TIRANE- “Përpara 100 vjetësh paraardhësit tanë vepruan,sot ne çfarë bëjmë. Skllav është ai që pret ta çlirojnë të tjerët”. Kjo është thirja që mban vulën e komunitetit qëndror “Vorio Epir 1914”, e shpërndarë në rreth 100 kopje në rrugën e qytetit të Himarës. Fletushkat janë shpërndarë nga 29-vjeçari Filip Dhimojani gjatë orëve të natës së bashku me një person tjetër me inicialet S.Dh, i cili momentalisht është shpallur në kërkim policor nga policia e Vlorës. Gjatë operacionit të bluve të Vlorës, është sekuestruar dhe një automjet tip “Opel Astra” me targa greke “IMB 1263”.

Incidenti i hedhjes së thirjeve antishqiptare në gjuhën greke dhe me foton e kryesisë së fshatit të Himarës 100 vjet më parë, ku kërkohen të drejtat e minoritarëve. Që prej mbrëmjes së djeshme i arrestuari Filip Dhimojani është marrë në pyetje dhe pas kësaj është vendosur që ai të ndiqet penalisht në gjëndje të lirë. Ky nuk është incidenti i parë ku qarqe të caktuara greke, provokojnë me thirje anti-shqiptare, në zonën e Himarës,pasi në shumë raste të tilla në këtë qytet por dhe në zona të tjera të jugut, janë rregjistruar raste të kësa natyre.

Hetimet SHISH
Provokacioni i djeshëm i ndodhur në Himarë, tashmë po hetohet nga prokuroria e Vlorës, për akuzën e “Shpërndarjes së thirjeve dhe shkrimeve antikushtetuse”. Hetime paralele për këtë çështje mësohet se ka nisur dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, për të mësuar se kush nga organizatat Greke që vepron në Shqipëri ka iniciuar, këtë veprimtari anti Shqipare. Strukturat e SHISH në Vlorë, bëjnë të ditur se rasti i djeshëm është një provokim dhe thirje për cënimin e sovranitetit të vendit

. Për pasojë është kërkuar një hetim në mëyrë operative, me qëllim zbulimin e lidhjeve të dy personave Filip Dhimojani dhe shtetasit me inicialet S.Dh që morën përsipër shpërndarjen e fletushkave gjatë orëve të natës në rrugët e Himarës. Dyshimet flasin se akti është kryer nga organizata “KEVA” që njihet ndryshe si Komiteti Qëndror i Vorio-Epirit 1914”.

Kush është Keva?
KEVA është emri i një prej organizatave greke, ndoshta më aktivja dhe me kapacitetet më të mëdha financiare dhe infrastrukturore për atë që në shtetin helen njihet si “Çështja e pazgjidhur e Vorio-Epirit”.
Komiteti është një organizatë që operon prej vitesh në Himarë dhe fshatra e zona të tjera të minoritetit grek. Janë të lidhur me qarqet greke dhe funksionojnë për të ngritur zërin e për të kërkuar të drejtat e minoritarëve. Ata vetëquhen grekë dhe gëzojnë edhe përkrahje nga banorë të Himarës, ku qysh prej 1914 janë përpjekur të marrin autonominë dhe të realizojnë bashkimin me shtetin Grek.Shpërndarja e fletushkave me thirrje antishqiptare është rast i përsëritur.

Komiteti përbëhet nga banorë të Himarës, përfaqësues të kishës ortodokse, quhet “Vorio Epir” dhe e konsiderojnë veten si shtetas nga veriu i Greqisë. Sipas të dhënave, ky komitet u drejtua për shumë vite nga peshkopi Serafin Tikas. KEVA drejton edhe Këshillin e Ndihmës Ekonomike, i cili administron fondet kundër Shqipërisë. KEVA drejton gjithashtu edhe organizatat e tilla si Komiteti Qendror i Rinisë apo Instituti i Kërkimeve Vorio-Epirote me qendër në Janinë. Ndërkohë sipas kësaj organizate më 17 Shkurt 2014 bëhen 100 vjet që Vorio-Epiri ka fituar pavarësinë, të shpallur në 1914.

Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)