Fjala në seancën e sotme parlamentare e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla

Në emër të familjarëve të 4 të vrarëve, për të cilët ne ruajmë gjithë respektin dhe për ne janë katër dëshmorë,  mu kërkua që të merrja fjalën në këtë foltore dhe ti kërkoja atij vrasësi që të paktën të heqë dorë nga balta dhe fyerjet. Se jo vetëm ka përgjegjësinë për vrasjet por ka përgjegjësinë edhe për fshehjen e provave. 

Po ju rendis këtu disa prej fakteve që jo vetëm e përfshijnë Sali Berishën si vrasës, por e përfshijnë atë edhe si fshehës provash.

Sa për amanetin e 4 të vrarëve, pjesën e parë të amanetit e kemi kryer më 23 qershor, sepse e nxorëm atë vrasës nga zyra. Pjesën e dytë të amanetit të jeni të sigurtë që do ta kryejmë një për një. Pjesa e dytë e amanetit është që Sali Berisha të shkojë në burg dhe sigurisht që do të shkojë në burg për vrasjet e 21 janarit. 

Kryetari i Partisë Demokratike të Burrelit quhet Alfred Ahmet Ceni dhe ka qenë kryetari i grupit të zjarrit. Por vrasjet kanë këtë hierarki urdhrash. Urdhri është dhënë nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha dhe i është dhënë komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Edhe prokuroria në këtë trajektore ka ecur. Gjyqtarët tuaj e falën Ndrea Prendin. Prokuroria, e kapur prej jush, ende nuk e ka marrë në pyetje Sali Berishën përsa i përket vrasjeve dhe fshehjes së provave.

Meqë përmendët këtu amerikanët, sipas ekspertizës së FBI, serveri i kryeministrisë është fshirë në 01:00 të natës duke u gdhirë 22 janari. Sekretari i Përgjithshëm, Gjergj Lezhja, i urdhëruar nga Sali Berisha, ka fshirë serverat me pamjet e vrasjeve të 21 janarit. Por edhe pamjet brenda kryeministrisë, ku Ndrea Prendi u dhunua në zyrën e Sali Berishës kur u dha urdhri për të qëlluar mbi protestuesit. Qëllimisht një vit më parë përsëri keni vazhduar këtë histori. FBI ka sjellë ekspertizën në Tiranë dhe paraqet si problem faktin që ky server është fshirë natën e 21 janarit, e sigurisht personi që ka dhënë urdhrin për fshirjen e pamjeve të vrasjeve është Sali Berisha.

Më 22 janar Ina Rama i kishte çuar Ministrit të Brendshëm 6 urdhër arreste që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, nga komandanti deri tek qitësi. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, ka refuzuar zbatimin e urdhrave. E në logjikën më infantile të atij që quhej Ministër i Brendshëm, që sot për fat të keq është kryetari i partisë tuaj, i quante urdhrat e Prokurorisë si një psikozë lufte dhe e quante Gardën një repart që duhej të ruante moralin e lartë për të mbrojtur pushtetin e babit të tij politik, Sali Berisha. Sipas kësaj logjike shteti ligjor po ju ngatërrohej nëpër këmbë në luftën e tyre me armiqtë. Kush ishin armiqtë?! Shqiptarët ?! Kanë një gabim të madh shqiptarët, sipas jush, se nuk ju duan. Po c’tju duan ju!

Kryeprokurorja është detyruar në atë kohë që përsëri të kërkojë thirrjen dhe marrjen në pyetje të atyre që kishin qëlluar më 21 janar. Por asgjë përsëri nuk funksionoi. Tensioni u rrit edhe më shumë pas ditëve të 21 janarit, jo më për vrasjet por për faktin që për herë të parë në një vend demokratik nuk zbatoheshin urdhrat e demokracisë. Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor një kryeministër mori përsipër jo vetëm të jepte udhrat për vrasjet, por edhe të mos zbatonte udhrat e kryeprokurores. Duke u vetëshpallur vetagresor, sepse nëse në 21 janar tha se ‘ne i vramë agresorët’, pesë ditë më pas tha ‘i vrava vet për të mbrojtur zyrën’. E tha dhe sot, të zezë mbi të bardhë. Rezistenca e Sali Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi çdo ditë me komunikimin me Prokurorinë. Dëgjoni se ç’thoshte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë: urdhër-arrestet kishin lapsuse të papranueshme. 

Së fundmi, një arsye e madhe pse i duhej të shpikte puçin e shtetit. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në mes të asaj çështje, meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën ti arrestonte 6 të dyshuarit për vrasje dhe meqenëse ne kishim deklaruar që prej ditës së parë se Berisha refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë Sali Berisha bëri listën e puçit të shtetit.  Sipas jush komandantët e puçit ishin edhe 4 gazetarë, ndër të cilët njëri të ka dhuruar dhe një BMW.

Çdo 21 janar është dita ulëritëse që në këtë vend të bëhet drejtësi dhe në këtë 5 vjetor të 21 janarit 2011 një gjë është e sigurt, reforma në drejtësi do të bëhet.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ U ekstraduan nga Dubai, pamjet e Plarent Dervishajt dhe Juljan Meçajt nga ambientet e Policisë në Tiranë