Qeveria shqiptare duket se ka kapërcyer pengesën e parë për realizimin e detyrave që i ka vënë vetes, duke marrë një OK nga drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë vizitës në Uashington të delegacionit zyrtar Cani-Ahmetaj-Fullani, për marrjen e një kredie të konsiderueshme dhe me terma të butë. Por, kjo do të shoqërohet me kushtin e uljes së shpenzimeve.
Sipas burimeve nga delegacioni qeveritar, për të përballuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen financat publike, aktualisht po diskutohet mundësia e marrjes së një borxhi të ri, që besohet të kapë vlerën e 40 miliardë lekëve. Mosrealizimi i të ardhurave në buxhet sipas parashikimeve të fillimvitit, shpenzimet e larta dhe rritja tej parashikimit e deficitit buxhetor, si dhe numri i madh i faturave të papaguara ndaj biznesit, pritet që të shtojnë detyrimisht nivelin e huamarrjes nga shteti. Burimet shtojnë se me ekspertët e FMN-së është diskutuar për marrjen e këtij borxhi, i cili do të shkojë vetëm për shlyerjen e faturave të prapambetura të biznesit, duke mbuluar atë deri në masën afro 300 milionë euro.
Por, FMN, edhe pse në parim është shprehur pro, është shprehur për disa kushte qeverisë shqiptare, kryesisht për reformën në sistemin fiskal, si dhe – kryesorja - kufizimin e shpenzimeve buxhetore.
Ndërsa, veç Kësaj shifre, për mbylljen e vitit buxhetor, financave publike i duhen edhe 24 miliardë lekë, që mendohet se do të gjenden në tregun e brendshëm., është shprehur, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Buxheti
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka raportuar dje në Komisionin e Ekonomisë lidhur me aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr.119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013″, ku ka shpjeguar ndryshimet që janë bërë dhe shifrat e reja të buxhetit.
Ai ka pohuar se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë vetëm 1.2%, duke ulur më tej pritshmëritë e vetë qeverisë së re, që deklaroi një muaj më parë se zgjerimi ekonomik mund të ishte rreth 1.6-1.9%. Nga ana e saj, qeveria demokrate e kishte hartuar buxhetin fillestar 2013 mbi një pritshmëri për rritjen ekonomike prej rreth 3%.
“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje defiçiti dhe, për pasojë, edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme: shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë janë në pritje për t’u bërë pagesat. Ftoj deputetët e opozitës të jenë pjesë e procesit, është një borxh që qeveria u ka bizneseve. Nuk është hera e parë që jemi në situatë të tillë, edhe në 1997 ishte një situatë e vështirë”, ka pohuar Cani.
Borxhi në fund të vitit, sipas Canit mund të arrijë në 69% të PBB-së, edhe ky një parashikim në rritje, pas deklarimeve fillestare për një nivel borxhi prej 68%. Këtu nuk llogariten detyrimet e pashlyera të biznesit, që mund ta çonin nivelin në rreth 73% të PBB-së, sipas ministrit.
Debati
"Është e domosdoshme ndjekja e buxhetit të vitit 2013. Justifikimi juaj është hipotetik dhe reflekton mungesën e programit. Shkurtimet administrative janë zero", ishin këto kritikat e ish-ministrit të Financave Ridvan Bode. Kurse Sherefedin Shehu tha se qeveria nuk ka transparencë në ndryshimet e kërkuara. “Qeveria flet për situatë të vështirë ekonomike, por po e gropos duke rritur borxhin. Dua tabelat krahasuese për buxhetin. Dua të di çfarë katrahure keni bërë”- iu drejtua Shehu, ministrit Cani.
Kreu i Financave Shkëlqim Cani tha se ajo që e ka groposur ekonominë është qeveria e mëparshme. “Ju e keni groposur ekonominë, 40 miliardë mosrealizime. Metodologjia e llogaritjes për vitin 2013 është tuaja. Ne nuk duhet të presim bum ekonomik për tri ditë” - u shpreh ministri.
Evazioni fiskal
Firma fantazëm kineze fitonin nga fatura fiktive
Dje ministri Cani deklaroi se janë konstatuar vepra penale në administrimin e fiskut në Shqipëri. Dyshimi është për ekzistencën e një skeme gjigande mashtrimi me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku kompani fantazmë nga Kina duhet të kenë marrë miliona euro nga buxheti me fatura fiktive TVSH-je, nga rimbursimet.
Burimet bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e kësaj skemë është realizuar në korrik dhe gusht, pra në muajt e tranzicionit politik. Ministri Cani pritet të firmosë kallëzimin penal për personat dhe kompanitë që qëndrojnë pas skemës, emrat e të cilave nuk bëhen ende publike për shkak të hetimeve.
Shkrimi u publikua sot (19.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)