Kjo rrugë pa pasur disa probleme që në konceptim, nuk është bërë asnjë planifikim për 50 % të rrugës. Së dyti nga 72 km, 6,5 km nuk janë futur fare në planin e investimit,e as në planin e projektit të detajuar, që do të thotë lidhja me kufirin, nga ura e Cerenecit deri në Bllatë, nuk është planifikuar lidhja as për studim. Nuk është bërë asnjë koordinim i mëparshëm me palën maqedonase ndonëse rruga në pjesën matanë kufirit kalon në një pjesë të mbrojtur. Kjo çështje tashme është zgjidhur pas instimit tonë të vazhdueshëm. Në lidhje me propozimet, mund t”ju them se janë 5 të tilla të paraqitura nga një kompani kineze. I pari ka ardhur në Qershor të vitit 2013 dhe nuk është trajtuar fare, më pas ka ardhur propozimi i Qershorit 2014, dhe kështu ka vazhduar pas miratimit të ligjit të posaçëm, për ta bërë me prokurim të drejtëpërdrejt meqë ishte rasti i parë që një kompani vinte me një ofertë të tillë. Pra ishte propozimi i Qershorit 2014, Dhjetorit 2014, Shtatorit 2015 dhe i Marsit 2016. Së fundmi pas vizitës së zëvëndës kryeministrit të Kinës është premtuar që do të bëhet edhe një propozim i ri nga ana e kësaj kompanie.
Cilët janë elementët e përbashkët që përcaktojnë bësueshmërinë e këtij projekti, dhe ku jemi fokusuar edhe ne me vlerësimin tonë? E para ka të bëjë me ekspozimin vjetor të buxhetit të shtetit në skemën financiare që propozohet. Ky propozim ka variuar ndryshëm, sepse struktura financiare e projektit ka qenë e ndryshme. Maksimalja ka shkuar në 37 milion dollarë në vit. Për të bërë pak sens referimi, mund t”ju them se i gjithë buxheti i rrugëve aktuali i 2016 me burime te brendeshme i miratuar nga ju, është 3.7 mld, që do të thotë 100% e buxhetit që është aktualisht për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Elementi i dytë i rëndësishëm dhe pjesë e shqyrtimit të thellë të propozimeve, është interesi i parasë. Kompania kineze dhe kompanitë kineze përgjithësisht operojnë me garanci sovrane, sepse paratë që merren nga “Exim Bank”, parashikojnë një garanci sovrane nga shtetet që investohet. Në këtë rast për herë të parë dhe të vetme është bërë një përjashtim, dhe garancia sovrane është zëvëndësuar me garantimin e pagesave vjetore në atë masë që unë ju thashë. Megjithatë kjo lloj skeme sigurisht që e rrit koston e parasë, normalisht kreditë me garanci sovrane ofrojnë interesa shumë të ulëta, ofrojnë interesa zhvillimore. Në rastin konkret kemi një kompani komerciale e cila do të ofrojë një interes komercial, dhe llogaritjet tona nxjerrin se interesi i parasë për të gjithë operacionin shkon diku te 8 %, që është kredi mirëfilli tregtare. Në thelbin e tyre ofertat kanë qenë të papranueshme nga ana jonë, që nga vlerësimi në Gusht të 2014 nga Ministria e Financave, sepse duhet t”ju kujtoj që vlerësimi është bërë nga 3 institucione njëkohësisht, Ministria e Transporteve, Ekonomisë dhe Financave. Së fundmi kompania ndërkombëtare prestigjoze e konsulencës “Roland Berger”, e cila është kontraktuar nga Qeveria Shqiptare për të asistuar në kuadër të procesit të Berlinit, dhe në kuadër të këtyre projekteve madhore në investime, e ka marrë, e ka shqyrtuar dhe e ka arritur ekzaktësisht atë konkluzion që ka arritur Qeveria Shqiptare. Me kosto investimi të lartë, me kosto ndihmëse shumë të lartë dhe me kosto financimi të lartë.
Së fundmi kemi patur edhe një ofertë nga një kompani shqiptare, për ta ndërtuar dhe investuar vetë këtë rrugë. Zhvillim shumë pozitiv që unë e përshëndes, por jemi gjithashtu në pritje dhe komunikim me ta, deri sa të përgatisin një ofertë. Ndërkohë mund të them që në mënyrë prioritare do të vlerësojmë një ofertë që do të vijë së shpejti nga ana e kompanisë kineze. E përsëris pas vizitës së fundit të zv kryeministrit të Kinës, që mori përsipër sjelljen e një oferte më të mirë, duke ulur e koston e parasë, si nga “Exim Bank”, ashtu dhe koston e kredisë që merr kompania “China State”, gjithashtu koston e parasë së vet kompanisë që është 30 % e financimit te projektit, që do të jetë para e hedhur nga vetë kompania. Mendoj se është e rëndësishme të keni dhe një ide pak grafike, dhe në këtë hartë keni dhe segmentet e kësaj rruge , është segmenti i parë nga Ura e Brarit deri te Tuneli i Tujanit, është 5,4 km do rreth 3 ml për tu përfunduar, sepse është trase e papërfunduar me asfalt. Është segmenti i dytë me 27 km, me një vlerë që varion në 200 ml euro dhe gjithë diskutimi për këtë bëhet. Është segmenti nga Ura e Vashës deri te segmenti Qafë Buall, 10 km që është e papërfunduar. Është segmenti Qafë Buall- Ura e Çerenesit, 16 km, dhe kërkon 2 ml shtesë për tu përfunduar. Dhe ai që ju thashë nga Ura e Çerenecit deri në doganën e Bllatës, rreth 20 ml duhen për ta përfunduar. Pra përveç shumës që kërkon segmenti prej 27 km, është edhe kosto për përfundimin e kësaj rruge, rreth 30 ml euro të tjera. Përsa i takon kohës së nevojshme për realizim e kësaj rruge, ajo është 3 vjet, në të gjitha ofertat që na kanë ardhur. Sigurisht që modeli financiar ka pasur alternimet e tij, e përsëris që kërkon një angazhim përtej mundësive aktuale të buxhetit të vendit, 30-37 ml varionin ofertat e ndryshme, ndërkohë që ju përsëris që paratë në dispozicion për sektorin e rrugëve , janë 3,7 mld lekë. Të gjithë deputetët dhe ministrat dhe qytetarët e zonës janë të interesuar për këtë rrugë, por s”mund të mos kemi ndjeshmëri për mënyrën si shpenzohen paratë publike. Është mirë që ketë çështje mos ta trajtojmë nga këndvështrimi partiak por ta diskutojmë kur flitet për buxhetin, dhe të kemi një qëndrim të përbashkët.
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)