FMN bekon buxhetin 2017: Rrisni
të ardhurat nga taksa e pronës

FMN bekon buxhetin 2017: Rrisni<br />të ardhurat nga taksa e pronës
Fondi Monetar Kombëtar ka bekuar Buxhetin e Vitit 2017, por i ka kërkuar Qeverisë të rrisë të ardhurat nga taksa e pronës dhe të shmangë rishfaqjen e detyrimeve të prapambetura.

Në një dalje të përbashkët për shtyp me Ministrinë e Financave, kreu i Misionit të FMN në Shqipëri, Anita Tuladhar, tha se është arritur marrëveshje me autoritetet e Shqipërisë për buxhetin e vitit 2017 dhe për politikat bazë të tij, kushtëzuar nga zgjidhja e kënaqshme e detyrimeve të prapambetura të qeverisjes qendrore. 

Buxheti i vitit 2017 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0,7 për qind të PBB-së. Për ta arritur objektivin fiskal, qeveria shqiptare është angazhuar për një paketë fiskale që përfshin rritjen e të ardhurave të lidhura me naftën, kufizimin e përjashtimeve tatimore dhe rritjen e mbulimit dhe fuqizimin e mbledhjes së tatimit mbi pronën. Qeveria do të realizojë edhe kursime permanente nga shpenzimet e buxhetit të vitit 2016, siç janë ato nga pozicionet e paplotësuara në administratën publike. Buxheti mundëson rritjen e moderuar të pagave të sektorit publik dhe pensioneve, duke e ruajtur nivelin e shpenzimeve për paga si përqindje e PBB-së në nivelin e vitit 2016. Buxheti gjithashtu mundëson rritje të burimeve për njësitë e qeverisjes vendore, kushtëzuar me zgjidhjen në kohë të detyrimeve të prapambetura të qeverisjes vendore”, tha Tuladhar.

Nga ana e tij, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se trajektorja ekonomike është në rritje, gjë që i ka mundësuar Qeverisë të rrisë pagat e pensionet në vitin e arddhshëm, por pa shtuar borxhin publik. Sipas tij, borxhi do të ulet me 3% në vitin 2017, dhe do bjerë nën kuotën 60% deri në vitin 2019.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, fondi për pagat pritet të jetë 6 miliardë lekë, ndërsa për politikat e reja të pensioneve do të jetë 2.9 miliardë lekë. Në total parashikohen rreth 8.9 miliardë lekë (afërisht 80 milionë dollarë), të parashikuara për rritjen e pagave e pensioneve.

FMN do të kthehet në Shqipëri për miratimin e këstit të nëntë dhe të dhjetë të programit për mbëshetjen e reformave dhe programit ekonomik në vend.

Deklarata e plote e FMN
Në përfundim të vizitës, zonja Tuladhar mbajti këtë deklaratë: “Misioni i FMN-së ka arritur marrëveshje me autoritetet e Shqipërisë për buxhetin e vitit 2017 dhe për politikat bazë të tij, kushtëzuar nga zgjidhja e kënaqshme e detyrimeve të prapambetura të qeverisjes qendrore. “Buxheti i vitit 2017 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0,7 për qind të PBB-së. Për ta arritur objektivin fiskal, qeveria shqiptare është angazhuar për një paketë fiskale që përfshin rritjen e të ardhurave të lidhura me naftën, kufizimin e përjashtimeve tatimore dhe rritjen e mbulimit dhe fuqizimin e mbledhjes së tatimit mbi pronën.

Qeveria do të realizojë edhe kursime permanente nga shpenzimet e buxhetit të vitit 2016, siç janë ato nga pozicionet e paplotësuara në administratën publike. Buxheti mundëson rritjen e moderuar të pagave të sektorit publik dhe pensioneve, duke e ruajtur nivelin e shpenzimeve për paga si përqindje e PBB-së në nivelin e vitit 2016. Buxheti gjithashtu mundëson rritje të burimeve për njësitë e qeverisjes vendore, kushtëzuar me zgjidhjen në kohë të detyrimeve të prapambetura të qeverisjes vendore.

“Krahas aprovimit të buxhetit dhe paketës fiskale për të cilat është rënë dakord, qeveria është angazhuar për masa paraprake për të trajtuar çështjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisjes qendrore dhe për të fuqizuar tatimin mbi pronën. “Ekipi i FMN-së pritet të vijë në Tiranë në janar 2017 për të analizuar progresin e arritur në zbatimin e angazhimeve për programin dhe për të vijuar diskutimet për përfundimin e shqyrtimit të nëntë dhe të dhjetë. Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 .

AHMETAJ: RRITJE PAGASH E PENSIONESH, POR PA SHTUAR BORXHIN
Fjala e plote

Dua të ndaj me ju kënaqësinë që sot përmbyllim me sukses negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kuadër të misionit të radhës të programit dhe që kemi arritur dakordësimin me Misionin në nivel teknik.

Falenderoj misionin për bashkëpunimin e frytshëm dhe debatet konstruktive që na mundësuan arritjen e një dakordësie, duke krijuar tashmë një paketë buxhetore tejet optimale për zhvillimin e ekonomisë së vendit. 

Jemi në të tretin vit radhazi që kemi përshpejtim të rritjes ekonomike dhe ajo çka është edhe më e rëndësishme, është se bashkërisht parashikojmë përshpejtim të rritjes edhe në vitin 2017 (nga 3.4% për 2016 në 3.8%) dhe duke kaluar pragun e 4% në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike mbështetet tek kërkesa e brendshme si dhe Investimet e huaja të drejtpërdrejta (veçanërisht në sektorin e energjisë). Rigjallërimi i rritjes ekonomike do të ndikojë dhe në rënien e mëtejshme të papunësisë që ka dhënë shenja pozitive që vitin e kaluar. 

Shtimi i investimeve të huaja të drejtpërdrejta, stabilizimi i rritjes së partnerëve tanë kryesorë tregtarë, dhe reformat strukturore (edhe në kuadër të integrimit Evropian) do të jenë shtytësit kryesor të rritjes ekonomike të vendit edhe për periudhën afatmesme. 

Programi ynë me FMN ka arritur objektiva të rëndësishme për të përmirësuar dukshëm ekuilibrat makroekonomike, si dhe ka siguruar premisat për një rritje të qëndrueshme dhe tërheqje investimesh të huaja duke rritur besimin në ekonominë shqiptare. 
Ndër arritjet më kryesore gjatë periudhës të programit do të përmendja:
Konsolidimi i qëndrueshëm fiskal, ku prej tre vitesh është zbatuar një politikë e kujdesshme që këtë vit dhe në 2017 do të rezultoi në një ulje të nivelin e borxhi publik me rreth 3%, duke absorbuar dhe korrektime dhe rreziqe të rëndësishme si pagesa e detyrimeve të prapambetura dhe reformave që nga energjia te drejtësia. 
(ii) Janë marrë një sërë masash legjislative konkrete për stabilizimin e sektorit financiar, duke siguruar rritur ndjeshëm kapacitetet e autoriteteve rregullatorë për të garantuar qëndrueshmërinë e këtij sektori jetik të ekonomisë.

(iii) Rimëkëmbja e rritjes ekonomike është bazuar mbi një numër të madh reformash strukturore në sektorë kyç si: energjia, pensionet, menaxhimi i financave publike, territoriale. Qeveria mbetet e angazhuar për avancimin e mëtejshëm të axhendës së reformave dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të tyre.
(iv) Këto reforma kanë krijuar mundësinë dhe për një rritje të pagave dhe pensioneve duke ruajtur prirjet pozitive të ekuilibrave makro-fiskal.
Gjatë tre viteve të fundit programi me FMN ka qenë një referencë e rëndësishme për të gjithë programin qeveritar dhe sidomos për reformat në fushën e financave publike, të cilat ishin tejet të rëndësishme si për aspiratat integruese të vendit, ashtu edhe për modelin tonë të rritjes ekonomike. Në bazë të këtyre reformave krijimi i detyrimeve të reja të prapambetura është vënë nën kontroll. Në bashkëpunim ne kemi eliminuar dhe pengesa të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit, dhe sot jemi duke zbatuar politika që po japin impaktin e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Në vazhdën e këtyre ndryshimeve të rëndësishme të viteve të fundit, Buxheti 2017 do të jetë një buxhet i financimit të reformave të rëndësishme strukturore, i kontrollit të hollësishëm të investimeve dhe produkteve për çdo sektor, duke u siguruar që këto të kenë një shtysë sa më pozitive për ekonominë dhe për qytetarët. Në ditët në vijim do të kemi një takim specifik mbi Buxhetin. Megjithatë mund t’ju them që Buxheti do të jetë në vijat e programit, me një deficit të përgjithshëm 2% të PBB dhe balancë primare pozitive, me mbështetje për sektorët kryesorë të rritjes ekonomike dhe balancë primare pozitive.
Ne mbetemi të angazhuar për të përmirësuar perfomancën e financave publike; për rigjallërimin e ekonomisë dhe për të vazhduar implementimin e reformave strukturore. Sigurisht kemi sfida të rëndësishme përpara në një vit elektoral dhe të reformës të sistemit të drejtësisë, por ky program bashkëpunimi e ka vendosur ekonominë e vendit mbi themele të shëndetshme që garantojnë vazhdimin e rrugës në drejtim pozitiv.

Do ishte normale të takoheshim në Parlament dhe të gjitha grupet të flisnin me seriozitet për atë që ka kaluar. Grupi i Partisë Socialiste dhe Qeveria e Aleancës të flase për ato që ka premtuar dhe grupi tjetër apo grupet e tjera, të flasin për ato që ne premtuam dhe ndoshta nuk i kemi bere akoma, në favor të zgjedhësve të tyre, dhe sigurisht jo të devijojnë, për të mos thënë degjenerojnë, debatin në vulgaritete që në fakt janë të regjistruara në vite nga ana e ju të djathtëve. 

Unë me kënaqësi i kthehem post-faktum të gjithë historisë ekonomike të Aleancës dhe është një ditë e rëndësishme për të pranuar ato suksese, për të përmendur ato premtime dhe patjetër, për të ndaluar edhe tek ato probleme që ka ekonomia e Shqipërisë, e përkthyer me ekonominë rajonale dhe ekonominë globale.

RAMA: PERGJIGJA E FMN NDAJ SHKARRAKRUESVE TE KAZANIT
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 20 tetor-2 nëntor 2016, për të zhvilluar diskutime për buxhetin e vitit 2017 si pjesë e shqyrtimit të nëntë dhe të dhjetë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë. Pas konferences se sotme per shtyp, ka reaguar kryeministri Edi Rama që ka vlerësuar deklaraten e Tuladhar si një përgjigje ndaj kritikave të opozitës për buxhetin 2017.

Statusi i Rames
#QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara 👍

Dakordësia e plotë me FMN për Projekt-Buxhetin 2017, një përgjigje shembullore për gjithë politikanët dhe shkarrashkruesit e kazanit😀

Falë reformave të thella që po fillojnë të japin rezultate 👍:

1. Hera e parë që 100 MILIONE USD jepen në një buxhet të vetëm vjetor për rritje rrogash e pensionesh 👍

2. Rrogat e pensionet rriten për herë të parë DUKE ULUR NDJESHEM BORXHIN PUBLIK 👍

3. Borxhi Publik ulet ne 69.1 % te PBB, paralelisht me rritjen e rrogave e të pensioneve😀

4. Defiçiti ulet në -2%, me i ulëti në historinë e financave publike (deri sot më i ulëti në 25 vjet ishte -3.1%) 👍

5. Defiçiti primar plus 0.7%, më pozitivi në historinë e financave publike të 25 vjetëve të fundit 👍

RRITJA EKONOMIKE SHKON NE AFRO 4% (në 2013 ishte nën 1%). 👍

#Rilindje 🌹
#ShqipëriaeGjeneratësTjetër


(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS