Fjala e Ramës në 1 vjetorin e aksionit për energjinë elektrike

Dua ta nis fjalën sot, me të njëjtën fjali që mbylla fjalën një vit më parë këtu në këtë sallë. Me një thënie të famshme të Richard Fuller i cili thotë: Nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës. Ja ku jemi sot, vetëm një vit më pas, me një arritje që flet vetë. Një arritje që deri një vit më parë pak kush e besonte dhe shumë kush as nuk e imagjinonte.

Sot një vit më pas, kjo arritje është prova se kriza e tmerrshme në të cilën ne e gjetëm sektorin energjetik, ishte pikërisht kriza e injorancës. Kriza e një injorance të thellë politike, institucionale dhe për shkak të politikës dhe të institucioneve të marra peng edhe shoqërore, si injorancë. Një errësirë e plotë ku mbretëronte korrupsioni dhe ideja fatale se energjia vjen nga Zoti, ju takon të gjithëve. Madje ju takon në radhë të parë atyre që kanë kurajën ta vjedhin dhe të mos e paguajnë.

Sot, jemi në një fazë absolutisht tjetër, jo vetëm në sektorin e energjisë, por në vetë jetën e vendit për shkak të kësaj reforme radikale, që na ka dhënë frutet e para. Frutet e para janë rrënjët e shëndetshme mbi të cilat ky sektor do të zhvillohet dhe do të bëhet në një kohë të arsyeshme një burim i madh fitimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Le të kthehemi pak pas, për të kuptuar se sa shumë kemi bërë në një vit, se çfarë ndryshimi transformues kemi siguruar në një vit dhe se pse sot ministri i energjisë që pati rolin kyç në këtë operacion historik reformues dhe transformues është nën sulmin e baltës dhe përditë nën akuzë nga ata që janë përgjegjësit kryesorë të asaj që gjetëm një vit më parë.

Një kompani e marrë fund me 1 miliardë dollarë borxhe të krijuara në vetëm 6 vjet, nga viti 2007 në vitin 2013. 1 miliardë dollarë borxhe. Një kompani, këtu shumë prej jush janë pjesë e saj dhe kanë kujtesë të mjaftueshme për ta mbajtur mend, që në 2007-n e nisi nga e para me të gjithë librat e llogarive të pastruara. E që vetëm nga janari në gusht të 2013-s periudhë e shembjes fatale të shtetit brenda sektorit, akumuloi 270 milionë dollarë borxhe. Ishte koha kur qeveria vendosi ta sulmojë kompaninë me Policinë e Shtetit. Të përzërë privatizuesit e saj dhe të vendosë në krye të kompanisë një militant politik për qëllimet e zgjedhjeve të qershorit 2013, duke hapur në të katër anët, rrugën e abuzimeve dhe të vjedhjeve me shpresën se nga ato rrugë do të vinin dhe votat që mund ta mbanin në këmbë atë qeveri të rrënimit shumë përmasor të Shqipërisë.

Kur ne erdhëm në qeveri kishim përpara një mal me borxhe dhe një hendek për të kapërcyer. Pikërisht hendekun e çelur mes shtetit shqiptar dhe privatizuesve të kompanisë, të cilët e kërcënonin shtetin me një arbitrazh ndërkombëtar që siç e tha i dërguari sot i Komunitetit të Energjisë në Vjenë rrezikonte ta kthente Shqipërinë në shëmbëlltyrën e turpit në sektorin energjetik europian. Turp, sepse pas një privatizimi tërësisht abuziv të nisur të dështuar siç e kemi thënë qysh atëherë, qeveria hyri në një pazar të madh. Për këtë arsye u bë edhe ai privatizim, për një pazar të madh. Kur u prish pazari i madh, bëri gabimin e madh, fajin e madh, mëkatin e madh të ofensivës policore, duke e ekspozuar tërësisht shtetin shqiptar përballë privatizuesve dhe duke e dënuar shtetin shqiptar si palë humbëse në çdo lloj gjykate. Pasi përfytyroni vetëm kaq, që pasi i përzuri privatizuesit me polici nuk mori mundimin të bëjë asnjë copë letër për t’ia kthyer pronën shtetit, por në pronën që me dokumente ishte e privatizuesve vendosi një administrator të vetin. Vetëm kaq do të mjaftonte për të humbur gjyqin, për të paguar një faturë marramendëse që do të kolapsonte përfundimisht kompaninë dhe sektorin energjetik dhe për të turpëruar Shqipërinë si një vend në mes të Europës, ku ndodhin çudira të tilla, - shpronësime policore “de facto”, pa një copë letër.  Ndërkohë për shkak të 720 milionë dollarë borxheve të fshehura, të padeklaruara, të papërfshira në borxhin e shtetit, si llogari të hapura mes qeverisë dhe të tretëve për rrugë, për furnizim me ilaçe, për furnizim me mjete mësimore, ne ishim të detyruar që në radhë të parë të rivendosnim në ekuilibër financat e vendit, përmes një programi të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Gjëja e parë që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në tavolinë si kusht për të çelur një program të ri me Shqipërinë, ka qenë zgjidhja e çështjes me privatizuesit e kompanisë dhe sugjerimi që kjo çështje jo vetëm të zgjidhej sa më shpejt, por të zgjidhej me marrëveshje.

E njëjta gjë me Bankën Botërore. BB refuzonte ashtu si Fondi Monetar Ndërkombëtar të hynte në një marrëveshje të re me qeverinë, prej kohësh, pasi qeveria e mëparshme s’plotësonte dot asnjë nga kushtet për të marrë një mbështetje të re financiare. Kushti i parë ishte reforma në sektorin energjetik. Kushti i dytë ishte reforma e pensioneve. E me radhë pastaj një sërë reformash të tjera. Por dhe me Bankën Botërore ne patëm të njëjtën bisedë; zgjidhje sa më parë e problemit me privatizuesit e kompanisë, pasi rreziku real, jo imagjinar për Shqipërinë ishte në atë moment që të fundosej në një humnerë nga ku do ta kishte absolutisht të stërvështirë të ringrihej.

Ajo marrëveshje që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar për një arsye që ne e dimë fort mirë dhe që unë jam i bindur që koha, jo shumë e largët do ta provojë, që është e shtyrë nga frika legjitime e atyre që duhet të përgjigjen për çfarë i bënë sektorit energjetik dhe aspak nga ndonjë arsye objektive, -në fakt është një marrëveshje e cila u negociua jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, siç negocioheshin pazaret e faktuara me dokumente që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare dhe u negociua në zyrat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, me pjesëmarrjen e 15 personave nga pala shqiptare, dhe me çdo seancë të regjistruar. Pra u negociua me standarde të plota europiane dhe ndërkombëtare.

Ajo marrëveshje hodhi bazën që sot ne të jemi këtu. Parafytyroni sikur sot Shqipëria të vazhdonte të zvarritej në një gjyq të pashpresë, duke paguar sa frëngu pulën, zyra ligjore për një çështje të humbur, dhe ndërkohë kompania të mos kishte as kokë, as këmbë, as duar për të vepruar. Dhe financat e saj të ishin sot në ditën e tyre më të zezë. Skenari do të ishte katastrofik. Po ku jemi sot? Sot mbi bazën e asaj marrëveshje, ne jemi në kushtet kur kemi rivendosur qysh prej kohësh që nuk mbahen më mend ligjshmërinë në marrëdhëniet mes konsumatorit dhe kompanisë. 

Kemi vendosur rendin ligjor ekonomik në një marrëdhënie të shkatërruar prej shumë e shumë vitesh dhe të kthyer në një pazar të madh abuziv, korruptiv dhe elektoral në vitet e qeverisjes se atyre që sot paturpësisht, por kanë të drejtë, që me paturpësinë më të madhe të sulmojnë ministrin e energjisë, të sulmojnë menaxherin e kompanisë, të sulmojnë të gjithë aktorët e këtij transformimi historik sepse e dinë mirë se çfarë mund të nxjerrë për ta rruga e transparencës mbi historikun e atij privatizimi famëkeq, me pasoja aq të rënda për ekonominë shqiptare dhe për çdo familje shqiptare. Sepse sot, familjet shqiptare duhet te ishin përfituese nga fitimet e këtij sektori, ndërkohë që janë ende në fazën që i shlyejnë këtij sektori borxhe. Ashtu sikundër shteti shqiptar është ende në fazën që përballet me një tavan borxhi të kushtëzuar në radhë të parë nga borxhet që janë brenda këtij sektori.

Sidoqoftë ne sot jemi në një situatë tërësisht të re. Jemi në situatën kur mund ta themi se kemi hapur shtegun për të shtruar rrugën e mbajtjes së një zotimi të bërë. Sigurisht ka ende rrugë për të shtruar për ta ulur taksën mbi vlerën e shtuar në energji, për konsumatorët familjarë. Pra për t’ia u kthyer konsumatorëve familjarë të gjithë atë kontribut të madh historik që dhanë dhe po vazhdojnë të japin duke u përfshirë në sistem. Qoftë dhe atyre që e paguajnë energjinë rregullisht , prej vitesh, qoftë atyre që kanë filluar ta paguajnë energjinë rregullisht, pasi kuptuan se koha e qylit, jo për faj të tyre, por për faj të qeverisë dhe të qeverive të mëparshme, mbaroi.

Si  mund të flasin, kur në vetëm një vit, 358.361 konsumatorë familjarë kanë nënshkruar aktmarrëveshje, shumica dërrmuese e tyre për tu futur në sistem. Kush i la këta njerëz jashtë sistemit?! Kush i la këta njerëz me një lak të padukshëm borxhesh, - aty rreth qafës së tyre, - që akumuloheshin muaj pas muajsh?!

Kush jua dha këtyre njerëzve rrugën iluzore të një historie njësoj si historia e piramidave?! “Merrni sa të doni se është lala Gjoni”. Ata që sot akuzojnë janë përgjegjësit. Ne të akuzuarit për një politikë shtrënguese deri në dhimbje, jemi ata që ju kemi falur këtyre nënshkruesve të aktmarrëveshjes 40 milion euro.
Ja u kemi falur fiks 200.654 abonentëve familjarë që kanë përfituar 80 % ulje të kamatës nga nënshkrimi i aktmarrëveshjes. Por 40 milion euro për këtë kompani nuk janë pak. Nuk janë pak as për shtetin shqiptar. Por janë para të merituara jo përmes një amnistie si ato që bëheshin më parë dhe që vetëm zgjeronin gropën e borxheve dhe të vjedhjeve, por përmes  vendosjes së një marrëdhënie të drejtë, transparente mes konsumatorëve dhe kompanisë.
Në vitin 2013 u bënë vetëm 15.523 lidhje të reja. Ndërkohë që deri tani për 2015 janë më shumë se dyfishi, 33.400 lidhje të reja. Lidhjet e reja nuk janë të tilla vetëm për ata që nuk paguanin, por janë lidhje të reja dhe për ata që nuk ishin fare të lidhur me rrjetin e shpërndarjes dhe që ishin lënë tërësisht në mëshirën e fatit.

Shikoni se çfarë thonë shifrat. Shifrat thonë se vetëm në 9 mujorin e parë të këtij viti, ne kemi mbledhur 503 milion dollarë, nga 297 në gjithë vitin 2013.  Kjo do të thotë se kompania nuk është më një kufomë që mbahet gjallë në mënyrë klinike nga injeksionet e  shtetit, por është një organizëm që ka filluar të ripërtërihet. Kjo ripërtëritje financiare është në fakt një ripërtëritje që kthehet në shërbim për konsumatorët Nuk është një qëllim në vetvete.

Janë para, të cilat ju kthehen atyre që duke paguar energjinë investojnë për të pasur një shërbim më të mirë, për të pasur  një sektor energjik më të fuqishëm dhe për të pasur nesër të ardhura direkte nga përfitimet e kësaj pasurie të madhe ndërkombëtare.  70 % më shumë arkëtime në një 9 mujor, krahasuar me një vit. E kjo krahasuar me vitin e tyre më të mirë. Ky vit tregoi se çmimi i energjisë, nuk u rrit, por u ul. E tregojnë faturat që njerëzit kanë në dorë. Gjithë ajo propagandë skandaloze, gjithë ajo baltë e turpshme që u hodh mbi një reformë jetike që është reforma në emër të fëmijëve tanë, u tret në një hiç, pasi helmoi gjakun e një populli të tërë, me muaj të tërë për rritje katastrofike të çmimit.

Një gënjeshtër të cilës i zgjatej bishti çdo ditë. Kompani shpërndarje energjie me 52 % humbje nga vjedhjet, abuzimet dhe nga mungesa e investimeve në vite. Humbjet në 9 mujorin e parë të 2015-s janë 31 % dhe në shtator 25 %. Është një shifër që asnjë nga partnerët tanë ndërkombëtar nuk e pranonte kur ne e parashikonim. Ashtu sikundër, asnjë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, e theksoj edhe i dërguari i Komunitetit të Energjisë, nuk e besonte që në një vit, ne do të ishim këtu.

Reduktimi i humbjeve ka sjellë që në vend se 53 milion euro të shkonin për të importuar energji, të shkojnë për të ripërtërirë rrjetin. Njerëzit me të drejtë ankohen për ndërprerje, për cilësi të ulet të energjisë, luhatje tensioni, etj, por njerëzit duhet ta dinë se ne kemi trashëguar një rrjet që në 80 % të tij është i kohës së elektrifikimit. Kemi trashëguar një rrjet, ku vetëm gjatë këtij viti po investojmë falë kontributeve të tyre më shumë, se në 6 vite të qeverisë së mëparshme të mbledhura së bashku. Ky është vetëm fillimi, që thotë kështu: Nëse në vitin 2012 kompania kishte 379 milion dollarë humbje, - një katastrofë kjo, - këtë vit kompania ka 104 milion dollarë fitim. Ky është një fitim që është investimi i konsumatorëve , i atyre që paguajnë rregullisht për të shlyer borxhe dhe për të investuar në rritjen e cilësisë së rrjetit dhe të furnizimit me energji elektrike, pa harruar këtu 150 milion dollarë të BB për përmirësimin e rrjetit, që ishin të kushtëzuara me këtë reformë.

Pa këtë reformë asnjë qindarkë nuk i vinte këtij vendi për të mbajtur në mënyrë klinike të gjallë kufomën e quajtur CEZ apo OSHEE si të doni.
Dhe kësaj i shtohen edhe 20 milionë eurot e tjera që do të financohen nga Banka Gjermane për Zhvillim.

Ky vit thotë se kemi shlyer falë kësaj politike të re agresive, por të drejtë, 100% borxhet e prapambetura ndaj hidrocentraleve private, atyre hidrocentraleve të së famshmes mini-superfuqi energjetike të paraardhësit tim. - Që nga fjala mini-superfuqi. O je superfuqi, o je mini, se mini-superfuqi çdo me thënë!  Por kjo është histori më vete. - Mini-superfuqia që prodhonte maksi-detyrime.

U garantua po ashtu, që të mos akumulohen më borxhe të reja, por që të paguhet fatura korrente ndaj prodhuesve të energjisë, përmes negocimit kurajoz e të suksesshëm të ministrit të Energjisë, i cili i vuri kufirin kompanive private, që arkitekti i mini-superfuqisë ua kishte lënë fushën e lirë, pa duar, për të gllabëruar sa të mundnin nga parët e shtetit, domethënë të shqiptarëve dhe të atyre shqiptarëve që paguanin, jo të atyre që nuk paguanin.

Ky vit thotë se është realizuar 90% e punimeve për Unazën e Jugut. Për herë të parë, jugu, pas përfundimit të këtij investimi, do të ketë energji përmes një rrjeti që nuk është ai i elektrifikimit të viteve ’70-të.
Po ashtu, ky vit thotë se po arrijmë të kapërcejmë në gjysmën e dytë të punimeve për interkonjeksionin me Kosovën. Një projekt strategjik, i bllokuar për arsye të rëndomta korruptive nga ata që me flamurin kombëtar mbështillnin paratë e ikura në drejtim të paditur, që nga Rruga e Kombit deri te linja e interkonjeksionit dhe që sot u ka mbetur vetëm gishti tregues, për të akuzuar, duke dëshmuar përditë atë shprehjen “bërtet hajduti, kapeni hajdutin”.
Megjithatë ky është vetëm fillimi. Ajo që ne sot shikojmë me shumë më tepër optimizëm dhe me shumë më tepër bindje është ende e gjitha për t’u realizuar në dy drejtime; Njëri është drejtimi strategjik për ta transformuar Shqipërinë në një hub rajonal të energjisë dhe në një lojtar rajonal, falë edhe bashkëveprimit brenda Komunitetit të Energjisë ku sapo mbaruam presidencën e radhës, me një sukses që u garantua edhe nga Procesi i Berlinit.

Drejtimi tjetër është ai praktik, për t’i siguruar klientëve, atyre që paguajnë, një shërbim të denjë. Njerëzit kanë të drejtë të ankohen, kanë të drejtë të vënë kujën, sepse ju ka ardhur shpirti në majë të hundës prej 20 e kusur vitesh, duke paguar e duke mos marrë mbrapsht shërbimin e merituar. Por njerëzit duhet të kuptojnë se për të ndërtuar një shërbim të merituar është një zinxhir i tërë punësh që duhen bërë paraprakisht.

Sot, kompania po investon për shërbimin ndaj klientit. Një akuzë ordinere e kohëve të fundit i është drejtuar kompanisë për godinën e re të saj. Kompania më e madhe shqiptare, - vetëm kaq parafytyroni. Një kompani e shpërndarjes së energjisë që simotrat e veta i ka superfuqi në vendet  tyre, jo minisuperfuqi, që sot e ka selinë e vet të ndarë në dy pallate dhe klientëve u shërben në parkimin nëntokësor të njërit prej pallateve. Për këto zyra dhe pika shërbimi të ashtuquajtura paguan 350 mijë euro qira në vit. Pra, miliona e miliona euro, këta që akuzojnë sot i kanë çuar për qira, duke e mbajtur kompaninë si të ishte kompani bastesh klandestine dhe duke i lënë njerëzit të presin në rrugë, se parkimi nëntokësor është i mbushur me njerëz që shtyhen për të paguar fatura, apo për të marrë shërbimin. Çfarë shërbimi mund të marrin njerëzit e si mundet të pranojmë ta mbajmë kompaninë nëpër parkime e nëpër pallate!

E nuk presim të thonë “bravo ju qoftë që po e bëni këtë gjë”, por si ka mundësi që çojnë gishtin e akuzës! Sepse vazhdojnë të mendojnë se shqiptarët janë një tufë delesh, apo më keq akoma, një tufë mizash që nuk meritojnë të mblidhen mbas mjaltit, por meritojnë të mblidhen mbas të kundërtës së mjaltit. Dhe ata ju ofrojnë pikërisht të kundërtën e mjaltit. Turp!

Godina e re e kompanisë do të jetë një shëmbëlltyrë e respektit tonë për qytetarin dhe e ambicies së kompanisë. E cila sot, mund ta them me plot gojën, që në jo shumë vite më pas do të jetë në gjendje që  jo vetëm të jetë një model suksesi në Shqipëri, por edhe të hyjë dhe në tregun ndërkombëtar, siç hyjnë kompani të tilla të suksesshme në vende të tjera, duke bërë bashkime me kompani simotra dhe duke u bërë aktor në treg. Asgjë nuk e pengon më, sot, që kompania ka shpëtuar nga kthetrat e injorancës. Asgjë nuk na pengon ne si shqiptarë dhe nuk e pengon Shqipërinë, që sot ka dalë prej kthetrave të injorancës qeverisëse, që të synojë të çojë përpara projektin rajonal, që po ecën me hapa të shpejtë, falë situatës së re të paqes në rajon dhe falë ndërveprimit me aktorë të tjerë. Kemi burime energjie komplementare dhe po t’i ndërthurim në një partneritet strategjik me njëri-tjetrin në rajon, të gjithë dalim të fituar.

Këto janë rezultate që flasin vetë dhe fatmirësisht, shqiptarët nuk janë as miza dhe as dele. Janë shumë të vetëdijshëm që kjo qeveri duhet të pastrojë dhe të ndërtojë në të njëjtën kohë. Këto rezultate janë rezultat i të bërit të këtyre dy gjërave në të njëjtën kohë; i një pastrimi të madh edhe brenda kompanisë, nga ku janë ndarë shumë hajdutë, që sot janë aty ku e meritonin prej kohësh, me pjesën e shëndetshme, që sot është një histori suksesi. Dhe u jam mirënjohës të gjithëve ju, këtu në sallë, për këtë histori suksesi që është historia e suksesit të njerëzve të këtij vendi, kur janë të udhëhequr nga një vizion i qartë, nga një lidership kurajoz dhe nga një administrim efikas.
Shumë shpejt, një vit tjetër do na duhet për të ardhur këtu prapë dhe për të folur për çfarë po bën e do bëjë kjo qeveri në luftën kundër informalitetit. E cila përsëri po sulmohet njësoj si kjo; “e kanë me të varfrit, kundër të varfërve, po i mbysin të varfrit, po i shkatërrojnë të varfrit”, pa e bërë pyetjen pse të varfrit janë të varfër në këtë vend dhe si mundet që të mos mbeten të varfër, nëse shkaqet e varfërisë nuk luftohen me vendosmërinë e duhur.

Si mundet një i sëmurë me kancer të çohet në këmbë e të vrapojë, nëse doktori refuzon t’i japë terapinë e duhur, t’i bëjë operacionin e duhur! Gjëra shumë të dhimbshme, gjëra të stërmundimshme, por të vetmet gjëra që mund ta bëjnë njeriun ta mundë kancerin. E ku ka prind që t’i thotë mjekut mos i jep fëmijës ilaçet se janë të hidhura, më mirë pa lër mua se po i jap sheqer me ujë. Sheqer me ujë janë këto muhabete. Ndërkohë, vetëm në shtator është rritur 50% xhiroja e deklaruar e bizneseve të mëdha. Ky prapë është vetëm fillimi.

Të gjithë atyre  që më thonë se u bënë kaq e aq vjet, u kujtoj që janë bërë vetëm dy vjet dhe janë dy vjet në përpjekje për ta arritur më shpejt të ardhmen, duke luftuar përditë për t’u duke u ndarë nga e shkuara. Çdo njëri që i ka thënë një ditë punës mëngjes, e kupton shumë mirë çfarë do të thotë kur gjërat bëhen me punë.
Sot është dita për t’i shprehur respektin më të thellë ministrit të Energjisë për punën që ka bërë. Një punë që do të mbetet e shënuar në gjithë historinë e përpjekjeve shqiptare, pas rënies së komunizmit, për të ndërtuar shtet dhe për të krijuar sektorë funksionalë, prej të cilëve përfiton jo një qeveri, jo një pushtet, por e gjithë shoqëria.
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sabah Bizi u nda nga jeta, presidenti i Vllaznisë: Shembull frymëzimi për brezat