VLORË- Shtatori po afron dhe pushimet janë drejt fundit. Shumica e turistëve që kanë zgjedhur vendin tonë, po rikthehen në vendet e tyre të banimit. Pushimet janë shfrytëzuar edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë territoreve dhe zgjedhin ta kalojnë këtu sezonin veror duke bërë pushime apo vizituar të afërmit e tyre.
Sipas ATSH, në portin e Vlorës prej disa ditësh ka filluar rikthimi masiv edhe i bashkatdhetarëve që kaluan pushimet verore pranë familjeve të tyre në vendin tonë. Nga të dhënat e portit të Vlorës vetëm gjatë kësaj fundjave kanë udhëtuar drejt portit të Brindizit rreth 5600 pasagjerë dhe 870 automjete.
Sipas parashikimeve, fluksi i udhëtarëve drejt Italisë pritet të vijojë deri në mesin e muajit shtator. Porti i Vlorës gjatë kësaj periudhe ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh, kryesisht nga vendi ynë fqinj Italia, ku jetojnë edhe shumë shqiptarë. Kujtojmë që edhe dogana në Kapshticë e Qafë-Thanë ka patur dyndje njerëzish dhe është punuar me dy sportele, për të shmangur rradhët e gjata.