FIER- Fundi i sezonit turistik po shton fluksin e pushuesve që nisen drejt jugut të Shqipërisë për të shijuar bregdetin. Nisur nga ky fluks, gjatë kontrolleve të ushtruara në Bypass-in e Fierit dhe aksin rrugor Lushnjë-Fier, janë gjobitur 113 drejtues mjetesh pasi janë konstatuar duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor.
Përkatësisht, 34 shoferë janë gjobitur me masë administrative nga 20 mijë lekë në 40 mijë lekë, pasi po lëviznin me shpejtësi deri në 186 km/h. Gjithashtu për këta shoferë është pezulluar leja e drejtimit nga 2 muaj deri në 12 muaj, në varësi të shkeljes që kanë kryer.
Ndërkaq, 79 drejtues të tjerë mjetesh janë gjobitur me gjobë nga 3 mijë lekë në 6 mijë lekë pasi po udhëtonin me 140 km/h, ku limiti i lejuar ishte 110 km/h.
Sa i përket shoferëve që janë arrestuar, bëhet me dije se 3 prej tyre po drejtonin mjetin në gjendje të dehur dhe 2 të tjerë po lëviznin pa patentë.
Gjithashtu janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit 13 drejtues mjetesh, pasi po drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit në masë që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.49 mg/l.
Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor në mënyrë që të ruajnë veten dhe të tjerët.