Fjala e plote e Rames per shperblimet e fundvitit

Jam këtu për të informuar lidhur me paketën e solidaritetit të fundvitit, e cila për ne është me një rëndësi të veçantë këtë vit, edhe në funksion të shprehjes së mirënjohjes që edhe njerëzit më në nevojë i kanë dhënë mbështetje reformave dhe në vazhdimësi janë përballur natyrisht më shumë se të tjerët me kostot e tyre.

Është një paketë solidariteti që shkon në të njëjtën linjë me rritjen e konsiderueshme të pagave dhe me një rritje, edhe pse jo të mjaftueshme, por të ndjeshme të pensioneve, duke nisur nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, me vetëdijen që në ndërkohë me patjetër duhet dhe në kushtet kur reformat po japin rezultatet e para, mund të bëhet më shumë se asnjëherë më parë për pensionistët në radhë të parë.

 

Për pensionistët, qeveria do të vërë në dispozicion fondin më të madh në këto 25 vjet në vigjilje të festave, duke i dhënë çdo njërit dhe çdo njërës prej 643 mijë pensionistëve, 60 mijë lekë [të vjetra]. Që është në historikun e kësaj procedure tradicionale edhe shifra më e lartë dhe po ashtu, thuajse e barabartë me shifrën e rritjes së pensionit vitin e ardhshëm. 

 

Së dyti, për herë të parë nuk ka qenë pjesë e këtij momenti të fundvitit, kategoria e personave me aftësi të kufizuar apo e familjeve ndihmë ekonomike. Do të jepet për çdo familje 20 mijë lekë [të vjetra].

 

Nga ana tjetër, për 2498 familje të përmbytura në vite në 8 qarqe dhe 18 bashki do të bëhet dhënia e dëmshpërblimit të plotë; përkatësisht për 594 familje në Tiranë, 513 familje në Fier, 508 në Elbasan, 498 në Durrës, këtu përfshihen edhe familjet e përmbytura së fundmi në zonën e Krujës,  92 familje në Berat, 120 familje në Lezhë, 175 familje në Vlorë dhe 7 familje në Korçë. Shuma që do të vihet në dispozicion, sipas të gjitha akteve të regjistruara në Ministrinë e Brendshme, bazuar në dokumentacionin e përcjellë nga njësitë vendore, do të jetë nga 6.8 milionë lekë [të vjetra] për familje deri në 110 mijë lekë, që do të thotë do të thotë se ka një përshkallëzim sipas dëmeve të konstatuara dhe sipas kërkesave të bëra nga bashkitë. 

 

Dua të theksoj se çdo rast që nuk është i përfshirë në këtë listë është një rast që nuk është në inventarin e Ministrisë së Brendshme për arsye të vonesave, apo të mos përcaktimit sipas ligjit dhe kritereve të dëmshpërblimit nga ana e cilësdo njësi të pushtetit vendor. 

 

Së fundi, duke pasur parasysh dhimbjen e jo pak fermerëve, të cilët sot janë prekur në ekonominë e tyre familjare, për shkak të një epidemie vdekjeprurëse të lopëve, do të vëmë në dispozicion një fond prej 3 milionë dollarësh dhe do të kompensojmë kokë për kokë, çdo lopë të humbur nga veriu në jug.  Është një rast i mirë që këtë fatkeqësi për këto familje ta kthejmë në një avantazh, jo vetëm duke zëvendësuar krerët, por edhe falë bashkëpunimit intensiv në këto ditë dhe në këto orë të Ministrisë të Bujqësisë me disa fondacione të Europës Qendrore, të bëjmë zëvendësimin e krerëve duke rritur cilësinë e tyre, sipas zonave. 

 

Besoj që kjo është një paketë solidariteti kuptimplotë. Dua edhe një herë, pa ju lodhur dhe aq më pak mërzitur, t’ju përcjell të gjithëve vetëdijen time të plotë se pavarësisht se gjithçka po bëjmë, përcakton përmbajtësisht progresin në rrugën e reformave, nuk është mjaft.

 

Nuk diskutohet që për çdo pensionist apo çift pensionistësh, ku secili dhe secila marrin 60 mijë lekë në fund të vitit nuk është pak, krahasuar me kushtet dhe në raport me vitet e shkuara, por patjetër nuk është as aq shumë, sa ne të ndjehemi të kënaqur mesa po bëjmë. Ashtu sikundër nuk është pak, po të kemi parasysh se në asnjë vit në 20 e kusur nuk është dhënë asgjë për familjet me ndihmë ekonomike apo për personat me aftësi të kufizuar, që të jenë pjesë e kësaj pakete, por sigurisht që nuk është aq shumë, sa ne të jemi të kënaqur me këtë.

 

Në ndërkohë, besoj, shlyem një borxh moral dhe financiar të rëndësishëm, duke iu kthyer të gjitha familjeve të përmbytura, - shumë prej të cilave me plot të drejtë mund ta kishin humbur krejtësisht shpresën se një ditë, shteti do të kujtohej për ta, - qindarkë për qindarkë financiarisht dëmin e shkaktuar, në formë e një shpërblimi. E pa diskutim që është mjaftueshëm për të gjithë fermerët, që në një kohë rekord të kenë zëvendësimin kokë për kokë të të gjitha lopëve të humbura për shkak të një epidemie vdekjeprurëse.

 

Thënë të gjitha këto, jam absolutisht besimplotë, duke pasur parasysh zhvillimin gradual dhe të qëndrueshëm të ekonomisë, rritjen graduale dhe të qëndrueshme të ekonomisë që përkthehet edhe në rritje të ardhurash, se viti në vijim do të jetë një vit, pa diskutim, edhe më i mirë dhe se do të ketë edhe më shumë lajme të mira për të gjithë ata që me plot të drejtë presin më shumë rezultate nga reforma të thella, nga reforma të dhimbshme, nga reforma kurajoze që kemi ndërmarrë më në fund, pas një zvarritjeje prej shumë e shumë vitesh.

 

Nuk mbaron këtu i gjithë ky proces dhe ndërkohë jemi duke studiuar dhe shumë shpejt do të bëjmë publik edhe rezultatin e përpjekjes për të vazhduar të shpërblejmë të gjithë ata, të cilët pavarësisht vështirësive i janë bashkuar procesit historik të transformimit të sektorit energjetik, nga një sektor në prag të falimentit, që kërcënonte ta kolapsonte jo vetëm energjitikisht, por edhe financiarisht Shqipërinë, në një sektor ku po shkruhet përditë një histori suksesi dhe siç kemi bërë disa herë në të kaluarën e afërt, do bëjmë përsëri dhe në prag të festave të fund vitit, një tjetër lehtësim të detyrimeve të tyre të prapambetura. Një lehtësim të konsiderueshëm të detyrimeve të tyre të prapambetura, pasi vërejmë me kënaqësi se sjellja e konsumatorit në raport me OSHE-në është në një përmirësim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm dhe këta konsumatorë që falë reformës dhe besimit se më fund, sistemi do të jetë i drejtë dhe i barabartë me të gjithë, janë bërë dhe po kontribuojnë si kontributorë të vetëdijshëm në këtë proces, meritojnë patjetër edhe mirëkuptim përmes lehtësimit të detyrimeve të tyre.

 

Ndërkohë një paketë suplementare po bëhet gati brenda pak ditësh, për të vazhduar procesin e transformimit të fshatit dhe të ekonomisë bujqësore përmes rritjes së kapaciteteve ujitëse dhe kulluese dhe për të stimuluar më tutje këtë ekonomi bujqësore përmes një sërë ndërhyrjesh emergjente, në kuptimin që tanimë janë prioritarë në infrastrukturë rurale në kuadër të Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane, që filloi me sheshet e qyteteve, filloi me akset kryesore të qyteteve, por, siç e kemi thënë  qysh ditën e parë, nuk është një program për fasadë apo për makijazh, siç janë kuturisur rëndom kritikët e programit ta bëjnë, por është një program që do të shtrihet deri në  fshatin më të largët, hap pas hapi.

 

Jemi në kushte mjaftueshmërisht pozitive, për të qenë shumë të inkurajuar dhe besimplotë se progresi që ka nisur, do të vazhdojë dhe do të intensifikohet.

 

Besoj se përpara mbylljes së vitit do të shpallim edhe programim më të madh të investimeve në infrastrukturën rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Por këtë le t’ia lëmë momentit kur do të bëjmë shpalljen dhe jam i bindur që përmes këtij programi të ri do të arrijmë objektivin e kapërcimit të parashikimeve të rritjes ekonomike graduale, sepse do të bëjmë një injektim shumë të konsiderueshëm financiar në ekonominë të vendit.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit