Fjala e plotë e Tahirit gjatë aktivitetit tek Policia Rrugore

Nuk është pa shkak e pa arsye vëmendja jonë e vazhdueshme tek Policia e Shtetit, dhe në mënyrë të posaçme tek Policia Rrugore si trupa që ka më shumë kontakt me qytetarin. E si e tillë ka më shumë nevojë për integritet, për etikë komunikimi me qytetarin, për standarde të punës në saj të përditshme. Sepse është pa asnjë ekzagjerim vitrina e Policisë së Shtetit në raport me qytetarin.

Kur kam marrë detyrën, Policia Rrugore ishte një ndër trupat e perceptuar si më e korruptuara në Policinë e Shtetit. Dhe unë besoj se jo pa shkak. Sepse punonjësit e Policisë ishin braktisur nga eprorët, nga përfaqësuesit politikë në Ministri, vetëm e vetëm për të dëmtuar në themel raportin që Policia si një e tërë kishte me qytetarët, dhe për të cenuar në themel mundësinë që Policia t’u shërbente qytetarëve.

Sot, për të tretin vit radhazi, nga të gjitha studimet Policia është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë. Por kemi ende shumë punë për të bërë në mënyrë që Policia të jetë vërtetë ajo që duam, ajo që presin qytetarët: të jetë “Policia e Gjeneratës Tjetër”. Është kjo arsyeja pse ne kemi besuar vazhdimisht pse nuk mund të bëhet Policia as më e mirë, as më etike, as më korrekte, as më pak e korruptuar nëse Policinë e dikton pushteti politik. E po kështu nuk mund të bëhet Policia nëse punonjësit e saj janë të tradhtuar, të braktisur, të papaguar.

Është kjo arsyeja pse ne e filluam duke rritur pagat për punonjësit e Policisë – dhe veçanërisht për punonjësit e Policisë që janë në rrugë e përballen ditë për ditë me çdo vështirësi, me qytetarin, me ata që deri dje ishin të paprekshëm apo e dinin veten mbi ligjin, me ata që nuk njihnin asnjë kufi në sjelljen e tyre ndaj shtetit e aq më pak ndaj punonjësit të Policisë.

Është kjo arsyeja pse ne investuam në infrastrukturë – veçanërisht në Policinë Rrugore. Është kjo arsyeja pse ne investuam në uniformat, duke e ndryshuar fytyrën e Policisë, duke e bërë më miqësore me qytetarët dhe duke diktuar shërbimin si parimin themelor të punës së punonjësve të Policisë.

Por shqetësimi im është integriteti. Sepse nëse ka një betejë që duhet të fitojmë është pa asnjë diskutim integriteti brenda Policisë. Unë jam i shqetësuar për mënyrën si brenda Policisë luftojmë vazhdimisht për të ndërtuar etikë, korrektesë, shërbim e mbi të gjitha praktika që janë larg korrupsionit. Është kjo arsyeja pse gati 3 mijë kolegë tuaj janë apo kanë qenë nën hetim penal ose disiplinor sepse kanë shkelur ligjin, janë korruptuar, kanë abuzuar me detyrën, sepse nuk u kanë shërbyer qytetarëve siç duhet.

Dhe kjo është kambana më e fortë e alarmit për secilin prej jush, e mjaftueshme për t’ju bërë me dije se ne e kemi shumë seriozisht luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë. Sepse nuk është fushatë. Nuk është çështje e një dite, e një muaji. Nuk është çështje aksioni. Kjo është qasja jonë për ta bërë Policinë më të mirë, më të pastër larg praktikave korruptive, dhe për t’u dhënë dorën të gjithë atyre punonjësve Policie të ndershëm që detyrën e konceptojnë si një mision për t’u shërbyer qytetarëve.

Po nga ana tjetër, jam shumë i shqetësuar për raportin që krijon punonjësi i Policisë me qytetarin. Për fat të keq ka ende punonjëse policie që e përdhosin uniformën, që tallen me detyrën, që sillen në mënyrë jo të duhur. Dhe këta duhet të jenë pa asnjë diskutim edhe objekt i punës tuaj. Sepse unë nuk pranoj dot kurrë se si një punonjës policie i ndershëm mund të bashkëjetoj me një koleg të korruptuar.

Ndaj ju kërkoj ju të bëni gjithçka është e mundur për të përcaktuar këtë standard të detyrës tuaj, ashtu siç kjo është një marrëdhënie që ndërtohet bashkë me qytetarët dita-ditës. Dhe më vjen shumë keq që vetëm gjatë janarit janë arrestuar 39 qytetarë në të gjithë Shqipërinë, sepse kanë tentuar t’i japin para policit.

Unë dua të falenderoj të gjithë ata punonjës policie që kanë arrestuar qytetarët. Më vjen shumë keq se ndoshta nuk kemi bërë aq sa duhet për t’i bindur qytetarët që të mos i japin më ryshfet policit.

Janë 39 qytetarë vetëm në një muaj, vetëm gjatë janarit, që janë arrestuar në të gjithë Shqipërinë se kanë tentuar t’i japin para policit, për t’i bërë bisht ligjit, duke synuar të korruptojnë policin.

Mjafton kjo shifër për të lëshuar një kambanë të fortë alarmi. Dhe unë dua që t’i bëj thirrje qytetarëve: Mos tentoni më t’i jepni para policit!

39 qytetarë të arrestuar gjatë muajit janar janë mjaftueshëm për të kuptuar se është taktikë e ndaluar, e papranueshme dhe nuk duhet të ndodhë më që qytetarët t’i ofrojnë para policit.

Këta 39 qytetarë të arrestuar, vetëm gjatë muajit janar pse kanë tentuar t’i japin ryshfet policit, janë mjaftueshëm për të kuptuar, se janë 39 qytetarë që nesër do të kenë probleme me të ardhmen, në të ardhmen e tyre profesionale, në të ardhmen e tyre personale, minimumi do figurojnë njerëz me precedentë kriminal. Gjë që dëmton jo pak jetën e një njeriu. Por janë mjaftueshëm për t’i kujtuar çdo qytetari se duhet të marrin fund tentativat apo iniciativa e kujtdo që për t’i bërë bisht ligjit mendon se mund ta tejkalojë, duke korruptuar punonjësit e Policisë.

Deri dje qytetari që shkelte ligjin mund t’ia hidhte duke paguar policin. Madje deri dje mund të ishte polici që kërkonte para. Madje deri dje nuk ishin të paktë punonjësit e Policisë që suleshin nëpër rrugë për të fituar para. Sot kjo nuk ndodh. Sot ndodh e kundërta. Sot në qoftë se synon t’i japësh para policit arrestohesh.

Është kjo arsyeja, pse jam këtu sot me ju, për t’ju bërë thirrje dhe njëherë: Që bëni gjithçka është në dorën tuaj, gjithçka keni mësuar në Akademinë e Policisë, gjithçka iu ka mësuar detyra deri më sot dhe gjithçka presin qytetarët prej jush, për të zbatuar ligjin larg çdo praktike të errët të korrupsionit, të favorizimit që i sheh qytetarët si të pabarabartë.

Ne nuk duhet të kemi Shqipërinë ku dikush ia hedh po shkel ligjin. Dhe dikush tjetër, zakonisht më i dobëti ngec. Ne nuk duhet të kemi më praktikën e policit që bën si i fortë me ata që janë të dobët, dhe që sillet si i dobët me ata që janë më të fortë.

Ju duhet të bëni gjithçka për të sanksionuar barazinë para ligjit dhe mbi të gjitha duhet të bëni gjithçka për të garantuar që Policia e Shtetit të jetë pararoja e vërtetë në sjelljen dhe në raportin që krijon me qytetarët. Sot policia është më e besuar, pikërisht për këtë shkak. Është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë falë punës tuaj, falë angazhimit tuaj, vullnetit tuaj, për të bërë atë që deri dje ndoshta nuk e bënit dot, për shkak se eprori nuk ju lejonte. Për shkak se ata që kishin mbi kokë as nuk e konceptonin punën që duhej bërë për ta bërë policinë më të pastër dhe me më shumë integritet.

Ndaj unë dua t’ju falënderoj ju dhe çdo punonjës policie në Republikën e Shqipërisë, është kontributi juaj pse sot policia është një trup shumë më e besuar se deri dje. Dua t’ju nxisë të kuptoni se nuk ka mbaruar, sapo ka filluar beteja jonë, me të gjithë ata që deri dje e quanin veten të paprekshëm. Me të gjitha ata që synon të korruptonin policinë deri dje. Me të gjithë ata që nuk e donin policinë të punonte siç duhet. Dhe mbi të gjitha sapo ka filluar beteja jonë për “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër’’.

39 qytetarë të arrestuar vetëm gjatë janarit se kanë synuar t’i japin ryshfet policisë, janë kambana më e fortë e alarmit, por janë dhe kujtesa më e fortë për cilindo qytetar që përballet me policinë sot, duke i treguar të gjithëve se nuk ka më t’i bësh bisht ligjit duke paguar para. Nuk ka më t’i bësh bisht ligjit duke paguar ryshfet për policin. Janë thirrja më e fortë për këdo që ende nuk e ka besuar sa seriozisht e kemi. Të kuptojë se përballë shkeljes është më mirë të ndjekë rrugën e ligjit se sa t’i japi para policit, përndryshe do të përfundojë i arrestuar. 39 qytetarë të arrestuar vetëm gjatë janarit, se kanë tentuar ti japin ryshfet punonjësit të policisë, janë dëshmia më e madhe e vullnetit tonë, për të ndërtuar një polici që i shërben ligjit, i shërben qytetarit duke vendosur përpara drejtësisë të gjithë ata që shkelin ligjin, pa njohur të pandëshkueshëm dhe mbi të gjitha pa njohur të pabarabartë. Por janë edhe nxitja jonë më e madhe për të çuar përpara përpjekje të shoqërisë tuajën, tonën, të çdo institucioni. Për të bërë një Shqipëri më të drejtë, për të bërë një shtet më të fortë, për të pasur institucione më të forta, që i shërbejnë qytetarit nga njëra anë dhe që garantojnë drejtësi dhe pandëshkueshmëri nga ana tjetër. Kjo është bëtaja jonë. Është beteja jonë me të shkuarën, me trashëgiminë. Me atë që gjetëm dhe kuptohet që mund të ishte fare e thjeshtë. Mund të ishte shumë më e lehtë të bënim atë që bënë edhe të tjerët para nesh. Të rrinim. Të mos bënim asnjë luftë dhe gjërat do ishin siç kanë qenë dhe ndoshta nuk do të kishte asnjë debat, asnjë kritikë.

Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, rrugën e reformave. Për ta kthyer Policinë e Shtetit në një trup me integritet që i shërben qytetarëve. Kjo ka shumë vështirësi, por është rruga e duhur sepse të bëjmë Shqipërinë që duam ka vështirësi, por është sigurisht misioni ynë. Dhe të bëjmë policinë që duam ka akoma më shumë vështirësi, ka akoma më shumë vështirësi, por ne do ja dalim. Falë jush dhe falë qytetarëve që besojnë shumë më shumë sot, te Policia e Shtetit seç besonin disa vite më parë. E ritheksoj dhe më vjen vërtetë keq për 39 qytetarët që vetëm gjatë këtij muaji, vetëm gjatë muajt janar, janë arrestuar se kanë synuar t’i japin ryshfet policisë. Por ndoshta janë kujtesa më e mirë për të gjithë ata të tjerë që nga sot e tutje nuk duhet as ta çojnë në mend që mund t’i japin ryshfet punonjësve të policisë, sepse mund të kenë fatin e atyre 39 që u arrestuan gjatë janarit. Lufta kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha lufta për ta bërë policinë me më shumë integritet është një betejë e përbashkët e qytetarëve dhe e të gjithë punonjësve të policisë që e shohin detyrën e tyre me ndershmëri. Dua t’ju falenderoj për gjithçka që keni bërë. Dua t’ju sigurojë mbështetjen time për gjithçka keni bërë deri më sot. Duke ndarë me ju vetëdijen se gjithçka kemi bërë deri më sot është vetëm shenja më e mirë e suksesit për çdo sfidë që kemi nga sot e tutje. Ndaj jepini forca.


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje