Flet "Di Caprio i Kosovës": Si ma
besoi regjisori anglez filmin “Shok”

Flet "Di Caprio i Kosovës": Si ma<br />besoi regjisori anglez filmin “Shok”
TIRANE - Jeta e 13-vjeçarit Andi Bajgora ka nisur të ndryshojë që kur filmi kosovar “Shok” u nominua për Oskar. Por atë nuk e sheh “me kokën në re” nga krenaria. I rritur para kohe, duket se ai mban mirë peshën e një përgjegjësie, që vështirë se mbahet lehtë kur je ngjitur aq lart. I ndodhur në Tiranë për një shfaqje të mbyllur të filmit “Shok” në kryeministri, Bajgora kthehet shpejt në personazhin e ditës. Kryeministri shqiptar Edi Rama po pyeste se “Ku është ai djali i vogël që luan në film?”, ndërsa Bajgora u gjend në çast para syve të tij. Rama nuk ia kurseu komplimentet që ishin një dedikim shumë i sinqertë dhe jashtë protokollit. “Ti, tani je Di Caprio i Kosovës”, i tha me humor kryeministri Andi Bajgorës, ndërsa po i vinte në dukje të gjitha cilësitë e mira të aktrimit.

Filmi “Shok”, një realizim i cilësisë së lartë, arrin që edhe kryeministrin ta kthejë në një spektator të thjeshtë. Të gjithë i përulen këtij suksesi të merituar. “Shok” është një film që shihet me dorën në zemër e me lot në sy. Është një shfaqje që s’gjen dot fjalët ta përshkruash për atë bukuri të realizimit, saqë retorikat e befasishme pas shfaqjes “më la pa fjalë”, “më la pa frymë”, etj, duken sikur të bindin. Kineastët e kritikët e kanë thënë fjalën e tyre, kur filmi kosovar “Shok” në mesin e dhjetorit u nominua për çmimin prestigjioz “Oscar”. Me skenar dhe regji të anglezit Jamie Donoughue dhe producentët Eshref Dyrmishi e Harvey Ascott, filmi “Shok” u nominua bashkë me 4 filma të tjerë në edicionin e 88-të të Oscar-it.

Edhe vetë producenti anglez Harvey Ascott mendon se “ka qëlluar në shenjë”, kur e pyet nëse e kishte paramenduar suksesin e një filmi me histori të përsëritur kaq shpesh, siç është lufta e Kosovës. Historia e Kosovës e parë me sytë e fëmijës hyri në derën e Oscar-it. “Pikërisht kështu duhej, vetëm kështu do të dëgjohet nga e gjithë bota zëri i Kosovës”, tha producenti anglez Ascott.  

Ndërsa producenti kosovar Estref Dyrmishi thotë se ka ende në trup shenjën e rrahjes nga shkopi i policëve serb, që kur ishte fëmijë; vetëm e vetëm se në çantë kishte libra shqip. Historinë e tij e luan aktori tjetër 13-vjeçar Lum Veseli. Këto detaje të kombinuara, gjestet e kujdesshme, ngjarjet pikante patën një fuqi artistike, sa zor e arrin edhe një film me metrazh të gjatë me temë luftën e Kosovës. “Shok” është një histori e mbledhur si në një paragraf Bible dhe përjetësohet në sytë e dy fëmijëve Oki dhe Petriti. Okin e luan Andi Bajgora...
 
Andi, ju sapo jeni bërë një personazh në kinematografinë botërore. Si e kujton kontaktin e parë me rolin e Okit te filmi “Shok”?
Ishte diçka interesante kur mu dha roli prej regjisorit prej Londre Jamie Donoughue. Dhe për mua ishte diçka e madhe që m’u besua roli. Më vuri në mendim, por ishte edhe një gëzim që mezi e kam pritur.
 
Ku jetoni aktualisht? Ma përshkruaj pak jetën tënde?
Aktualisht jetoj në Prishtinë. Unë shkoj në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë dhe marr leje nga shkolla vetëm në rastet kur luaj filma. Unë bashkë me Lumin shokun e filmit shkollohemi në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë. Filmin e parë e kam luajtur kur isha 11 vjeç, që është “Hyrja e tretë” me regjisoren Blerta Basholli dhe kam bërë deri tani 11 filma.  Ky nuk është roli im i parë, sepse unë kam luajtur edhe në filma të tjerë në Prishtinë, por Oki te filmi “Shok” mbetet për mua një rol i veçantë dhe një rol që shkon në një film kaq të mirë dhe shumë të rëndësishëm.  
 
Kryministri Edi Rama iu bëri shumë komplimente si aktor dhe me humor ju tha se ju jeni “Leonardo di Caprio” i Kosovës, si u ndjetë nga ky vlerësim?
Sigurisht që ndihem shumë i gëzuar. Unë falënderoj kryeministrin për krahasimin me një emër të madh, por gëzimin më të madh dhe mbresat e paharruara kanë qenë kur shumë kineastë të njohur botërore, kanë dhënë vlerësime  për të gjithë filmin “Shok”, kanë dhënë vlerësime për skenarin, për lojën tonë dhe të aktorëve që luajnë ushtarët serb. Nuk kishte gëzim më të madh kur pas shumë vlerësimeve e nominimeve nga kineastët botërorë edhe në festivalet botërore që u bënë më përpara, filmi shok u nominua për Oscar.
 
Në një film me metrazh të shkurtër ju mbani vërtet peshën më të madhe filmit, si mundët të jeni aq konkret, aq i vërtetë në rol, kur ju vetë jeni në një moshë që nuk i keni jetuar ato ngjarje të luftës në Kosovë?
Unë nuk e kam jetuar vetë luftën, por tregime në familje, në shoqëri janë plot me ngjarje të tilla. Ne jemi të ndikuar nga ato. Por ka qenë edhe ndihma e regjisorëve e producentëve që unë u përgatita të kuptoja dhe të ndjeja një histori sikur të më kishte ndodhur mua. Pasi më thanë skenarin për ta lexuar, unë mendoja se dija mjaftueshëm për rolin, pasi edhe të shtëpisë na kanë treguar shumë rreth ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë. Unë jam i kënaqur se edhe shoku im Lum Veseli e ka bërë rolin e mirë. 
shok

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor