Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe perspektivën e favorshme të saj, por ka kërkuar kujdes në politikat ekonomike përballë pasigurive që vijnë nga zhvillimet ndërkombëtare.

Vlerësimi u bë gjatë takimit përmbyllës të misionit të FMN-së me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në përfundim të vizitës në vendin tonë.

Përfaqësuesit e FMN-së theksuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe forcimit të aftësisë së ekonomisë shqiptare për të përballuar goditje të mundshme nga jashtë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua inflacionit dhe politikës monetare. Guvernatori Gent Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e fokusuar te garantimi i stabilitetit të çmimeve.

Sipas tij, banka qendrore po ndjek me kujdes ecurinë e çmimeve, zhvillimet në tregun e punës dhe ndikimet nga mjedisi ndërkombëtar. Vendimmarrja për politikën monetare, siç theksoi ai, mbështetet në të dhënat e reja dhe parashikimet për ekonominë.

Nga ana tjetër, misioni i FMN-së vlerësoi se kalimi gradual drejt një politike monetare neutrale është i përshtatshëm, duke marrë parasysh fazën aktuale të ekonomisë shqiptare.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e FMN-së përshëndetën edhe miratimin e ligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, duke e cilësuar atë një hap drejt forcimit të pavarësisë institucionale.

Sipas tyre, ligji forcon bazën ligjore për përmbushjen e mandatit të bankës qendrore dhe rrit aftësinë e saj për t'iu përgjigjur sfidave ekonomike e financiare.