Florian Mumajesi: Elvana për mua e pazëvendësueshme

Florian Mumajesi: Elvana për mua e pazëvendësueshme
“Afër dhe Larg”, një nga videoklipet më të suksesshme të verë 2011 që këndohet nga këngëtarja e mirënjohur shqiptare Elvana Gjata dhe që mban vulën e kompozitorit, Florian Mumajesi, është nominuar si një ndër 5 videoklipet më të mira të Ballkanit. Për herë të parë një këngëtare shqiptare do të konkurrojë përkrahë emrave më të njohur të muzikës Ballkanike, në eventin që do të mbahet në 16 qershor Balkan Music Award. “1.000.000 nga Alexandra Stan feat.Carlprit, Afër Dhe Larg Elvana Gjata, Grad Bez Ljudi Severina, Metak Sa Posvetom Lepa Brena dhe Fly to stay alive Slaveya Nedelcheva Manga”, janë 5 klipet konkurrese të përzgjedhura nga juria profesioniste e këtij eventi. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM, kompozitori i këngës Flori Mumajesi, shprehet se ndihet shumë i kënaqur për këtë arritje të tyre. “Jam shumë i lumtur që një këngëtare shqiptare do të marr pjesë për herë të parë në një event të tillë dhe që puna, mundi dhe përkushtimi ynë gjatë gjithë këtyre viteve po vlerësohet tashmë edhe në Ballkan”, thotë Mumajesi. Duke u ndalur te klipi Mumajesi pohon se , ai është kuruar mirë në çdo detajë të tij, por nuk heziton të thotë se të gjithë klipet e nominuara janë shumë të bukur. I pyetur nëse do të dëshironin të triumfonin në këtë kompeticion ballkanik, kantautori Florian Mumajesi thotë se më e rëndësishme është pjesëmarrja. “Është hera e parë për muzikën dhe videoproduksionin shqiptar që ndodh të vlerësohet kaq shumë dhe sigurisht që nga ky moment kemi bërë një hap përpara për ndryshimin e standarteve”, thotë ai. Mumajesi hedh poshtë gjithashtu edhe thashethemet që kanë qarkulluar kohët e fundit në media, për zëvendësimin e Elvana Gjatës me këngëtaren kosovare Nora Estrefi, duke pohuar se,” Elvana nuk zëvendesohet”.

Klipi “Afër dhe Larg” i këngëtares Elvana Gjata është nominuar si klipi më i mirë në Ballkan, çfarë do të thotë kjo për ju si kompozitori i kësaj këngë?

Është një fitore shumë e madhe për Artistin, Videoproduksionin dhe sigurisht edhe për mua. Është edicioni i 3-të i këtij evenimenti me përmasa shumë të medha dhe për herë të parë një artiste shqiptare nominohet për Best Music Video, përkrahë emrave më në zë të Ballkanit dhe më gjerë. Jam shumë i lumtur që puna, mundi dhe përkushtimi i gjithë këtyre viteve po vlerësohet tashmë edhe në Ballkan.


E prisnit një sukses të tillë në momentin që kompozuat këngën?

Gjithmonë kur realizojmë materiale të reja muzikore përkushtohemi dhe impenjohemi shumë deri sa të sigurohemi që ajo që po bëjmë është ajo që duam dhe na pëlqen. Duke u siguruar në të gjitha format, ndjesi, emocion, melodi, tekst, etj.

Do ti vazhdoni më tej bashkëpunimet tuaja me Pro Video?

Jam shumë i kënaqur nga bashkëpunimi që kemi patur me Pro Video. Vitin e kaluar nisëm projektet dhe shumë shpejt arritëm një rezultat, i cili na motivon për ta forcuar edhe më tej bashkëpunimin me të.

Sipas jush cili ka qënë ai element i klipit që ka goditur në shenjë?

Elementi kryesor është Elvana. Do veçoja këtu, interpretimin dhe veshjen. Kemi hulumtuar duke diskutuar çdo detaj dhe qëllim që kemi dashur të përcillnim në videoklip. Elvana ka potencial që nëpërmjet videoklipeve të sjell në modë, stile të veshjes, të flokëve dhe të gjithe komponentëve të tjerë. Me pak fjalë të përcaktoj trendin. Kur të gjithë po realizonin videoklipe të punuara në post, teknologjik, ekstravagant dhe me efekte speciale, ne menduam të bënim të kundërten dhe më pas, duke e parë në total ideja ka qenë e spikatur. Një vajzë që vesh kostum mashkullor, që nënkupton kostumin e njeriut me të cilin ka qenë kohë më parë në të njëjtin vend. Pak më të madh se përmasat e saj reale, futet në pishinë pa u zhveshur, pa notuar (qesh). Kjo është pjesa që edhe unë pëlqej shumë në këtë video. Por sigurisht që edhe komponentet e tjerë janë shumë të rëndësishëm.

Mendoni se do të arrini të trimufoni me çmimin e parë?

Mendoj se vet fakti që jemi nominuar me më të mirët e Ballkanit, na ka bërë të ndihemi fitues dhe triumfues. Është hera e parë për muzikën dhe videoproduksionin shqiptar që ndodh të vlerësohet kaq shumë dhe sigurisht që nga ky moment kemi bërë një hap përpara për ndryshimin e standarteve.

Si i vlerësoni klipet e tjera konkurruese?

Të jem i sinqertë janë të gjithë shumë të bukur.

Cili prej tyre ju duket më kompetitivë?

Unë do të veçoja videoklipin e grupit Manga nga Turqia.

Mendoni që video shqiptare do të has vështirësi?

Nuk na shqetëson edhe nëse nuk fitojmë. E thashë edhe më sipër se ne e quajmë fitore vet faktin që kemi arritur deri këtu.

Mendoni që tek Elvana Gjata keni gjetur atë zë që kërkoni për të besuar materialet tuaja muzikore?

Sigurisht.

Besoni se ky bashkëpunim do të jetë jetëgjatë?

Do të doja shumë. Kjo nuk do të thotë se, gjithmonë të gjitha kënget do të realizohen nga unë.

Kur do të mund ta shohim bashkëpunimin tuaj të ardhshëm?

Jemi në proçes. Për pak do të shfaqet për publikun edhe videoklipi i këngës “Gjaku Im”.

Është folur kohët e fundit, që me pjesëmarrjen e Elvanës në “Dancing with the Stars”, ju do ta zëvendësoni atë me këngetaren kosovare Nora Estrefi, sa i vërtet është ky lajm?

Nuk zëvendësohet Elvana.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim