DURRES - Flakët kanë përfshirë katin e 7- të të një pallati në lagjen nr.4 të Durrësit, ku një televizor i vjetër në një apartament të banuar nga një cift të moshuarish ka shkaktuar zjarrin.
Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 23:30, në katin 7-të të një pallati pranë stacionit të trenit.
Shkak është bërë një televizor i vjetër i cili ka nisur të lëshojë shkëndija. Të moshuarit e apartamentit kanë njoftuar pronarin e banesës fillimisht, i cili më pas ka njoftuar zjarrëfikësen e cila ndodhet në një distancë prej 150 metrash në vijë ajrore.
Zjarrëfikësit kanë mbërritur në kohë dhe kanë vënë nën kontroll flakët pa u përhapur më tej në banesë, ku dëme ka pësuar vetëm kuzhina ku ndodhej televizori.
Sakaq përsa i përket zjarrëfikëseve të pyetur për Report Tv, bëjnë me dije se nuk mungon autoshkalla e cila arrin në një lartësi prej 30 metrash, por në rastin në fjalë ndërhyrja është kryer nga shkallët e pallatit, duke njoftuar dhe policinë që të evaluonte banorët në rast se zjarri përhapej më shumë.