Fjalimi i plotë në Kongres i deputetit të PS, Ben Blushi

Përshëndetje të gjithëve!
 
Kam ardhur në këtë Kongres për të thënë disa gjëra të thjeshta duke besuar se jam i barabartë mes të barabartëve dhe jam një njeri i lirë mes njerëzve të lirë.
 
Ajo që duhet t’ju them është ajo që dimë: Ne jemi të gjithë bashkëpronarë të një prone. Kjo pronë quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe ajo do të mbetet prona jonë e përbashkët deri në fund.
 
Por, si çdo trup, PS ka shqisat e saj, barazia është zemra e saj, bashkimi është muskuli i saj, ecja është e ardhmja e saj, drejtësia është dora e saj, progresi është shikimi i saj, solidariteti është prekja e saj, liria është shpirti i saj.
 
Ne socialistët kemi vetëm një detyrë: t’i mbajmë këto shqisa në harmoni.
 
Duhet të bindim Shqipërinë se Shqiptaria bëhet nga shqiptarët dhe ajo bëhet më e mirë nga socialistët se nga të tjerët.
 
Por si mund ta bëjmë ne këtë?
 
Si mund ta ndryshojmë në vendin tonë?
 
Si mund të bindim mijëra djem dhe vajza se Shqipëria është dhe duhet të jetë një vend që nuk duhet të braktiset?
 
Ka vetëm një mënyrë: duke mos i ikur vetes sonë.
 
Duke mos ia fshehur Partinë Socialistë socialistëve dhe duke mos ia mohuar Partinë Socialiste shqiptarëve.
 
Dhe natyrisht duke mos e rrëmbyer Partinë Socialiste.
 
Në këtë parti ka një shumicë dhe një pakicë.
 
Një shumicë absolute që kërkon një parti të përbashkët dhe një pakicë relative që kërkon një parti më vete dhe për vete.
 
Unë dua të flas sot në emër të kësaj shumice.
 
Kjo shumice mund te jete e heshtur,mund te jete e dhunuar,mund te jete e frenuar por ajo ekziston.
 
Ajo është aty duke pritur të çlirohet. Ajo është një shpirt i zënë rob me kusht dhe një zemër e kapur në një grusht.
 
Ne duhet t’i japim kësaj shumice mundësi të flasë përmes votës.
 
Por të gjithë bashkë, qofshim shumicë apo pakicë një gjë duhet ta kemi të përbashkët: të vërtetën.
 
A jemi ne të barabartë me njëri-tjetrin? A po respektojmë rregullat te cilat i kemi vendosur bashkërisht? A po zbatojmë normat në fuqi? A po bëjmë zgjedhje? A po i japim dikujt apo disave kushdo qofshin ata, me shume pushtet te marre padrejtësisht, pa respektuar votën e lirë të anëtarësisë pra të gjithë bashkëpronarëve të kësaj bashkësie? A janë shkeljet të vërteta? A ka patur shkelje? A janë deformimet të vërteta? A mund të fajësohet dikush që thotë se të gjitha këto kanë ndodhur?
 
Unë mendoj se kjo  po ndodh.
 
E vërteta këtu po mbytet. E drejta e secilit prej nesh po cenohet. Sensi i bashkësisë po dhunohet. Një pakicë po detyron një shumicë ta pranojë atë pa zgjedhje.
 
Një pakice po na dhunon. Një pakicë po kthehet në shumicë pa votim.
 
Një pakice po emëron kryetaret e organizatave. Po emëron Kongresin. Po emëron Asamblenë. Po emëron Kryesinë. Po shfrytëzon qeverinë. Po nxin lirinë. Po ngordh demokracinë.
 
Po merr peng gjithë partinë.
 
Nëse kjo pakicë ka një meritë kjo është merita e saj. Pengmarrja e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
 
Për këtë pakicë, nëse do zgjedhje je armik. Nëse do mbledhje je dy herë armik. Nëse do zgjidhje, je tre here armik. Nëse do më pak borxh, je pak a shumë armik. Nëse do punësim je shumë armik. Nëse do rritje pagash, je me shume se armik. Nese do rritje pensionesh je plotësisht armik. Nëse do pastrim të partisë nga krimi, je armiku i mikut. Nëse do lufte kundër krimit, je miku i armikut.

Nëse i mohon te gjitha këto je mik. Por jo vetëm kaq.
 
Je i vyer, i lyer, i ngjyer, je i shpërblyer dhe i ndërsyer, je besnik.
Je besniku i partisë që shpërblehesh sa herë gënjen.
 
Nëse nuk gënjen nuk je. Nëse gënjen jo vetëm je, por edhe ke.
 
Te jesh apo te kesh, kjo është zgjedhja!
 
Ne Partine Socialiste nuk mund të jesh nëse nuk mund te kesh.
Dhe nuk mund të kesh nëse nuk je njeri prej nesh.
Ky është morali i pakicës. Ky është kriteri, nderi dhe misteri i pakicës së shumicës.
 
Tesera e PS sot nuk është puna, nuk është mendimi, nuk është vendimi, nuk është besimi por është mohimi.
 
Nëse ke pohuar atë që është mohuar, ke fituar.
 
Këto nuk janë rregullat e një partie, por rregullat e një pabesie, të cilën as e kam pranuar dhe as do ta pranoj.
 
Megjithatë injorimi, poshtërimi dhe linçimi që i është bërë Partisë Socialiste nuk ka ardhur nga mungesa e kohës. As nga mungesa e mundësive. As nga mungesa e socialistëve. Por nga arroganca. Nga besimi delirant se votat janë vetëm të një njeriu, ndërsa mbledhja e tyre është e vetmja detyrë e gjithë të tjerëve.
 
Kush na solli ne në këtë deformim? Ky njeri e ka një emër: quhet Edi Rama. Ishte kryetari i partisë sonë. Dhe për këtë shkak, është sot Kryeministër i Shqipërisë. Ditën që ai erdhi në pushtet, Partia Socialiste pushoi së qeni. Edi Rama mori një punë për të lënë partinë pa punë. Kjo është ajo që ka ndodhur në këto tre vjet.
 
Kjo histori qe tregova me lart nuk është një fantazi. Është fakt dhe nuk është opinion. Jam ftuar ditët e fundit në një betejë mes fakteve dhe opinioneve dhe dua të them disa fakte.
 
Qe nuk ka zgjedhje ne PS prej tre vitesh nuk është opinion është fakt.
 
Qe Edi Rama është i vetmi kryetar partie ne bote me mandat shtatëvjeçar nuk është opinion, është fakt.
 
Qe mandati i kryetarit te partisë socialiste është katër vjet nuk është opinion është fakt.
 
Qe Statuti i partisë socialiste është shkelur nuk është opinion është fakt.
 
Qe referendumi nuk behet për persona, por për çështje, nuk është opinion është fakt.
 
Që asnjë ndryshim statutor nuk mund të ketë fuqi prapavepruese nuk është opinion, është fakt.
 
Qe ne Partine Socialiste janë futur njerëz me precedentë penale nuk është opinion është fakt.
 
Qe prej tre vitesh nuk ka asnjë rritje rroge, nuk është opinion është fakt

Qe borxhi është rritur, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe taksat per te pasurit nuk jane rritur, por kane mbetur te sheshta nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe ekonomia nuk eshte rritur me ritmet e pritshme, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe paga minimale ne Shqiperi eshte me e uleta ne rajon, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe arsimi i mesem ne Shqiperi nuk eshte i detyrueshem, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe shëndetësia nuk është falas sic premtuam nuk është opinion eshte fakt.

Qe nuk kemi garantuar naftën pa akcize siç premtuam, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe e blejme naften me shtrenjte se kushdo ne rajon, nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe çmimi i energjisë elektrike është rritur, nuk është opinion është fakt.

Qe ndërtimet janë bllokuar prej tre vitesh, nuk eshte opinion është fakt.

Qe ekonomia është ne deflacion, nuk është opinion është fakt

Qe nuk kemi hapur dot as 100 mije vende pune ne tre vjet, kur premtuam 300 mije nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe emigracioni nuk eshte pakesuar por shte shtuar nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe une nuk jam Saliu, por ne po qeverisim si Saliu pa Saliun nuk eshte opinion eshte fakt.

Qe te gjitha keto kane ndodhur ne tre vjet nuk është opinion eshte historia jone tre vjeçare.
 
Por a doni më fakte?

Unë kam shume me shume se kaq dhe që ju s’keni dëgjuar asgjë akoma nuk është opinion por do jete fakt.

Që unë do luftoj deri ne fund qe Shqipëria dhe Partia mos jene kështu si janë dhe si kanë qenë edhe ky nuk është opinion por do jete fakt.

Dhe qe ne nuk jemi vetëm, ky nuk është opinion por është fakt.

Qe prandaj po  pengohen zgjedhjet sepse ne jemi shume dhe jemi shumice nuk është opinion është fakt.

Dhe nëse doni ta provoni kush është shumice dhe kush është pakice hapni zgjedhjet per te vërtetuar nëse ky është opinion apo është fakt.
 
Prandaj po them sot se çfarë kërkoj dhe jo vetëm ne emrin tim.

Zgjedhje. Zgjedhje te lira dhe vetëm zgjedhje.
 
Asgjë me shume dhe asgjë me pak se sa zgjedhje.
 
Kush ka te drejte te ma mohoje këtë te drejte? Kush ka te drejte ta zhveshe partine nga kjo norme? Asnjë pakicë nuk e ka. As ky Kongres nuk e ka.
 
T’i heqësh të drejtën e votes nje partie është njëlloj si ti heqesh zemren asaj.
 
T’i nxjerresh syte dhe shpirtin t’ia shkelesh me takat e qeverise.
Kjo nuk mund te ndodhe dhe nuk ka për të ndodhur.
 
Çfarë ka këtu për të mos u kuptuar? Çfarë ka këtu për tu refuzuar? Çfarë ka këtu për të patur frikë? Çfarë ka këtu për tu armiqësuar? Çfarë ka ketu për tu ndarë? Çfarë ka këtu për tu sharë? Çfarë ka këtu për tu çmendur dhe për tu hapërdarë si të marrë?
 
Asgjë.
 
Prandaj ju ftoj të gjithëve në zgjedhje.
 
Prandaj them se zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet janë zgjidhja dhe vetëm zgjidhja.
 
Jam i gatshëm të njoh dhe të pranoj çdo zgjidhje që del nga zgjedhjet por nuk do pranoj asnjë zgjidhje pa zgjedhje.
 
Unë e ftoj Edi Ramën në zgjedhje sepse kjo do ishte në nderin e secilit prej nesh dhe në nderin e Partisë Socialiste pa dyshim.
 
 
Në fund, po citoj një shprehje të Churchill, i cili thotë se, ka “njerëz që i ndryshojnë parimet për partinë, por ka edhe njerëz që i ndryshojnë partitë për parimet...”
 
S’dua të bëj pjesë tek asnjëra kategori.
 
Dua të jem pjesë e juaja. Dua tu them se dua të mbetem një nga ju.
 
Shqipëria është më shumë se partia dhe kështu do të jetë gjithmonë.
 
Ju fton në zgjedhje, ta marrim në dorë pronën tonë të përbashkët, PSSH-në.
 
Faleminderit! 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

21 janari/ A e ka dorëzuar Ndrea Prendi, Sali Berishën te prokurorët e SPAK?! Ish-shefi Gardës ka rrëfyer kush dha urdhrin për vrasjet