Rikthehet më trendy pas një pauze të gjatë në muzikën shqiptare. Këngëtarja kosovare, Flaka Krelani do të jetë një nga konkurentet e reja të Festivalit të RTSH-së dhe pse jo një nga pretendentet, për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Zëri i veçantë i muzikës rrok, ka preferuar të sjell këtë herë një baladë të punuar nga kompozitori Endri Sina. Ajo na tregon për ëndrrën amerikane, që përjetoi për disa kohë dhe në të njëjtën kohë edhe për projektet e reja muzikore. Një tjetër pasion i rrokeres Flaka Krelani, është edhe fotografia. Ndaj për THASH&THEM, ajo na sjell disa foto të cilat i ka realizuar në New York, nga fotografi Nik Morina.

Riktheheni pas një periudhe të gjatë kohe në skenë dhe pikërisht në festivalin e RTSH-së, si do të vij Flaka në këtë event?

Do të vij me një baladë, për mendimin tim shumë të bukur, diçka komplet ndryshe nga Flaka e dikurshme. Jo sepse dua ta vazhdoj këtë tempo të stilit muzikor, mirëpo ishte momenti i duhur që të kthehem me baladë.

Me kë keni bashkëpunuar për këngën tuaj?

Për këtë këngë kam bashkëpunuar me kompozitorin e mirënjohur Endri Sina, shpresoj shumë që do ju pëlqej (qesh)

Sa ju ka munguar skena?

Phu, mund të them që më shumë kisha qëndruar pa bukë. E kam ndjerë shumë mungesën e skenës, të kënduarit, performancave të mia.... Thjesht e kam oksigjen.

Si ndihet një këngëtar larg saj?

Për mua të paktën nuk është aspak e lehtë. Tre vitet e fundit kam qenë paksa në ankth, kam qenë shumë e angazhuar me universitetin, të cilin më në fund po e përfundoj. Një kohë të madhe mund të them, i’a kam kushtuar provimeve sepse doja të ecja me hapin e duhur, ti përfundoja ashtu siç i ka hije një studentje. Mirëpo në të njëjtën kohë, bëja çmos ta gjeja kohën për të kënduar, ti mbaja mbrëmjet muzikore sepse ndryshe nuk kisha sesi funksionoja, thjesht larg skenës një këngëtare mund të them është si peshku pa ujë.

Jetuat për një kohë të gjatë në SHBA, përse u kthyhet në Kosovë?

Në SHBA qëndrova aq sa e kisha planifikuar. Nuk shkova për të jetuar, e as me mendjen që të mbesë. Doja ta jetoja për një kohë jetën amerikane, meqënëse mu dha mundësia. Po desha mund të shkoj prapë, shpresoj shumë edhe për një vajtje tjetër të gjatë si kjo e fundit .

Çfarë iu tërhoqi në SHBA dhe përse nuk e betë realitet ëndrrën amerikane, për të qëndruar?

Të flas shumë drejtë, sa i përket ëndrrës, ëndrra ime është të jetoj në Londër. Meqënëse Amerikën e pashë nga afër mund të them që po, do kisha jetuar mirëpo për një kohë jo shumë të gjatë. Atje është një jetë shumë dinamike, për mendimin tim atje duhet të jesh “Yll”, që të njeh e gjithë bota dhe kudo që shkon i ke dyert e hapura, ose biznesmen i suksesshëm, personalitet, mirepo bën edhe njeri shumë i thjesht por me lekë shumë, sepse ndryshe, duhet të luftosh për ekzistencë. Nuk është aspak e lehtë të jetosh atje, prandaj nuk është po ashtu aspak e lehtë të rrish e të jetosh atje vetëm pse e ke ëndërr Amerikën ose pse të rrihet atje më shumë se në vendin tënd. Është proçedurë e gjatë që të merr vite, e në fund nuk je i sigurt a do ta arrish standartin për të cilin e ke sakrifikuar vendin tënd. Është fakt që është vendi i mundësive, e sidomos Neë York-u, mirëpo edhe ato mundësi të krijohen nga vet shkathtësia jote. Për atë edhe quhet “ËNDRRA AMERIKANE”, e jo “REALITETI AMERIKAN”, do të thotë gjithë ëndërrojnë, mirëpo realiteti është ndryshe.

Do të largoheni më për një periudhë të gjatë nga skena, sepse keni bere mungesa?

Nuk do të ndodh sipas planeve të cilat unë tashmë i kam, mirëpo përsëri nuk i dihet.

Në fakt keni menduar për një performancë në skenë?

Jo kënga është baladë dhe nuk do ketë nevojë për performance.

Pas festivalit të RTSH-se, ku do ta shohim Flaka Krelanin?

Hm, së pari do diplomohem, pastaj do vazhdoj me projektet e mia muzikore. Nuk po flas se ç’ka, si e tek sepse është herët... mirëpo e di që janë të mira.

Keni në plan për të sjell një album?

Nuk e kam menduar punën e albumit akoma, sepse pirateria na mbyti. Thjesht po mendoj të sjell singëlla në treg, pastaj ndoshta nga ato e realizoj albumin, mirëpo prapë nuk i dihet. Këngëtari duhet ta ketë një album, jam shumë e vetëdijshme sepse e kam çuar gjatë, por të gjithë e dimë arsyen pse albumet nuk qarkullojnë dhe kjo ka qene ngecja e vetme. Nuk kemi treg të tillë që të blihet albumi, ky problem është tashmë një kohe të gjatë, jo vetëm tek ne por në të gjithë botën, edhe pse Amerika po vazhdon të qëndrojë mire sepse atje një album shitet me miliona kopje, kurse këtu tek ne së pari nuk jemi si popull sa ata sa i përket numrit, e lere qe te shitet albumi me miliona. Këtu albumi mund të shitet me qindra ndoshta, mirëpo nëse e mendojmë edhe shpërblimin, do të thotë me një fjalë fitimin e gjithë asaj, nuk e nxjerrim. Sepse të gjithë artistët e mendojnë edhe atë anën tjetër, sa do shes, sa do fitoje me gjithë atë pune etj. Po të bëjmë disa llogaratije matematikore, për mendimin tim dhe gjithmonë po flas në veten e parë dhe në muziken të cilën bëj ( Rock ), unë dal humbas. Jo humbas në kuptimin që humba kohe, sepse me muzikë nuk humbet kohë pasi un në këtë rast pasurohem, mirëpo po flas financiarisht se 'Sa? do shitet ai album, sepse jo të gjithë dëgjojnë rrok, e sidomos mos të flas për këto kohët e fundit, ku muzika ka marr një kthesë pa kthesë.

Do të konkurroni edhe përkrahë emrave të njohur kosovar, si Vesa Luma, Ardian Bujupi, etj, sa i druheni konkurrencës?

Respekt shumë të madh për të gjithe konkurentët në Festival, mirëpo sa i përket druajtjes nuk druhem shumë, sepse të gjithe këngëtaret po marrim pjesë për veten tonë dhe nuk po mundohemi t’ia marrim çmimin nga dora asnjëri tjetrit, kështu që kjo nuk të le vend për druajtje.

Do të dëshironit ta përfaqësonit ju Shqipërinë në Eurovision?

Kush nuk do kishte dëshire ta përfaqesonte Shqipërinë pastaj vetveten me Eurosong?!

Të gjithë po marrim pjesë me shpresën që të jemi pjesë e Eurosongut.

Përveç muzikes duket se pasion keni edhe fotografine...

Jam e çmendur pas fotografisë. Është gjë artistike, që e ka fuqinë e të ndalurit të një kohe të caktuar, që atë kohe apo moment përjetimi, ta kesh kujtim gjithë jetën dhe kur ta shohësh atë foto, ta kujtosh me plot kënaqësi.

Flakë së bashku me këngëtar të tjerë, jeni duke xhiruar edhe një kënge për 100 vjetorin e pavaresisë, e pranove menjëherë ftesën për të qenë pjesë e këtij grupi?

E pranova menjëherë dhe me plot dashuri ftesën, që të jem pjesë e këngës dhe klipit. Jam shqiptare e mëmës Shqipëri - Kosovë dhe çdo iniciativë e tillë që merret, unë do jem me plot kënaqësi pjesë e saj.

Kur do ta shohim klipin e radhës?

Nuk kam ndonjë afat të caktuar

Ndonjë ëndërr e mbetur në sirtar...

Uh sa shumë ëndrra shoh, e aq akoma kam. Shpresoj të realizohen (qesh).

Su/ Shqiptarja.com