Fjala e z. Bamir Topi në prezantimin e departamenteve te FRD

Gjej rastin të shpreh vlerësimin më të lartë për vizitën historike të Sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton. Vizita dhe sidomos mesazhet e saj konfirmuan lidhjet e forta historike, të sotme dhe të ardhshme midis dy vendeve tona, dhe në veçanti, rëndësinë që SHBA, vendi i lirisë, i kushton nevojës për progres më të madh demokratik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për një proces elektoral përfaqësues dhe të besueshëm dhe për standarde më të larta të demokracisë tonë në drejtim të një demokracie funksionale, të një vendi të denjë kandidat në Bashkimin Evropian. Publikisht në emër të FRD-së dëshiroj të garantoj vullnetin dhe mbështetjen tonë të plotë për mesazhet dhe këshillat amerikane si dhe përkushtimin tonë për përballimin me sukses të të gjitha sfidave të përmendura më lart.
Sot, ne jemi këtu, për të mbajtur premtimin e dhënë për jetësimin e modelit tonë politik si alternativë qytetare, e gatshme të marrë përsipër sfidat e mëdha të mirëqeverisjes së vendit.
Shpesh partitë identifikohen vetëm me siglën dhe emrin e kryetarit, por FRD është sot këtu për të shpalosur publikisht një filozofi tjetër politike, atë të politikës në ekip, të decentralizimit të vendimmarrjes dhe të ftesës për përfshirje politike të kujdo që ka një ide, projekt apo aspiratë në misionin tonë qytetar dhe kombëtar.
FRD u krijua dhe ka hyrë në jetën politike jo si një parti e përkohshme politike me synime afatshkurtra elektorale, por si një parti serioze, me synime afatgjata përfaqësimi, me identitet të qartë politik dhe me pretendime për rol përcaktues në vendimmarrjen politike në vitet dhe dekadat e ardhshme.
Ekipi i FRD-së paraqet një bashkim përvojash dhe personalitetesh politike, bashkim energjish dhe vullnetesh për të çuar përpara mision tonë qytetar në politik. Shumica jonë ka pasur në CV e tij një kontribut disavjeçar në Partinë Demokratike, disa janë themelues të saj, ish deputetë, ish ministra, ish zyrtarë të lartë apo aktivistë të njohur.
Të gjithë ne që kaluam një përvojë të tillë besuam në politikën e moralshme dhe parimet politike që jetësuan pluralizmin politik më 1990. Ne besuam se gabimet politike vijnë nga mungesa e përvojës dhe se PD do të kishte të gjithë mekanizmat e nevojshëm, institucionet e brendshme të fjalës dhe konkurrencës, për të shmangur çdo formë të deformimit në misionin, funksionin dhe aktivitetin e saj politik. Ne refuzuam ofertat për komoditet personal të pushtetit dhe zgjodhëm të përballemi me të, si rruga më e mirë për të respektuar veten, mbështetësit, integritetin dhe bindjet tona politike. Ne praktikisht vendosëm të ndahemi prej saj, jo sot, jo dje, por që ditën që kjo parti pushoi së ekzistuari si forcë politike demokratike, sapo ajo përfundimisht mbylli shtegun e reformimit dhe garës së brendshme, ndryshoi parimet dhe programin themelues dhe vendosi të shndërrohej në një kompani politiko-ekonomike në shërbim të kryetarit dhe klanit të tij politik.
Ndaj për ata që na kujtojnë kohën kur ishim në PD, dëshiroj t’u them: jam dhe jemi krenar për kontributin pozitiv që kemi dhënë në vite në jetën politike, në parlament, në qeverisjen e vendit apo në jetën publike. Ne nuk mund të jemi përgjegjës direkt për keqqeverisjen e vendit, kalimin e PD-së nga një forcë politike demokratike në një sekt ideologjik monotoist, për korrupsionin dhe skandalet që vijojnë të shoqërojnë modelin e sotëm qeverisës, apo për zhgënjimet e thella, - siç ne jemi krenarë se në asnjë rast nuk kemi qenë dhe nuk jemi pjesë e zhvillimeve më negative të tranzicionit, pazareve politike personale, zhvatjes së pronave publike, vrasjen e qytetarëve të pafajshëm, uljen e imazhit ndërkombëtar të vendit apo njësimin e pushtetit partiak me shtetin. Përkundrazi, ne krenohemi se aty ku ishim, në respekt të kushtetutës dhe ligjit, bëmë gjithçka mundëm për të forcuar pavarësinë e institucioneve dhe nxitur frymën demokratike të qeverisjes, për të parandaluar zaptimin e shtetit nga një njeri i vetëm dhe për të dhënë modele të një politike sa më qytetare e evropiane.
Kjo krenari dhe e vertetë e madhe nuk na pengon se sot, ne t’u kërkojmë qytetarëve ndjesë publike që nuk arritëm të bëjmë më shumë në ato vite për parandalimin e të keqes që ka marrë peng politikën, institucionet, ekonominë dhe jetën publike, siç jemi të ndërgjegjshëm se kjo na bën dyfish të angazhuar dhe të vendosur që sot, në kuadër të jetës dhe konkurrencës politike, të punojmë pa u lodhur, me energjitë dhe përvojën e fituar, për të rikthyer vlerat e demokracisë dhe aspiratat, për të cilat hymë në politikë në fillim të viteve 90 dhe që sot janë jetike për bashkimin tonë të vonuar me Evropën.

Të nderuar pjesëmarrës,

FRD vjen në politikë me projektin e saj politik, me programin e saj elektoral dhe me synimin për të përfaqësuar sa më mirë dhe denjësisht të gjitha shtresat, grupet shoqërore, qytetet dhe fshatrat, në përputhje të plotë me identitetin tonë si një parti e qendrës së djathtë.
Mbi këtë bazë, ne duam t’ju prezantojmë sot ekipin ekzekutiv të FRD-së, të përbërë nga 19 departamente, me pjesëmarrje të emrave të njohur të politikës, shkencës, botës akademike dhe jetës publike. Unë mirëkuptoj të gjithë ata miq të çmuar të FRD-së që kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e ekipit drejtues apo që për shkak të klimës komuniste të hakmarrjes së pushtetit ndaj tyre kanë zgjedhur të jenë pjesë jopublike e këtyre departamenteve. Të gjithë ata, ashtu si ne sot, bashkohemi rreth qëllimit fisnik për një politikë të re qytetare, një politikë që tejkalon interesat individuale dhe i bën nder shoqërisë dhe vendit.
Ekspertët e pranishëm në këtë auditor dhe ata që na mbështesin në pamundësi për të qenë të pranishëm përballë syve të pushtetit, janë një pasuri e madhe kombëtare, sepse mbajnë mbi supe një përvojë të gjatë qeverisjeje, investimet e shumëfishta të institucioneve ndërkombëtare për administratën publike dhe jetën politike në Shqipëri, modele jetësore pune në vende të ndryshme të botës dhe diploma të universiteteve që bëjnë krenar çdo shqiptar.
Ata janë vetëm fillimi sepse me ta do të bashkohen disa dhjetra ekspertë të tjetë me angazhim qendror e lokalë, të cilët në koordinim dhe mbi bazën e ideve konkuruese novatore, do të rishkruajnë tërësisht programin e ri elektoral të Frymës së Re Demokratike. Programi ynë nuk do të jetë bashkim nocionesh teorike, por ide dhe projekte konkrete, problematika e angazhime konkrete për zgjidhjen e tyre, për çdo grup, për çdo shtresë, për çdo çështje me interes politik e publik.
Unë do të kem rastin sot t’i prezantoj emër për emër, por përpara se të shkojmë aty, dëshiroj të theksoj disa pika të rëndësishme të aktivitetit dhe strategjisë tonë programore.
FRD dallon shumëfish nga modelet e vjetra politike, të cilët mendojnë sesi të shtyjnë më shumë ditë në pushtet për të përfituar sa më shumë prej tij, sesi të bëjnë pazaret e radhës me votën, partitë politike apo mandatet parlamentare, sesi të bëjnë marrëveshje të fshehta e të hapura me opozitën për jetësimin ose ndarjen e pushtetit, sesi ti shërbejnë më mirë dhe më shumë liderit të tyre shpirtëror, një figurë politike e konsumuar.
Ata nuk kanë program, nuk mbajnë premtime, nuk kanë identitet, nuk mbështesin ata që jetësuan pluralizmin, nuk pranojnë dialog politik dhe nuk respektojnë shtetin dhe institucionet kushtetuese.
Ata nuk e duan integrimin sepse ndjehen të kërcënuar prej standardeve të BE-së, nuk duan zhvillimin ekonomik sepse humbasin monopolet e tyre financiare, nuk duan të përndjekurit politikë sepse kanë frikë hapjen e dosjeve kompromentuese të tyre, nuk duan pronarët sesa ua kanë grabitur pronat, nuk duan intelektualët sepse kanë standarte mediokre të rekrutimeve në administratë dhe vendimmarrje, dhe së fundi, nuk duan as qytetarët, sepse kanë frikë nga vota e tyre direkte kundër sundimtarëve të radhës.
FRD është dhe do të jetë e kundërta e të gjitha këtyre cilësive. Ne nuk kemi asgjë personale me Sali Berishën apo Edi Ramën. Vizioni ynë për shtetin dhe Shqipërinë ndryshon shumë prej tyre; bindja e jonë për politikë qytetare, transparencë dhe moral politik vjen në kundërshtim të plotë me tiparet e tyre politike; synimi ynë për shtet të së drejtës dhe rotacion demokratik pushteti, i kundërvihet nocionit të tyre për shtet partiak dhe qëndrim në pushtet deri në limitet e kohës jetësore.
Ne duam t’ju themi sot njëherë e mirë se, FRD-ja nuk është dhe nuk mund të jetë në aleancë elektorale me asnjërën parti të vjetër politike, duke i konsideruar ato dy anët e të njëjtës mollë të kalbur, përgjegjëse direkte të keqqeverisjes së vendit dhe zhgënjimit masiv të qytetarëve tek sistemi politik. Ne jemi dhe do të jemi në aleancë besnike vetëm me qytetarët, me ata që besojnë si ne, se ky vend mund e duhet të bëhet, se këtu kemi lindur dhe do të rrisim fëmijët tanë, se Evropa nuk arrihet duke emigruar por duke e bërë vendin tonë të denjë për standardet e jetës, shtetit dhe demokracisë evropiane.
FRD është garancia se asnjë parti apo lider politik nuk do të arrijë më të uzurpojë shtetin përmes mekanizmit spekullues të 71 votave, se askush nuk do të arrijë më të tregtojë në burime korruptive sekserësh personale pronat publike e private dhe se shqiptarët nuk do të jenë më të detyruar të zgjedhin midis dy partive të vjetra si e keqja më e madhe dhe e keqja më e vogël.
FRD, në aktivitetin e saj, beson se ato parime të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat u prezantuan dje me dashamirësi dhe sens miqësor nga Sekretaria amerikane e Shtetit Hillari Klinton, janë e mbeten gurëthemeli për Shqipërinë e vitit 2013 e më tej, për një shtet të zhvilluar dhe tërësisht demokratik, siç e deshën, projektuan dhe sakrifikuan për jetë themeluesit e pavarësisë, 100 vjet më parë.
Së fundi, dëshiroj t’ju siguroj se në ditët, javët dhe muajt që vijnë FRD do të trokasë në derën e çdo familje shqiptare për t’i ftuar ata të bëhen pjesë e ndryshimit historik, për t’u prezantuar ide dhe programin tonë politik dhe për t’i nxitur të marrin vetë fatet e tyre në dorë, përmes votes demokratike që sjell ndarje me modelet e vjetra të tranzicionit, rotacion demokratik, ndryshim cilësor dhe garanci për forcimin real të shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale e stabilitetit shoqëror.
Tani, më lejoni që të bëj prezantimin e drejtuesve kryesorë të departamenteve të FRD:

1. Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë do te drejtohet nga znj. Alketa ÇOÇKA MATI.
Znj. ÇOÇKA MATI është diplomuar në Universitetin e Illinoisit në SHBA në Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas disa vitesh aktivitet profesional, humanitar dhe politik në SHBA është rikthyer në Shqipëri me angazhime në fushën akademike.

2. Departamenti i Integrimit Evropian do të drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Mirela BOGDANI
Zonja Bogdani është një emër i njohur në jetën publike dhe botën akademike. Ajo ka kryer studimet master në Universitetin e Oxfordit për “Politika Evropiane”, si dhe në Universitetin e Kardifit, njëkohësishst edhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, për “Politika Publike Evropiane”. Është doktoreshë në shkencat mjekësorë. Zonja Bogdani është lektore në disa universitete evropiane dhe shqiptare, autore e disa botimeve shkencore dhe eksperte nga më të njohurat në fushën e studimeve evropiane.

3. Departamenti i Arsimit dhe Shkencës do të drejtohet nga Prof. Dr. Edmond DRAGOTI.
Profesor Dragoti është një personalitet në jetën publike, psikolog dhe pedagog, autor i shumë teksteve universitare dhe studimeve shkencore. Z. Dragoti ka pervojë të gjatë akademike, por edhe politike dhe eshte një nga ekspertët më të njohur në trajtimin e çështjeve të arsimit dhe shkencës.

4. Departamenti i Shëndetësisë do të drejtohet nga z. Aleksander SALLABANDA.
Zoti Sallabanda është një personalitet i njohur publik, me një CV të pasur profesionale dhe politike. Ai është mjek, ekspert i shëndetit publik, Doktor i shkencave mjekësore. Në karrierën politike janë të njohura angazhimet e tij si Zv/ministër i shendetësisë dhe Ambasador i Shqipërisë në SHBA.

5. Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Medias do të drejtohet nga znj. Edlira Gjoni.
Zonja Gjoni është një analiste e njohur politike dhe pedagoge në universitet. Ka kryer studimet master dhe është doktorante në fushën e komunikimit në Suedi. Zonja Gjoni sjell një eksperiencë dhe përqasje të re në fushën e marrëdhënieve me publikun, ku pjesën qendrore, e zë pikërisht ndërtimi dhe përcjellja e mesazhit politik ne interes te publikut.

6. Departamenti i Politikave të Admministratës Publike, të Decentralizimit dhe Pushtetit Vendor do të drejtohet nga z. Andi SEFERI.
Zoti Seferi është jurist dhe ekonomist, ka kryer studimet master në qeverisje në Universitetin e Palermos, dhe Universitetin Katolik në Perugjia, Itali. Ka një përvojë të gjatë angazhimi në disa organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri e Kosovë dhe në programe trainuese si ekspert i metodave bashkëkohore dhe kooperimit ndërkombëtar.

7. Departamenti i Çështjeve Kushtetuese, Ligjore dhe i Politikave të Institucioneve të Pavarura do të drejtohet nga zonja Edlira Abazi
Zonja Abazi është juriste, specialiste e Shkencave Politike, Master “Për të Drejtën ushtetuese dhe Administrative” dhe për “Marrëdhënie ndërkombëtare”. Ajo ka përvojë të gjatë pune në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucione akademike e universitare, ku është lektore.
8. Departamenti i ish të Përndjekurve Politikë do të drejtohet nga z. Bedri BLLOSHMI një nga emrat simbol të disidencës antikomuniste në Shqipëri.
Zoti Blloshmi është një emër shumë i dashur në publik. Ai në mbrojtje të ideve demokratike kaloi shumë vite burgim politik në regjimin komunist dhe sot në demokraci është një shkrimtar e autor me disa botime me vlerë historike. Zoti Blloshmi është diplomuar në shkencat juridike. Vëllai i Bedriut, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua bashkë me poetin Genci Leka nga regjimi komunist. Familja Blloshmi numëron 12 të pushkatuar nga regjimi komunist.

9. Departamenti i Çështjeve të Pronësisë do drejtohet nga zonja Arjola TOLA (TABAKU).
Zonja Tola është juriste dhe inxhiniere, me studime master në administrim publik dhe me përvojë të gjatë profesionale në çështjet e pasurisë dhe pronësisë në Shqipëri. Aktualisht është eksperte teknike dhe konsulente ligjore në çështjet e pronësisë së paluajtshme.

10. Departamenti i Politikave Ekonomike, Burimeve Natyrore dhe Pasurive Kombëtare do të drejtohet nga z. Alfred CAKO.
Zoti Cako është gjithashtu një figurë e njohur publike, ish deputet në parlament gjatë viteve 2001-2005. Z. Cako ka kryer masterin në administrim biznes në programin e Universitetit të Nebraskës. Ka përvojë të gjatë politike dhe profesionale, është botues i suksesshëm dhe analist politik në media.

11. Departamenti i Politikave Financiare dhe Rregullimit të Tregjeve do të drejtohet nga znj. Gerta GUMENI.
Zonja Gumeni është gjithashtu një emër i njohur i fushës financiare, eksperte ekonomie, diplomuar në Menaxhim Biznes në Universitetin e Torontos, Kanada. Zonja Gumeni ka përvojë të gjatë administrimi dhe drejtimi, duke qënë drejtuese kryesore për disa vite në INSAT, në Drejtorinë e Tatimeve dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht ajo drejton “Qendrën e Zhvillimeve Post Tranzicion”.

12. Departamenti i Marrëdhënieve me Biznesin do të drejtohet nga znj. Mimoza PREKU, specialiste e njohur e biznesit dhe Dhomave të Tregtisë.
Zonja Preku ka kryer studimet master në shkencat administrative dhe ka përvojë të gjatë pune në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Gjatë aktivitetit të saj ka koordinuar projekte të ndryshme në fushën e biznesit, dhe aktualisht është Drejtore e Departamentit të Misioneve të Biznesit dhe Panaireve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

13. Departamenti i Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve do të drejtohet nga Stavri RISTANI.
Inxhinier Ristani ka një përvojë të gjatë akademike dhe profesionale, është Doktor i Shkencave në inxhinierinë e strukturave (Itali), dhe prej 30 vjetësh është lektor në Universitetin e Tiranës. Ka gjithashtu përvojë politike në angazhimet politike si Zv/ministër apo edhe si ekspert direkt i fushës, duke qenë një nga autorët e reformës në sektorin e furnizimit me ujë dhe të shërbimit të kanalizimeve që po implementohet në Shqipëri.

14. Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit do të drejtohet nga Prof. Dr. Aleksander Flloko
Zoti Flloko është biolog i njohur, pedagog prej 30 vitesh në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me përvojë të gjatë profesionale, politike dhe administrative. Zoti Flloko ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në çështje të veçanta të bujqësisë dhe ushqimit, si dhe për pesë vjet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Ai është autor dhe bashkëautor në disa botime, përfshirë studime shkencore brenda e jashtë vendit në fushën e bujqësisë.

15. Departamenti i Politikave të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të drejtohet nga z.Agron XOXA.
Zoti Xoxa është një nga eskpertët më me përvojë në fushën e kulturës, pianist dhe publicist i njohur, me studime pasuniveristare në Gjermani dhe Belgjikë, si dhe me eksperiencë administrative e drejtuese në disa institucione kulturore. Ai ka qenë drejtor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe këshilltar pranë PNUD dhe në Ministrisë së Kulturës. Zoti Xoxa është prej vitesh pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura.

16. Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Shoqërisë Civile do të bashkë-drejtohet nga z.Kliton ZGURI dhe znj. Edlira SEFERI SHETA.
Zoti Zguri është psikolog, ka kryer studimet master për Qeverisje dhe Politika të Zhvillimit të Territorit. Ai ka një eksperiencë të gjatë në rradhët e shoqërisë civile, ku në fokus të këtij aktiviteti kanë qenë gjithmonë çështje me interes dhe ndjeshmëri të lartë për publikun.
Zonja Seferi SHETA ka kryer studimet pasuniversitare në Itali për sipërmarrje, marketing dhe menaxhim në sektorin social – shëndetësor. Ajo është menaxhere në sektorin privat, eksperte në fushën e sipërmarrjes dhe sektorit social, me përvojë të gjatë në OJF humanitare ne Shqipëri dhe Itali.

17. Departamenti i Diasporës dhe Emigracionit do të drejtohet nga z. Lisandër SARAÇI.
Zoti Saraci është matematicient dhe ekspert në financë, me master në Universitetin e Parisit dhe Institutin e Shkencave Financiare dhe Aktuaristike, Francë. Ka një përvojë të gjatë në rrjetin e organizatave shqiptare të emigracionit, në promovimin dhe organizimin e komuniteteve tona në diasporë, si dhe në angazhimin e tij si këshilltar i Presidentit për cështjet e sigurisë kombëtare.

18. Departamenti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare do të drejtohet nga z. Klajdi Mati.
Zoti Mati është ekspert i njohur me përvojë të gjatë profesionale në Shqipëri dhe në SHBA në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Është diplomuar për Drejtësinë Kriminale, dhe ka kualifikime të ndryshme në SHBA. Ai ka gjithashtu përvojë në çështjet e sigurisë edhe në Shqipëri, me angazhimet e tij si drejtues pranë zyrës së delegacioneve të huaja, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë apo Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë ministri.

19. Departamenti i Turizmit do të drejtohet nga z. Fisnik Brovina.
Zoti Brovina ka kryer studime në shkencat ekonomike dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në universitetet shqiptare. Zoti Brovina ka qenë një nga drejtuesit në institucionet përgjegjësise për politikat e turizmit në Shqipëri


Prof. Dr. Bamir TOPI
Fryma e Re Demokratike
(sg/shqiptarja.com)