Ja çfarë përfiton një kandidat nëse pranon të bëhet deputet pas 'djegies' së opozitës

Ja çfarë përfiton një kandidat nëse pranon të bëhet deputet pas 'djegies' së opozitës

Partia Demokratike dhe LSI, vendosën unanimisht që të nisin procedurat për të djegur mandatet e deputetëve të dalë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Por një listë e gjatë personash të tjerë të vendosur si kandidatë në listat e zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë, mund të jenë në pritje që "fati t'i trokasë në derë".

Sipas ligjit zgjedhor, vendin e deputetit e merr kandidati i radhës në listë. Në rast të refuzimit nga ana e tij, e drejta për tu futur në parlament i kalon kandidatit pasardhës, e kështu me radhë. Duke qenë se është një vendim unanim i opozitës së bashkuar për djegie mandatesh, gjasat janë që kandidatët kryesorë që vijnë në radhët e para në listat e kandidatëve,  të mos pranojnë mandatin. Por megjithatë, mund të ketë surpriza, qoftë edhe i fundit i listës mund të shfaq dëshirën për ta pranuar mandatin. Kujtojmë se në lista, në numrat e fundit të kandidatëve, shpesh nga partitë janë zgjedhur edhe qytetarë të thjeshtë, Ndërsa opozita ka marrë këtë vendim politik drastik, për ndonjë kandidat të mundshëm në lista, ky mund të jetë rasti i shumëpritur për tu bërë deputet. Mbi të gjitha kur përfitimet që merren nga statusi i deputetit janë të shumta, pagë e lartë dhe përfitim pensioni.

Nëse një deputet i ka kaluar dy vite në Kuvend, ai përfiton pension 20 % të pagës, dhe gjysmën e rrogës e fiton për 3 vitet e para. Kujtojmë se paga bazë e deputetit është 150 000 lekë në muaj, përfiton para për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, i paguhet karburanti i makinës si dhe shpenzimet e telefonit, dieta pa fund, fatura hoteli të rimbursuara, mund të kurohen jashtë shtetit me shpenzime të hequra, pasaporta diplomatike e shumë përfitime të tjera.

Ndërsa të gjithë do i dëshironin këto përfitime, shumë deputetë të opozitës aktuale që kanë dhënë dakordësi për t'i djegur mandatet, mund t'i humbin këto përfitime. Ata që janë deputetë në legjislacionin e parë të tyre, nuk i kanë ende as dy vite në detyrë, nga momenti kur janë zgjedhur deputetë në qershor 2017. Që do të thotë se nëse ata i djegin mandatet para qershorit 2019, nuk do të përfitojnë pension as 20 % të pagës, dhe jo më gjysmën e rrogës,  e cila përfitohet pas 3 viteve të para.

Në bazë të ligjit për statusin e deputetit dhe disa vendimeve të posaçme të Kuvendit, deputetët përfitojnë:

Deputeti, kur del në pension, merr pension suplementar plus të zakonshëm, për 2 vitet e para si deputet merr 20 % të pagës, pra 320 mijë lekë. Kush kalon 2 vite si deputet, merr për çdo vit merr 5 % më shumë se sa 20 %. Por, masa e pensionit nuk mund të kalojë gjysmën e pagës që merrte si deputet. Pra, jo më shumë se 800 mijë lekë.

Paga e bazë e deputetit është 150 000 lekë në muaj.

Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet me 2 000 lekë çdo për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm ku bën pjesë.

Deputeti përfiton çdo muaj 35 000 lekë për karburant.  

Deputeti merr çdo muaj 17 000 lekë për shpenzime telefoni.

Deputetët që banojnë në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj. Deputetët që banojnë jashtë rrethit të Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj. Ata përfitojnë deri në 150 000 lekë dieta në muaj, gati sa paga e tyre.

Deputeti përfiton për çdo shërbim 3 000 lekë për çdo natë, për rimbursim të faturës së hotelit, ose 36 000 lekë në muaj për 12 ditë.

Deputetët që banojnë në rrethe, përfitojnë pagesa për qira mujore me vlerën e tregut.

Për sëmundjet gjatë ushtrimit të detyrës, deputeti dërgohet për kurim jashtë shtetit.

Deputetit i njihet e drejta e lejes vjetore të zakonshme jo me pak së 30 ditë.

Deputetët kanë zyrat e tyre pranë selisë së Kuvendit me stafet e tyre ndihmëse

Deputetit dhe bashkëshortes së tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.

Gjatë mandatit 4-vjeçar mund të fusin vetëm një herë sende apo mallra në doganë, pa paguar detyrimet doganore. Në rastin konkret, shumica e deputetëve kanë preferuar të blejnë makina.

Deputeti përfiton falas kopje të Fletoreve Zyrtare, buletine të Kuvendit ose të institucioneve të tjera qendrore, urdhra dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe

urdhëresa, vendime dhe urdhra të organeve të njësive vendore të zonës, ku është zgjedhur.

Deputetit i sigurohet mbrojtje e veçantë nga organet e Ministrisë së Rendit Publik, i ruhet banesa dhe i sigurohet shoqërimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, kur ai i kërkon këto.

Deputeti nuk i nënshtrohet kontrollit doganor. Nuk i nënshtrohen këtij kontrolli në pikat e kontrollit doganor bagazhet dhe kolitë vetjake që vijnë nga jashtë shtetit në emër të deputetit.

Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse.

Deputeti ftohet të marrë pjesë në delegacionet zyrtare, ceremonitë, pritjet dhe veprimtaritë politike, kulturore, shoqërore dhe sportive, sipas protokollit. 

 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • timi: 19/02/2019 18:01

    po u dashka te bejme proteste qe tu hiqet.nje pjese e ketyre benefiteve dhe tu jepen personave me aftesi te kufizuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja