VLORE - Bordi i ekipit të futbollit të Flamurtarit ka denoncuar në Prokurori ndeshjen e luajtur ditën e djeshme në kryeqytet përballë Partizanit, pas dyshimeve se ndeshja mund të jetë e trukuar.

Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, bordi drejtues i ekipit vlonjate shprehet se ekzistojnë dyshime se ndeshja e djeshme, e përfunduar 2-1 për të kuqtë e Partizanit, mund të jetë e trukuar nga disa futbollistë. Për të vërtetuar këtë, drejtuesit e klubit shprehen se kanë në dispozicion pamje filmike të cilat do t’i vihen në shërbim organit të akuzës.

Sipas drejtuesve të Flamurtarit, për këtë ndeshje janë vënë në dijeni edhe Komisioni i Etikës si dhe Federata Shqiptare e Futbollit, duke theksuar se asnjë person nuk mund të hedhë baltë mbi emrin e ekipit.

Dyshimet lidhur me një rezultat të paracaktuar të ndeshjes Partizani-Flamurtari  e cila u mbyll me rezultatin 2-1, u ngritën menjëherë nga drejtuesit e ekipit vlonjat ditën e djeshme në përfundim të takimit. Kjo për shkak se pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 për Flamurtarin, por në të dytën sipas drejtuesve dhe tifozëve vlonjate u vu re një lëshim i lojës duke sjellë përmbysjen e e rezultatit dhe dyshimet për trukime.

Kjo nuk është hera e parë që futbolli shqiptar vihet në shënjestër të akuzave të tilla, ku edhe në të kaluarën janë hedhur dyshime për rezultate të paracaktuara dhe marrëveshje mes ekipesh. 

komunikate per shtyp

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)