Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në ceremoninë e dekorimit të Yuli Yoel Edelstei

“Sot, kam kënaqësinë dhe nderin që në cilësinë e Presidentit të Republikës të vlerësoj një mik të jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, zotin Juli-Joel Edelstein, Kryetar i Parlamentit Izraelit.
 
Zoti Edelstein është nga ato figura që hapësirën zyrtare të funksionit e mbushi me përkushtimin shpirtëror. Është kjo arsye që marrëdhënien midis dy vendeve, dy popujve, dy parlamenteve, ai e ka vendosur jo vetëm në një dimension historik, por edhe në raporte të larta vlerësimi njerëzore siç i takon të jetë miqësia midis popullit izraelit dhe atij shqiptar.
 
Të gjendesh në mes të historisë të dy vendeve të cilat kanë një rrugëtim të mundimshëm në histori siç janë izraelitët dhe shqiptarët do të thotë se kontaktet mes tyre dhe komunikimi kanë nevojë për frymëzimin që buron nga personaliteti i zotit Edelstein.
 
Në gjithë historinë e bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe institucioneve tona askush më shumë se përfaqësia e popullit nuk mund ta tregoj se sa të lidhur janë bashkë dy popujt. Nën këtë kontekst marrëdhëniet midis dy parlamenteve janë emblema e lidhjeve historike dhe shpirtërore midis dy popujve sa të lashtë, aq edhe mbijetues e të pamposhtur nga tallazet dhe padrejtësitë e historisë së vjetër e të re.
 
Prandaj, sot në vlerësimin që Institucioni i Presidentit i bën Kryetarit të Parlamentit izraelit është një shprehje vlerësimi, mirënjohje dhe respekti për kontributin e zotit Edelstein, i cili ka ushqyer në vijimësi marrëdhënien midis dy vendeve e dy popujve tonë.
 
Në kushtet e lirisë dhe demokracisë, të cilat të dy vendet tona kanë akte historike dhe  dramatike, detyra e institucioneve të Shqipërisë dhe të Izraelit është që të lidhen sa më shumë për të realizuar një komunikim më të thellë për të përballuar sfidat e shumta të ditëve të sotme moderne.
 
Në qoftë se ne kemi një referencë historike të qëndrimit të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, ne mund të themi se shteti shqiptar me demokraci e parlament ka qëndruar në krahun e së drejtës të Izraelit në përpjekjet aktuale politike dhe historike. Padyshim që edhe dita e sotme është një shërbesë në frymëzim të një komunikimi më të thellë e me të shpeshtë midis dy parlamenteve, dy vendeve e dy shteteve.
 
Marrëdhëniet e mira Shqipëri-Izrael janë fryt i interesave të përbashkëta kombëtare siç janë lufta kundër terrorizmit dhe paqja në botë. Por, kjo marrëdhënie kaq e frytdhënëse është gjithashtu falë punës të personaliteteve si zoti Edelstein, dhe pikërisht është kjo arsyeja pse sot në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë po e vlerësoj me Dekoratën lartë, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’”.
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Putin: Ukraina do marrë përgjigje të merituar për sulmin në rajonin Kursk