkan. Në këtë kuadër Turqia e shikon si tepër kuptimplotë dhe tepër të rëndësishme kontributin që jep Shqipëria, aleate e jona në NATO, kontribut të cilën e jep edhe në Afganistan në kuadrin e komandës së NATO-s. Në këtë kuadër ne e shikojmë si një hap konkret, i cili realizon më së mirë besnikërinë e Shqipërisë ndaj NATO-s.

Në të njëjtën kohë edhe realizimin e objektivave të përbashkëta në kuadrin e NATO-s. Këto veprimtari të palës shqiptare kanë filluar në 16 dhjetor të vitit 2014 dhe sot është kontigjenti I 5-të që po vazhdon këtë rrugë. Në të njejtën kohë ne mendojmë se këto veprimtari të palës shqiptare do të ndikojnë në rritjen e prestigjit dhe të autoritetit të saj në planin ndërkombëtarë. Në të njejtën kohë kemi bindjen se do të çoj në një nivel më të lartë marrëdhëniet ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Ne jemi mbledhur sot për të përcjellë këtë mision tepër të rëndësishëm. Unë ju uroj suksese në detyrën e tyre tepër të rëndësishme të gjithë personelit ushtarak shqiptar të cilin po e përcjellim sot. Uroj që ata të kthehen shëndoshë e mirë. Në të njëjtën kohë i garantoj të gjithë pjesëtarët e familjeve të tyre që këta do të kthehen më një eksperiencë të çmuar. Ju faleminderit të gjithëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës