Flirtet brenda PD, Basha
i ‘vardiset’ Biberajt e Mustafajt

Flirtet brenda PD,  Basha <br />i ‘vardiset’ Biberajt e Mustafajt
Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, po provokon me takimet dhe afrimet me njerëzit që janë “shpallur” më shumë në linjën e partisë së re që pritet të krijojë presidenti Bamir Topi, pas lënies së mandatit në krye të shtetit. Dy ditë më parë, pikërisht ditën e festimeve të 21 vjetorit të PD, kreu i Bashkisë Lulzim
Basha mori pjesë në inaugurimin e një biblioteke në Universitetin Amerikan të Tiranës. Aty, Lulzim Basha, u takua me ish ministrin e Jashtëm të PD, Besnik Mustafajn, dhe ish deputetin e kësaj force politike Aleksandër Biberajn.

Takimi edhe pse ka qenë publik, nuk ka rënë në sy të gazetarëve. Por pamjet dhe sekuencat fillmike të marra nga ky aktivitet, tregojnë kryetarin e bashkisë që është afruar me Besnik Mustafajn dhe Aleksandër Biberajn. Dy ish funksionarët demokratë, kanë pozicione të rëndësishme në këtë universitet privat. Besnik Mustafaj, merret me marrëdhëniet me Jashtë të universitetit, ndërsa Aleksandër Biberaj, është lektor pranë këtij institucioni.

Kryetari i Bashkisë, siç duket edhe nga fotot që sjell shqiptarja.com, është afruar pranë dy funksionarëve Biberaj dhe Mustafaj. Siç dihet dhe është bërë e qartë, Aleksandër Biberaj do të jetë pjesë e strukturave të partisë së re që do të krijohet nga Presidenti Bamir Topi, kur ai të lërë detyrën ndërkohë që Besnik Mustafaj, në mënyrë publike ka shpallur “mosangazhimin” e tij në politikë për një kohë të gjatë. Ai nuk ka pranuar asnjëherë publikisht se do të jetë pjesë e partisë së re që pritet të krijohet nga Bamir Topi. Madje, në fillim të këtij viti, menjëherë pas zgjedhjeve vendore të majit 2011, Besnik Mustafaj, në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, shpalosi një promemorje, e cila arriti të marrë në këtë këshill veç votën e Gazmend Oketës. Tashmë, Besnik Mustafaj merret vetëm me aktivitete joqeveritare, dhe botime të ndryshme në media. Por afrimi i Lulzim Bashës me dyshen Mustafaj-Biberaj, mund të jetë edhe një shenjë e tij për të zbutur sadopak kundërshtitë brenda kësaj force politike.
Takimin e dy ditëve më parë, për shqiptarja.com, e pranon edhe vetë Aleksandër Biberaj.
Zoti Biberaj, ka pasur ndonjë qëllim takimi juaj dhe i Besnik Mustafajt me Lulzim Bashën, apo u gjendët rastësisht në të njëjtin aktivitet?
Jo, u gjendëm rastësisht. Unë dhe Besniku, jemi të angazhuar në Univeristetin Amerikan të Tiranës. Aty, morëm vesh se do të vinte edhe kryebashkiaku për inaugurimin e Bibliotekës. U takuam aty.
Duke qenë se ju nuk jeni më deputet i PD, dhe Besnik Mustafaj ka dhënë dorëheqjen nga ministër i Jashtëm, a ishte ky një tendencë për afrim nga ana e kryebashkiakut?
Ne nuk folëm për asgjë politike në takimin tonë. Pyetëm për shëndetin e gjithësecilit dhe për familjarët, por asgjë të tillë.
Ka ndonjë afrim në këtë mes?
Jo, jo, ka qenë thjesht një rastësi. Takimi i gjithë ishte në një frymë shumë miqësore.
PRAPASKENAT
Prej kohësh në PD është dukur qartë rivaliteti brenda strukturave të PD. Jo më larg se dy javë më parë, gjatë ceremonive të varrimit për nder të pretendentit për fron Leka Zogu, ka pasur një sherr thuajse publik mes kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Bashës i është kërkuar nga komisioni shtetëror i ngritur posaçërisht për këtë ceremoni të mbante fjalimin. Por kryetarja e Kuvendit, meqënëse ceremonitë po zhvilloheshin në Kuvend kërkoi ta merrte fjalën vetë. "Ik tutje" e "u mbush kupa", ishin shprehje të shqiptuara nga kryetarja e Kuvendit dhe të dëgjuara edhe nga përfaqësuesit e medias në ceremoni. Nga aktiviteti, pati edhe foto, ku dukej qartë zemërimi i numrit dy të Partisë Demokratike.
Ndërsa në festimet e 21 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, kur Berisha u ndje keq duke lënë fjalën përgjysëm, pati një lloj rivaliteti mes Bashës dhe Topallit. Të dy ndoqën kryeministrin gjatë kontrollit mjeksor. Më pas Jozefina Topalli doli në podium duke u komunikuar të pranishmëve se zoti Berisha ishte mirë, dhe duke u uruar atyre "Gëzuar Krishtlindjet". Ecejakja e tyre në shtëpinë e doktorit ishte e përbashkët, dhe thuajse në të njëjtën kohë dolën nga shtëpia. Po ditën e djeshme, ata prapë së bashku shoqëruan kryeministrin në zyrë.
Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online