Deputetja Flutura Açka ka zbuluar një bisedë me kolegun e saj deputet, tashmë i kthyer në ‘berishist’, teksa flasin përçarjen që ka përfshirë partinë më të madhe opozitare në vend. Açka, teksa përshkruan situatën brenda partisë, thotë se nuk amniston asnjë gabim përçarës të palës që blindoi PD-së, por ajo që po bëjnë ‘berishistët’ po e vret edhe më shumë këtë parti. Kjo pasi sipas Açkës nuk mund të ketë asnjë shumicë e cila ndihet Zot pa respektuar pakicën, ndërsa shton se ato nuk njohin një kod bashkimi dhe nëse e njohin po e përbuzin.

Shkrimi i plotë i Flutura Açkës

Pranvera e vështirë e demokratëve

“Do të ndihesh e izoluar me këtë qasje që ke”, më tha një mik deputet me të cilin piva kafe ditët e fundit, i bërë “berishist” nga rrethana të mirëkuptueshme prej meje. “Berishist” e kam fjalën për ndarjen e egër që po u ndodh demokratëve në pro ose kundra liderit tonë historik.

“Jo”, i thashë, “unë nuk tërheq asnjë fjalë nga qëndrimet e mia, sepse rrjedhin nga parimet e mia. Ju thoni nuk ka palë në PD, duke nënkuptuar bashkësinë e kloneve që pseudodrejtojnë sot PD-në, duke i vënë vizë mijëra demokratëve që nuk janë përfshirë në pseudoprocesin tuaj të zgjedhjeve. Atyre, pasi i shatë e i fyet me të gjitha format barbare, u hapni duart dhe u thoni: ‘ejani, derën e kemi të hapur’, kur në fakt punët i keni kryer me nxitimin e atyre, të cilët, ngaqë nuk kanë siguri, i shpallin të mbaruara. Nuk amnistoj asnjë gabim përçarës të palës që blindoi PD-në, por ajo që po bëni ju, po e ‘vret’ edhe më shumë atë. Asnjë shumicë nuk mund të ndihet Zot pa respektuar pakicën. Ju këtë kod bashkimi nuk e njihni, edhe nëse e njihni, e përbuzni. Arroganca e sjelljes suaj, krekosja e zbrazët në ekrane dhe ndjesia e uzurpimit që po ju shoqëron, do të lërë pasoja afatgjata. Kjo po ia bën parajsë jetën regjimit të Ramës më shumë se gjithçka, por nga mungesa e empatisë për ‘të vegjëlit’, harroni se si fitohet - qoftë edhe me një votë demokrate. Kjo më jep trishtim…”

“Por do të mbetesh vetëm”, tha ai.

“Nuk jam vetëm, sepse jam në frymën e mijëra demokratëve që nuk i shihni dhe nuk ua kap fotografia, aq nxit keni të shpallni se jeni edhe pronarë të kohës ku jetojmë. Nuk jam vetëm, sepse nuk kam qasjen të kthehem në klon, të cilin i mjafton një pilulë marrie. Fundja, edhe nëse jam vetëm, nuk kam si të jem vetëm, pasi të jesh vetëm, je në shoqëri të mirë”.