Sali Berisha hodhi një lumë akuzash ndaj ish-deputetit demokrat Ervin Salianji ndërsa një demokrat i kërkoi që ta lejonte të krijonte fraksion brenda PD-së sipas statutit të partisë. Berisha tha se Salianji nuk përfaqëson asnjë demokrat, ndërsa përsëriti akuzën se sallat ia mbushin elementë të krimit të organizuar dhe PS-së!

“Ti vërtetë ke parë sallat, po të garantoj që sallat janë të mbushura tërësisht nga biznese me urdhër të qeverisë, nga drejtori burgjesh dhe nga bandat e qyteteve.  Nga bandat e qytetit Elbasan, nga bandat e qytetit Durrës e të tjerë me radhë. Pra, ai përfaqëson, siç e sheh ti tani, ai e nisi, sepse të tjerëve nuk u shkonte mendja, por sot i ka ngelur vetëm dy pengje me vete”, tha Berisha.

Vijoi akuzat se Salianji ka ngrënë dreka me Ergys Agasin, në kërkim nga SPAK, ndërsa u ndal edhe tek foltoret në Elbasan, ku akuzoi se sallën ia mbushi Suel Çela. Në këtë pikë, Berisha thotë se Salianjit i tha se kaloi vijën e kuqe dhe se është përjashtuar. 

"Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë Ergys Agasin e kisha sulmuar me qindra herë si koordinator i karteleve të drogës. Tani, shkoi në Durrës dhe mblodhi, kë mblodhi? Eksponentë të Partisë Demokratike që tradhtuan Partinë Demokratike duke mos punuar absolutisht asnjë ditë në fushatë, apo që punuan për Partinë Socialiste, me fakte.

Unë i thashë, kjo veprimtari është jashtë Partisë Demokratike, nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vija e kuqe. Krimi s'do mund kurrë dot këtë parti", vijoi Berisha. 

Berisha tregoi edhe si nisi ndarja me Salianjin duke aluduar se ai u ble nga kundërshtarët pikërisht për të minimizuar skandalin me zëvendëskryeministren Belinda Balluku

“Ky doli në momentin më kritik për Lubi Ballukun, e cila duhet të ishte në burg sot. Dhe nisi një lëvizje vetëm për të krijuar zhurmë mediatike, zhurmë mediatike, për të sfumuar, shpërqendruar opinionin publik te Lubi Balluku. E birësuan, nuk e thashë kot unë. E birësuan”.

Kreu i PD-së krahasoi Salianjin edhe me Lulzim Bashën duke thënë se të dy u blenë nga kundërshtarët politikë për të dëmtuar partinë.

"Në mënyrë të çuditshme edhe ky përsëriti fatin e Lul Bravës. Pse e përsëriti? A mund t'i imagjinosh ti që përsëri ka mentor Taulant Ballën? Vazhdon darkon me Taulant Ballën, njëlloj. Të kujtohet takimi i Lul Bravës me Desada me Taulant Ballën? Ju kujtohet apo jo?", tha Berisha. 

I menjëhershëm ishte reagimi i ish deputetit, i cili mohoi akuzat për lidhje me krimin dhe për dreka e darka me Oltion Bistrin e Pëllumb Gjokën. Salianji akuzoi Berishën se në fakt ka qenë ai që ka kërkuar takim në burg me këto dy eksponentë të krimit.

"Ervin Salianji nuk po merrem këtu në drekat dhe darkat me Oltion Bistrin në burg dhe Pëllumb Gjokën, sepse banorë të burgut janë", tha Berisha. 

"Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim", iu përgjigj Salianji. 

Duke e quajtur “Sali kolltuku”, Salianji i thotë Berishës se po shpik armik imagjinar për të fshehur frikën nga gara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:01
Darka me Ergys Agasin? Salianji i përgjigjet Berishës: Ata pranë teje më futën në burg

1776616188_ervinsalianji.jpg

Ish-deputeti Ervin Salianji i është përgjigjur Sali Berishës, pas akuzave që ky i fundit i hodhi se i shërben krimit dhe PS. Përmes një statusi në Facebook, Salianji shkruan se Sali Berisha shpik armiq nga frika për garën brenda PD-së. Ky sulm sipas Salianjit, është prej faktit që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe. Ish-deputeti thekson se nuk është pjesë e pazareve, por përballë pushtetit, ndryshe nga sa thotë ai për Berishën.

Në përgjigje të akuzave se takohet me Ergys Agasin, biznesmenin në kërkim të dosjes AKSHI, Salianji për herë të parë akuzon njerëz fare pranë Berishës, se kanë ndërhyrë të gjykata për dënimin e tij.

"Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim", shkruan Salianji. 

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit

Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.

Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.

Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.

Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.

Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.

Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.

Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.

Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.

Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.

Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.