Flirti i rrezikshëm bërthamor i Gjermanisë

Flirti i rrezikshëm bërthamor i Gjermanisë

Njësoj si në një lojë shahu, ka lëvizje gjeopolitike të cilat mundet ta shtyjnë një vend – në mënyrë të papritur – të zë veten mat. Hapja e një debati mbi armët bërthamore gjermane mund të jetë një lëvizje e tillë. Megjithatë kjo është ekzaktësisht çfarë kanë propozuar disa gjermanë së fundmi. Mbështetësit e një Gjermanie të armatosur me armë bërthamore mendojnë se mbrojtja bërthamore e NATO-s ka humbur të gjithë besueshmërinë për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Ka së paku tri arsye të mira se pse thjeshtë mendimi se Gjermania ka një opsion bërthamor është çmenduri për Gjermaninë. Për fillestarët, Gjermania e ka refuzuar këtë opsion në mënyrë të përsëritur, fillimisht më 1969 duke firmosur (dhe më vonë ratifikuar) Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT sipas akronimeve në anglisht), dhe pastaj më 1990 duke firmosur të ashtuquajturën Traktati Dy Plus Katër, i cili i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë.

Vënia në dyshim e këtyre angazhimeve mund të dëmtojë rëndë reputacionin e Gjermanisë dhe besueshmërinë e saj në të gjithë botën. Gjermania mund të vërë në këtë mënyrë në pikëpyetje besueshmërinë e mbrojtjes bërthamore[i] të NATO-s dhe rrjedhimisht të vetë aleancës, bashkë me të gjithë regjimin e mospërhapjes së armëve bërthamore.

Ia vlen të rikujtojmë se që nga krijimi i saj më 1949, NATO ka qenë një nga instrumentet më të suksesshme të botës për parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. As një vend i vetëm anëtar i NATO-s, me përjashtim të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës – nuk e ka parë të nevojshme të blejë armë bërthamore për veten.

Nëse Gjermania thyen tani statusin e saj si fuqi jo-bërthamore, çfarë do ta pengojë Turqinë ose Poloninë mes shumë të tjerëve që të pasojë në këtë rrugë? Gjermania si varrmihës i regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë – kush mund ta dëshirojë diçka të tillë?

E dyta, bomba atomike gjermane mund të dëmtojë mjedisin strategjik në Europë – dhe në dizavantazh të vetë Gjermanisë. Rusia mund të interprerojë hapat gjermanë drejt një arsenali bërthamor si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vet kombëtare dhe ka gjasa do të miratojë kundërmasa ushtarake. Kjo, nga ana e vet mund ta bëjë edhe më të vështirë ndjekjen e një vizioni për një rend pan-Europian të paqes dhe sigurisë, një objektiv thembësor në politikën e jashtme të të gjitha qeverive gjermane që nga koha e Konrad Adenauerit. Për më tepër, një ambicie bërthamore gjermane mund të vë në rrezik balancën delikate të pushtetut në Europë – përfshirë atë mes Gjermanisë dhe Francës, për shembull – me pasoja të pallogaritshme për kohezionin afatgjatë të Bashkimit Europian.

Në fund, nuk është e vështirë të parashikohet se kërkimi i armëve bërthamore do të sjellë kundërshti të fortë publike, veçanërisht për shkak se një lëvizje e tillë do të jetë një kthim i plotë kursi nga qeveria e kancelares Angela Merkel, e cila, vetëm pak vite më parë, eci drejt heqjes dorë tërësisht nga energjia bërthamore në një të ardhme të afërt. Është e vështirë të imagjinohet një fiasko më e madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë se sa propozimi i një strategjie bërthamore dhe më pas, dështimi në marrjen e miratimit parlamentar.

Ka mënyra më të mençura afatgjata për të fuqizuar mbrojtjen bërthamore të Europës se sa krijimi i një arsenali bërthamor gjerman. Për shembull, Franca mund të jetë e gatshme të pranojë të mendojë luajtjen e një roli të zgjeruar në mbrojtjen bërthamore, krahas roleve të luajtura nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar brenda NATO-s. Ndërsa kjo mund të kërkojë një riorientim themelor dhe Europianizim të strategjisë bërthamore të Francës, Gjermania dhe partnerët e tjerë Europianë mund të ofrojnë kontribute financiare për një iniciativë të tillë në kontekstin e një bashkimi të mbrojtjes së Europës me një komponent bërthamor. Por këto janë, në rastin më të mirë, opsione afatgjata.

Shkurt, nuk ka rëndësi se çfarë thotë Trump, Gjermania do të vijojë të mbetet e varur nga mburoja bërthamore amerikane për të ardhmen.

Mënyra më e mirë për të ruajtur besueshmërinë e NATO-s dhe për t’u marrë seriozisht nga SHBA është që të punohet seriozisht drejt objektivit të NATO-s për shpenzime mbrojtjeje në masën 2% të PBB-së dhe për të investuar më shumë në kapacitete ushtarake konvencionale. Kjo, jo për të plotësuar kërkesat e SHBA-së, por për të mbrojtur interesat tona të sigurisë dhe mbrojtjes. Por nuk bëhet fjalë vetëm për të shpenzuar më shumë para; duhet gjithashtu që paratë të shpenzohen në mënyrë më inteligjente, veçanërisht përmes bashkimit dhe ndarjes së kapaciteteve, si dhe nga prokurimet sistematike të përbashkëta me Francën dhe partnerët e tjerë Europianë, përfshirë përmes Fondit të Mbrojtjes së BE-së të themeluar së fundmi.

Asgjë e tillë nuk do të funksionojë në rast se Gjermania nuk do të fillojë të përkufizojë një strategji ushtarake, të sigurisë dhe të mbrojtjes si një prioritet i lartë politik. Vetëm pas kësaj Bundestagu do të jetë në gjendje t’i japë Bundeswehr – institucionit që shpesh konsiderohet si “ushtri parlamentare” – atë që ka nevojë për të bërë punën e vet. Alternativa – mendimi për zhvillimin e armëve bërthamore – do të jetë një lëvizje që sjell humbjen e lojës.

Project Syndicate

[i] Nuclear Deterrence është një koncept që nënkupton armatosjen bërthamore si masë diskurajuese për një sulm konvencional ose bërthamor nga një armik. Deterrence nuk ka një ekuivalent të saktë në gjuhën shqipe.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës

Albcontrol 39,7 milionë lekë për pajisjet e Kullës së Kontrollit në Aeroportin e Vlorës