Fjala e plotë e Presidentit Meta gjatë betimit të qeverisë

I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar antarë të Qeverisë,

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve Kushtetuese,

Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të betimit të qeverisë së re të ndaj me të gjithë ju urimin tim të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit.

Shqipëria dhe shqiptarët presin nga Qeveria e re, nga Parlamenti i ri, nga maxhoranca por edhe nga opozita përgjegjësi më të mëdha për të përballuar me sukses sfidat që kemi përpara.

Si President i Republikës dua të theksoj rëndësinë madhore për përshpejtimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, në mënyrë që të krijohen sa më shpejt institucionet e reja të Drejtësisë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe të përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Antarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një aspiratë kombëtare ndaj besoj se Qeveria dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe përmbushjen e gjithë reformave kyçe me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur.

Dua t’ju uroj suksese në veçanti në përmbushjen e të gjitha përgjegjësive që ka Qeveria për përballimin e sfidave që lidhen me forcimin e sigurisë kombëtare, me luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e çdo kërcënimi të jashtëm.

Modernizimi i Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera të sigurisë janë domosdoshmëri që do të rrisin standardet e sigurisë kombëtare e publike por edhe rolin tonë si vend anëtar i NATO-s.

Roli i Shqipërisë është kyç për stabilitetin dhe progresin e gjithë rajonit ndaj besoj se Qeveria do të punojë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit tonë pasi vetëm përmes bashkëpunimit do garantojmë një të ardhme evropiane për të gjithë shqiptarët në rajon dhe popujt e tjerë me të cilët nuk na lidh vetëm gjeografia.

Jam shumë i gëzuar që qeveria e re e ka pagëzuar vitin 2018 si vitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e këtij Institucioni në nismën tuaj.

Heroi ynë kombëtar Skënderbeu është simboli i unitetit dhe fuqisë së kombit që në të gjitha kohërat i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Dhe sot ajo që na duhet më shumë ne shqiptarëve këtu e kudo, është bashkimi dhe bashkëpunimi në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe të kombit tonë.

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të Qeverisë

Edhe një herë suksese në detyrën e rëndësishme për të cilën u betuat sot!

 

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza