Fjalimi prekës i Rigertës,deputeti i
LSI:Pse u mallëngjyen oligarkët?

Fjalimi prekës i Rigertës,deputeti i<br />LSI:Pse u mallëngjyen oligarkët?
Reagime të shumta politike kanë ardhur pas fjalimit emocionues të Rigerta Lokut, vajzës me dy diploma në “La Sapienza” të Romës që u bë fermere në Mirditë. Reagimeve iu është shtuar dhe deputeti i LSI, Shezai Rrokaj, i cili shkruan në “Facebook” mbi atë që vetë ai e quan “e vërteta e Rigertës dhe farsa e mallëngjimit kolektiv”.

Përmes ironisë, deputeti i LSI shkruan se Rigerta i mallëngjeu oligarkët parlamentarë qeverisës e sejmenët, pasi sipas tij, shumë prej tyre kanë harruar fshatin dhe rrëfenjëza iu tingëlloi si legjendë.

Më tej, Rrokaj shton se mallëngjimi me rrëfenjëzën e Rigertës forcon bindjen se te populli politikanët vajtën për t’u dëgjuar dhe jo për ta dëgjuar, gjë që sipas deputetit e tregon fare qartë edhe programi qeverisës. 

Postimi i plotë: 
E vërteta e Rigertës dhe farsa e mallëngjimit kolektiv. Një ditë, një zonjë e shkolluar në perëndim, që bashkë me familjen i qe përkushtuar fermës me dhi, ‘zbulon’ para foltores së parlamentit katër elementet e famshme të jetës. Nuk është fjala për teorinë e katër elementeve bazë të gjuhës (sal, ber, yon, rosh), me të cilët Nicholas Yakovlevich Marr-i, u rrek të shpjegonte Kullën e Babelit të gjuhëve të botës, por një e vërtetë me katër fjalë bazë të jetës së fshatit: rrugë, ujë, arsim, shëndetësi. Asokohe hipoteza e Marr-it ngjalli kërshëri në qarqet elitare të kohës. Por kjo e vërtetë e Rigertës përse ngjalli interes në përmallim? Ia vlen të thuhet se mallëngjimi u ndje në mënyra të ndryshme në të paktën dy kategori shoqërore. Së pari, te njerëzit e thjeshtë, u tha troç ajo gjë të cilën ata e prekin çdo ditë, e thonë çdo ditë, por nuk i dëgjon kush. Pra, u pa si triumf i plebeizmit mù në mes të Kuvendit. Ky është realiteti i përditshëm i tyre.

Së dyti, oligarkia parlamentare qeverisëse dhe sejmenët e saj u mallëngjyen, bënë edhe foto, nxitën edhe shkruesit zellmëdhenj me shkrime patetike. Po përse u mallëngjyen, lind pyetja. Ka më shumë se një përgjigje. Shumë syresh e kanë harruar fare fshatin dhe rrëfenjëza u tingëlloi si legjendë. Dikush mendoi dhe jetën e vet dikur, para se të hipte në karrige. Si të thuash u përmallua nga jeta e fëmijnisë. Shumë të tjerë, qeveritarë e besuan sërish atë përrallën e korrik-gushtit se i vetmi koalicion i tyre ishte ai me qytetarët. Ndonjë hipokrit nuk kuptoi gjë fare, por bëri si të tjerët. Si i thonë, kinse u përmallua, se as i hyn fare në punë rrëfenjëza. Ai është aty për hallin e vet. 


Duhet pyetur kryeministri si institucion e shpura e tij, përse u çuditën, u mallëngjyen e ngashëryen. E kuptojnë, para fasadave, se ku janë problemet reale? Cila ishte dëgjesa me popullin? Kush u dëgjua? Ata që bëjnë fresk dhe që përzgjidhen e mësohen si të flasin, para takimeve? Gjatë fushatës u bë gallatë me timon e tepsi, tani gjatë korrik-gushtit e katër vite të mandatit paraardhës, u dëgjua populli, zëri i kësaj zonje të nderuar, apo u shkua te populli për shakanë e radhës. Ky mallëngjim me rrëfenjëzën e Rigertës ma forcon bindjen se te populli vajtët për t’u dëgjuar dhe jo për ta dëgjuar, gjë që e tregon fare qartë edhe programi qeverisës. Nga mallëngjimi sureal me Rigertën u shpërfaq ironia e fatit për një realitet me katër fjalë, si ato fjalë me të cilat Marr-i u rrek të shpjegonte origjinën e gjuhës.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com


  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin