Fjala e Presidentit Nishani ne konferencen e perbashkët me homologen malteze

“Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës !
 
Siç jeni informuar dhe keni ndjekur, sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’i uroj zyrtarisht mirëseardhjen, në një vizitë shtetërore në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Maltës, Ministrave dhe delegacionit që e shoqëron.
 
Pranimi i ftesës dhe vizita e mikes sonë nga Malta, së pari më dha mundësinë e mirë që në emër të të gjithë shqiptarëve dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, të shprehja sot mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vyer që Malta na ka dhënë prej vitesh në rrugëtimin tonë të integrimit evropian.
 
Gjithashtu, përfitova nga rasti t’i uroj Presidentes së Maltës suksese në përgatitjet për marrjen për herë të parë nga Malta, të Presidencës së Bashkimit Evropian, në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm.
 
Bisedat e zhvilluara në këtë kontekst, më mbushën me optimizëm dhe më konfirmuan vijimin e mbështetjes së Maltës për hapjen e bisedimeve të aderimit të vendit tonë në BE, por edhe në përgjithësi për mbajtjen në fokus të Bashkimit Evropian, gjatë presidencës malteze, të procesit të zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
 
Dëshmi e qartë e këtij vullneti, ishte nënshkrimi sot i Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
 
Në mars të këtij viti kremtojmë 43-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Më shumë se katër dekada marrëdhënie shumë të mira e miqësore, por të cilat janë intensifikuar dhe konkretizuar ndjeshëm pas viteve ’90.
 
Me këtë stok të marrëdhënieve dypalëshe, ne patëm mundësinë sot që, në frymë të ngrohtë e miqësore të bisedojmë dhe shkëmbejmë pikëpamje për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh.
 
Një vëmendje shumë të veçantë i kushtuam mundësisë së intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar një shtyllë të rëndësishme në marrëdhëniet tona dypalëshe.
 
Vlerësuam se, përveç vullnetit politik edhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi, i mundëson Qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve tona, që të evidentojnë dhe eksplorojnë më mirë burimet natyrore e njerëzore në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve por edhe të rajonit të Mesdheut, ku bëjmë pjesë.
 
Në këtë kuadër, përshëndeta prezencën e përfaqësuesve të biznesit maltez, në delegacionin e Presidentes Coleiro Preca, si dhe organizimin e Forumit të Përbashkët të Biznesit Shqipëri-Maltë. Të bindur për rolin e rëndësishëm që kanë këto kontakte dhe forume në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, ramë dakord që së bashku me miken malteze të përshëndesim hapjen e këtij forumi sot pasdite dhe shprehim mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit mes sipërmarrësve të dy vendeve tona.
 
E sigurova Presidenten dhe delegacionin e saj se bizneset malteze do të jenë shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe se do të gjejnë mbështetjen e duhur të institucioneve shqiptare.
 
Si dy vende mesdhetare, ndajmë shumë interesa dhe sfida të përbashkëta, të cilat na motivojnë për të bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye një pjesë të mirë të bisedës ia kushtuam zhvillimeve në rajonin e Mesdheut. Vlerësuam në mënyrë të veçantë nevojën e koordinimit dhe bashkëpunimit për të përballuar sfidat dhe kërcënimet që vijnë nga zhvillimet dramatike në shumë vende përreth këtij rajoni, terrorizmi, ekstremizmi, mungesa e sigurisë, emigracioni i paligjshëm dhe fluksi i paprecedent i refugjatëve nga zonat në konflikt, por edhe ndryshimet klimatike.
 
Shpreha solidaritet me vizionin e Maltës për Bashkimin për Mesdheun, si dhe përshëndeta profilin e mirënjohur të politikës së jashtme malteze në inkurajimin e bashkëpunimit për paqe dhe siguri në këtë rajon. Gjithashtu, shpreha gatishmërinë e palës shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me Maltën në kuadrin e partneritetit mesdhetar.
 
 
Duke vlerësuar bashkëpunimin në kuadrin e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, shpreha respektin që Shqipëria, si vend anëtare në NATO, ka për statusin e Maltës në Partneritetin për Paqe të Aleancës, si dhe besimin se Malta ka shumë ekspertizë për të ofruar për vendet e tjera partnere të Aleancës, veçanërisht në të drejtën ndërkombëtare të detit, por jo vetëm.
 
 
Në mbyllje dëshiroj t’i shpreh edhe një herë Presidentes Coleiro Preca, falënderimin për pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërisë, si dhe i uroj, së bashku me Ministrat e nderuar prezent dhe delegacionit që e shoqëron, një vizitë e një qëndrim sa më të këndshëm në Shqipëri.
 
 
Faleminderit për vëmendjen dhe tani më lejoni t’i kaloj fjalën mikes sonë të nderuar Presidentes Coleiro Preca. Zonja Presidente fjala është e Juaja!”
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Zjarri përhapet drejt Athinës, mijëra banorë evakuohen nga banesat