Në tregun e Fierit, çmimi për kg i gjelit te detit është 1000 lekë, ndërkohe pula e detit shkon në 1300 lekë kg. Krahasuar me vitin e kaluar çmimi i simbolit të tryezës festive është rritur me 30 për qind.

Tregtarët thanë se rritja diktohet nga baza ushqimore për mbarështimin e shpendëve, ndërsa për blerësit kjo është rritje abuzive.

“I kanë ngritur çmimet në qiell”, shpreh një qytetare.

“Kjo është një ditë në vit dhe të gjithë mendojnë për një ditë në vit, por është e pamundur për të blerë. Unë jam i papunë, nuk e blej dot”, shprehet një qytetar.

“Kam ardhur në tregun e Fierit po nuk e marr dot, se aq pension kam. Marr vetëm 73 mijë lekë të vjetra pension. Shumë shtrenjtë, nuk e përballojmë dot”, thotë një qytetar tjetër.

Panoramë e zymtë është dhe në tregun e fruta-perimeve të Fierit, ku blerësit numërohen me gishtat e dorës.

Administratori Sadik Gega, tha se tregu operon prej 25 vitesh kur kishte 100 tregtarë, ndërsa tani kanë mbetur 65.

‘Më kryesorja është sepse këtu kam 20 vende bosh, tregtarët kanë ikur ose shesin rrugëve të lagjeve. I paguaj Bashkisë dy milionë lekë shqiptare dhe njerëzit kanë ikur’, shprehet administratori.

“Janë të pakët blerësit se nuk ka lekë, ka humbur vlera e lekut”, thotë një tregtare e fruta e perimeve.

“Është ora 10.00 shiko tek koshi i lekëve kam bërë 17 mijë lekë-18 mijë lekë xhiro. Me thuaj mua sa është fitimi im. Unë 10 mijë lekë- 12 mijë lekë kam qiranë, llogarit qeskën llogarite ku është fitimi im këtu.   

Shkaku kryesor i tkurrjes së tregut është rënia e fuqisë blerëse.