Fondi Monetar Ndërkombëtar, në panoramën e rishikuar të janarit 2016, ka ulur pritshmërinë për rritjen ekonomike globale me 0.2 pikë përqindjeje, si për vitin 2016 ashtu dhe për 2017. Këto rishikime reflektojnë në një masë thelbësore, por jo vetëm, një rimëkëmbje më të ngadaltë për ekonomitë në zhvillim, sesa pritej në tetor. Raporti i rishikuar i janarit nuk jep detaje për të gjithë ekonomitë, ndryshe nga ai i tetorit, por burime nga zyra e FMN-së në Tiranë pohojnë se për Shqipërinë mbetet parashikimi i tetorit, sipas të cilit ekonomia vendase pritet të rritet me 3.4% në 2016, për t’u përshpejtuar në 4.2% deri në 2020-n.