Fjala e plotë e Ramës në Akademinë Politike të PS

Të dashur miq,

Mirësevini dhe mirëse Ju gjej po ashtu.

Jam shumë i mbresuar pozitivisht nga fakti se kaq shumë të reja e të rinj i janë përgjigjur ftesës për aplikim në Akademinë tonë Politike. Kjo mua më tregon se politika s’e ka humbur fuqinë tërheqëse të saj megjithë rolin shkurajues që luan prej vitesh në sytë e shoqërisë;

Megjithë zhgënjimet që ajo ka prodhuar pas ndryshimesh premtuese e premtimesh të pambajtura;

Megjithë baltën e pisllëkun, me të cilën e kanë mbuluar emrin e politikës profesionistët e gënjeshtrës dhe shkelësit e panumërt të etikës që i paraqiten shoqërisë si politikanë.

Fatkeqësisht, politika nuk ka munguar asnjëherë në gjithë këto vite t’ju japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë të të jetuarit në kushtet e botës që lindi nga përmbysja e diktaturës. Unë dua vetëm t’ju them sot se pa ndryshuar politikën asgjë tjetër s’do ndryshojë dot për ju të gjithë në mjedisin tonë përbashkët. Pa ndryshuar politikën, askush prej jush s’mund ta ndryshojë dot realitetin e vështirë dhe shpeshherë të padurueshëm të së përditshmes së vet në universitet, në punë, në lagje, në komunitet, në Shqipërinë ku jetojmë. Pa ndryshuar politikën, gjenerata juaj as mund të jetojë dot nesër në një atdhe më të mirë dhe as mund të gjejë vendin që meriton në bashkësinë e lirë të popujve europianë.

E unë dua t’ju shpreh sot bindjen time se politika nuk është kjo që shihni përditë dhe data – ditës, gjëja pa shije që ju zhgënjen e neverit papushim me shterpësinë e me batakçillëkun e saj. Përkundrazi, politika vetë është në të vërtetë diçka krejt tjetër. Politika në vetvete është fisnike dhe e aftë për të prodhuar transformime që s’do kishin ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit pa fuqinë e saj.

Kam dëgjuar shpesh të rinj që thonë nuk merrem me politikë apo më keq, s’dua t’ia shoh bojën politikës.

Gabim.

Sepse politika ndërkohë merret përditë me ju e me secilin që kujton se i shpëton duke mos u marrë me të. E sa më pak ju të merreni me politikën, aq më shumë do t’i vuani në lëkurë mëkatet e gabimet e saj. Të merresh me politikë, s’do të thotë të braktisësh ëndrrat e tua apo gjërat që dëshiron të bësh në jetë. Jo, do të thotë vetëm që ëndrrave t’u japësh fuqinë mbështetëse të vendimmarrjes duke dhënë kontributin tënd si qytetar, që politika të bëhet e aftë të dëgjojë e të veprojë në funksion të interesave të kombit tënd, të shoqërisë tënde dhe të tuat si individ padyshim.

Të merresh me politikë do të thotë të bësh të mundura, bashkë me të tjerët, gjëra që sot i vetëm askush s’i bën dot të mundura në mjedisin ku jeton. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në familje e në universitet, po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në komunitetin ku jetoni po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura. Për këtë ka lindur politika. Për të bërë të mundura gjëra që të vetëm njerëzit nuk i bëjnë dot. Për t’i bërë ato të mundura për të gjithë dhe për secilin. Të merresh me politikë do të thotë të dëgjohesh. E drejta e fjalës është një liri dhe e drejtë jetike, por është e mangët pa të drejtën për tu dëgjuar. Sepse mund të flasësh e të flasësh po kur askush nuk të dëgjon vetëm dëshpërohesh. Që politika të të dëgjojë nuk mjafton vetëm zëri yt, por duhet një kor i madh zërash që njësoj si ti e kërkojnë dëgjimin e saj.

Të merresh me politikë do të thotë të respektohesh. Të vlerësohesh si qytetar, me liri e të drejta kushtetuese. Si njeri me interesa private, publike e sociale. Si pjesë e një grupi apo e një kategorie shoqërore që kërkon zgjidhje për problemet e veta. Të merresh me politikë do të thotë të kërkosh të shërbehesh denjësisht nga shteti, nga institucionet, nga të zgjedhurit, ashtu siç ti mendon se e meriton.

Të merresh me politikë do të thotë të luftosh bashkë me të tjerët kundër padrejtësive që prekin popullin apo grupin tënd shoqëror, pa pritur që padrejtësia të të godasë ty vetë personalisht. Të merresh me politikë do të thotë të refuzosh gënjeshtrën publike, cinizmin e autoriteteve zyrtare, skarcitetin e shërbimeve shtetërore duke bashkuar zërin tënd të dobët me zërin e të tjerëve që njësoj si ti s’mund të bëjnë asgjë vetë, të veçuar në cepin e heshtjes apo të belbëzimeve të tyre. Të merresh me politikë do të thotë të zgjidhësh problemin e plehrave poshtë shtëpisë. Do të thotë të zgjidhësh problemin e rrugës që të çon në shkollë. Do të thotë të zgjidhësh çdo problem në marrëdhëniet me këdo që përfaqëson shtetin.

Të merresh me politikë do të thotë të kërkosh dhe të marrësh atë që meriton kur të takon, ashtu siç të takon, pa lejuar që ta marrë dikush që nuk i takon. Të merresh me politikë do të thotë të militosh për një shkollim më të mirë. Do të thotë të militosh për punësim në familjen tënde. Do të thotë të militosh për paprekshmërinë e dinjitetit tënd njerëzor dhe personalitetit tënd si individ. Të merresh me politikë do të thotë të mos e pranosh realitetin përreth ashtu siç ta imponojnë, po të kontribuosh për të imponuar me zërin e shumicës ndryshimin që njësoj si ty shumica dëshiron dhe meriton. Të merresh me politikë s’do të thotë medoemos të bëhesh politikan, po të bëhesh një qytetar i dobishëm për vendin e për familjen tënde. Sot dhe nesër. Kjo është të merresh me politikë.

Sepse të merresh me politikë do të thotë të jesh më shumë se sa një njeri i mirë. Të jesh edhe një qytetar i mirë. Ju sot po merreni me politikë dhe kjo është një ditë e shënuar për secilin, sepse po guxoni të përziheni me të. Të kërkoni tek ajo diçka të ndritur, të dobishme, fisnike. Diçka të ndryshme nga politika siç e shihni dhe dëgjoni.

Ju sot po guxoni ta shihni politikën me sytë e shpresave tuaja dhe ta dëgjoni me zemrën e shqetësimeve tuaja. Nuk jeni ju gabim. Nuk jeni ju që duhet të ndryshoni. Është politika siç e shohim dhe e dëgjojmë përditë që duhet të ndryshojë. E vetëm besimi se politika mund të jetë ndryshe mund ta ndryshojë politikën. Ju keni aplikuar për t’u bërë pjesë e kësaj aventure të përbashkët sepse kërkoni të dini më shumë, të këmbeni më shumë informacion për politikën dhe të dilni nga Akademia Politike me një eksperiencë të re. Ju përgëzoj për kurajon. Shpresoj të ndodhë pikërisht siç e prisni. Uroj të jetë kjo eksperiencë një arsye më shumë për të besuar tek shtysa që ju solli këtu. Jo një argument më shumë për të humbur besimin e lëkundur kaq shumë tek politika në përgjithësi.

Akademia jonë Politike është në vitin e saj të dytë dhe këtë vit do të ketë një program më të gjerë si edhe lektorë të huaj bashkë me lektorët tanë. Viti i parë ishte një sprovë e vërtetë. Paraardhësit tuaj mësuan diçka prej nesh. Po edhe ne mësuam jo pak prej tyre. Më shumë se të dyja palët mësuan besoj organizatorët e Akademisë, të cilët për këtë vit kanë bërë një organizim më të mirë. Falë këtij organizimi kam besim se ata që do të përzgjidhen do të përfitojnë më shumë. Por unë dua të them edhe disa fjalë të posaçme për ata që natyrshëm nuk do të përzgjidhen. Sepse 583 aplikantë janë një numër fantastik, të cilin askush se priste, por janë edhe një barrë e madhe për komisionin përzgjedhës. I cili duhet të kualifikojë thuajse më pak se një në njëzet aplikantë.



Dëshiroj t’u them të gjithë atyre që s’do të jetë mundësia t’u jepet e drejta për të hyrë në këtë akademi, se nuk duhet të trishtohen. Politika është edhe kjo. Është garë. Është konkurrencë e forte. Është seleksionim i pamëshirshëm. Kush thyhet nuk çan dot përpara në rrugën për ta bërë politikën art të jetës së vet, mënyrë të jetuari me problemet që politika duhet të zgjidhë, mundësi karriere për të realizuar ambicie krejt legjitime. Ne jemi këtu edhe për ata ndër ju që s’do të hyjnë dot në Akademinë Politike, po tanimë kanë trokitur në derën e shtëpisë sonë të madhe të socialistëve e progresistëve të angazhuar shqiptarë. Dera jonë tanimë është e hapur edhe për ju. Shkolla e politikës është në fund të fundit vetë jeta politike.

Unë ju ftoj të bëheni pjesë e saj dhe atë që nuk do ta merrni dot në Akademinë tonë këtë vit, ta merrni në një rrugëtim që ju ftoj ta bëni bashkë me ne. Për ta njohur politikën nga afër në frontin e vet më të vështirë, që është fronti i angazhimit në vijën e parë, krah për krah me të tjerë, brenda një bashkimi vullnetar që quhet parti politike. Partia Socialiste ka një vend për secilin prej jush. Pa konkurs. Gara fillon kur çohesh nga vendi dhe merr fjalën.

Konkurrenca merr jetë kur falë fjalëve që thua dallohesh e dëgjohesh më shumë. Seleksionimi nis kur mes atyre që dallohen më shumë nis edhe ballafaqimi për të marrë më shumë mbështetje që idetë të bëjnë përpara dhe më të gatshmit të udhëheqin. Me Saimirin kemi diskutuar për një program alternativ mësimi dhe eksperience të drejtpërdrejtë nga jeta reale politike për të gjithë ata që do të mbeten pa u përzgjedhur për mësimet e Akademisë sonë. Ju sugjeroj miqësisht të njiheni me idetë e këtij programi dhe ta zhvillojmë atë bashkërisht, duke dëgjuar edhe idetë, sugjerimet, dëshirat e secilit prej jush.

Shqipërisë i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re. Një politikë e gjallë, njerëzore, jashtë ekraneve të televizioneve për të nxjerrë në dritë Shqipërinë, për të nxjerrë në dritë talentet dhe vlerat e njerëzve të saj kudo që ndodhen pa dallim. Si qytetarë të barabartë të një vendi që sot është i pabarabartë. Gjeneratës suaj i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re për të bërë të mundura gjëra që përndryshe do të mbeten të pamundura në rrugën e tuaj.

Secilit prej jush i duhet sot më shumë se kurrë një politikë e re që asnjëri ndër ju të mos mbetet mbrapa. Askujt ndër ju të mos i mohohet nesër e drejta dhe as merita. Çdonjëri nga ju të fitojë nesër atë që i takon falë dhuntive e punës së tij.

A është e mundur një Shqipëri ku të ndodhë kështu?

Ju siguroj se po nëse askush ndër ju që dëshiron që kështu të ndodhë nuk do të tërhiqet, por do luftojë për ta bërë të mundur që pikërisht kështu të ndodhë.

Po, padyshim po, një Shqipëri e drejtë dhe solidare me ju e me çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi është e mundur. Sepse nuk është e mundur më një Shqipëri ku kush fiton më pak paguan më shumë dhe kush fiton më shumë paguan më pak.

Po, një Shqipëri ku kultivimi i qytetarisë europiane të kalojë përmes një jete normale ekonomike, sociale e kulturore për brezin më të ri është e mundur. Sepse nuk është e mundur më një Shqipëri me 1 milionë të papunë. E zhytur në krim e korrupsion. E gjunjëzuar nga dhuna e injorancës. E trembur nga pasiguria e të nesërmes.

Po, një Shqipëri demokratike që të bazohet në konkurrencën e lirë e të drejtë për të gjithë dhe të respektojë meritën e gjithkujt është e mundur.

Sepse nuk është e mundur më një Shqipëri ku askush nuk e fiton dot një vend pune nëse nuk e ka një lidhje gjaku, tribe apo leku me ata që sundojnë, ndërkohë që askush nuk del dot i lirë as më vete në rrugën e sipërmarrjes pa marrë në sy muret e monopoleve që lartësohen përditë apo postblloqet e klientelave të pushtetit që pushtojnë përditë territoret e iniciativës së lirë. Kjo pamje mund të ndryshojë. Politika mund ta ndryshojë këtë pamje të gjërave. Ju mund ta ndryshoni politikën dhe ta bëni të aftë ta ndryshojë pamjen e vet, e bashkë me të edhe pamjen e gjërave.



Edhe diçka në fund:

Ju e dëgjoni rëndom, përditë, mbase ka edhe ndër ju nga ata që thonë se nuk ia vlen. Të gjithë janë njësoj. Asgjë nuk ndryshon. S’dua t’ju them sot pse nuk janë në fakt të gjithë njësoj. Dua vetëm t’ju them se vizionet nuk janë njësoj, idetë nuk janë njësoj, rrugët nuk janë njësoj. Ju nuk jeni njësoj. Nëse e keni të vështirë të besoni tek ata që ju duken njësoj, besojini njëri-tjetrit. Dhe besoni se edhe njerëzit juve me siguri nuk e kanë të vështirë t’ju besojnë nëse ju e përdorni politikën për t’u dëgjuar prej tyre.

Bëhuni përfaqësues të vizionit tonë të përbashkët progresist. Të ideve tona të ndryshme nga ato të atyre që qeverisin si s’ka më keq Shqipërinë. Të rrugës sonë që padyshim falë jush do të bëhet më e besueshme edhe për shumë të tjerë.

Jini vetja.

Hidhuni në betejë me besimin tek vetja.

Bëjeni veten tuaj një forcë të ndryshimit që meritoni dhe që do ta mbërrini vetëm duke e bërë të ndodhë me forcën tuaj të bashkuar me tonën e të gjithkujt që beson se meriton një vend më të mirë për të jetuar.

Kështu ndryshimi do të vijë me të gjithë fuqinë e vet. Edhe koha e ndërrimit të stafetave do të vijë padyshim. Bëjeni të mundur që ajo t’ju gjejë në vendin e duhur për të realizuar ambiciet tuaja politike.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri