Në kulmin e sezonit turistik, kur aeroporti ndërkombëtar i Rinasit po përballet me fluksin më të lartë të hyrje-daljeve në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët për të ndjekur nga afër zbatimin e masave të marra nga strukturat e Policisë Kufitare dhe të Doganës, për përballimin e këtij fluksi.
Punonjësit e policisë dhe administratës po përballojnë përpunimin e rreth 50 000 deri në 56 000 pasagjerëve në ditë, duke garantuar njëkohësisht lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, si dhe standarde të larta sigurie.
Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes. Paralelisht, është përmirësuar dhe përditësuar sistemi TIMS, ndërsa janë riparuar ose zëvendësuar me pajisje të reja kompjuterët, lexuesit e dokumenteve dhe pajisje të tjera të kontrollit kufitar, çka ka rritur më tej shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit.
Krahas menaxhimit të fluksit, vëmendje i është kushtuar parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.
Hita siguroi se Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të garantuar përpunim të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, ndërsa paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal.
Beja theksoi se të dyja institucionet janë në shërbim 24 orë në 24 për t'iu përgjigjur fluksit të shtuar të sezonit turistik.
Ai u shpreh se administrata doganore është angazhuar për të garantuar lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme për çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, si në sektorin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të kargos.
Komente











