Deputetët e Shkodrës braktisin ‘Foltoren’, nuk i shkon as Topalli, por i çon të bijën! Berisha kundër komisionit hetimor të PD për 25 prillin: S’vërtetoi vjedhjen e votave, tani gënjen njerëzit

SHKODËR-Në bastionin e demokratëve, Sali Berisha u braktis nga të gjithë deputetët  e PD në Shkodër të zgjedhur më 25 prill, të cilët nuk iu bashkuan ‘Foltores’ së tij. Aty mungoi edhe kryetarja e Bashkisë dhe funksionarja më e lartë e PD në Shkodër, Voltana Ademi, por edhe emra të njohur të demokratëve në kryeqendrën e veriut si Bardh Spahia, kreu i PD Shkodër, Xhevdet Amulli, por edhe vetë Jozefina Topalli, e cila në vend të saj kishte deleguar të bijën.

Në krah të Berishës u shfaqen mbështetësit e përhershëm nga Tirana si Flamur Noka, Klevis Balliu, Aldo Bumçi dhe Gent Strazimiri

Teksa u kërkoi demokratëve të pranishëm që të firmosnin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD për të shkarkuar Lulzim Bashën,  Berisha iu rikthyer akuzave ndaj kryedemokratit dhe aksioneve të tij opozitare. Duke e cilësuar si lider të marrë peng nga Rama, Berisha u shfaq kundër kërkesës së PD për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

Për Berishën ky komision nuk ka asnjë vlerë pasi  PD i humbi zgjedhjet dhe nuk arriti të dokumentojë vjedhjen e votave dhe ta ngrejë këtë problem te ndërkombëtarët dhe se sot ky komision për të është një “gënjeshtër dhe tradhti që Basha u bën njerëzve dhe demokratëve’.

Duke i treguar shembullin që duhet të ndiqte Basha për të vërtetuar ‘masakrën zgjedhore’ të 25 prillit,  Berisha tregoi një ngjarje që sipas tij në 2001 një demokrat ka kapur Fatos Klosin, ish- kreun e SHISH, duke i dorëzuar një qese të madhe një vëzhguesi. Zgjidhja e Berishës për këtë situatë? Ish-lideri i PD e ka kërcënuar vëzhguesin së nëse hap gojën për zgjedhjet, do t’i publikonte fotot kur merrte qesen e madhe nga Klosi.

“Kryetari harroi votën tuaj, harroi votën e qytetarëve dhe filloi të merrej me karrigen e tij. Më vend që të merrej me votën e qytetarëve, merrej me votën e tij. Edi Rama na mori votën, pengu i tij na tradhtoi. Kapitulloi. Nuk mbrojti votën. Në 2001 na ndodhi një gjë e tillë, nuk e kishim klimën në favor. Një demokrat kapi në një klub Fatos Klosin duke i dorëzuar një qese të madhe, një vëzhguesi, po edhe unë i çoj fjalë, i them, ose ti je agjent i Klosit, ose i korruptuari i Klosit, po e çele gojën për këto zgjedhje të gjitha fotot do të dalin. Ne ndërmorëm me të drejtë një veprim ndërkombëtar në të gjitha institucionet. Arritëm që Parlamenti Europian të shprehet se parlamenti i Shqipërisë nuk shpreh vullnetin e popullit shqiptar. Arritëm që të vendosim Fatos Nanon nën sanksione. Çfarë arritëm këtë herë? Zero. Asnjë ndryshim raporti. Tani del e thotë se po krijoj një komision hetimor. Për çfarë? Ti duhet të shkoje në OSBE, në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian. Tani që ke filluar negociatat me të, po i bën furçe. Ky problem është fund e krye tradhti ndaj shqiptarëve,” tha Berisha.

Berisha pati edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për Bashën, duke i tregua se në këtë ‘luftë’ ai është i fituari pasi ka të regjistruar në iPad biseda e dokumente që zhvillonte në zyrën e tij me kryedemokratin. Ai u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen dhe të krijojnë opozitën e vërtetë, pasi ajo që është aktualisht PD nuk është më opozitë, por një parti e marrë peng.

“Ndaj u bëj thirrje çdo demokrati të arsyetojë mbi këtë bazë. Koha është kritike. Ne duhet të bashkohemi nëse duam të ekzistojmë. Ata që thanë se PD mund të shkrihet janë miqtë tanë. Ata e panë që me këtë drejtim, PD nuk fiton kurrë. Ndaj le të dalë një forcë e re, që të bëjë opozitën e vërtetë. Opozitë e vërtetë do bëhemi ne. PD do rikthehet më e fuqishme,” tha Berisha.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:15
'Sa anti-komunist ke qenë këto 30 vite', e reja ia thotë në sy Berishës, demokratët i heqin mikrofonin vajzës nga familja e persekutuar në Shkodër

Një përplasje ka ndodhur gjatë fjalës së ish-kryeminsitrit Sali Berisha në Shkodër. Stela Karafili, një nga të pranishmet në takim, e cila vinte nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, bëri që salla të trazohet. Ajo foli për ligjin e të persekutuarve dhe për trupat që nuk gjenden. Por pyetja e saj ndaj ish kreut të PD-së nxiti shumë tension në sallë.

'Unë jam Stela Karafili dhe vij nga një familje e të persekutuarve si 90% e pranishmëve këtu. Meqë vetë na i rreshtuat vlerat e Partisë Demokratike, dua t’ju kujtoj se statuti i PD-së, në nenet e para thotë që do të merret me dekomuniztisimin e shoqërisë shqiptare vazhdimisht. Ju keni qenë presidenti dhe kryeministri i vendit tonë. Sali Berisha, sa antikomunist ka qenë gjatë këtyre 30 viteve? Nëse për 45 vite janë shkelur të drejtat e të gjithë shtetasve shqiptarë, realisht si nga PD dhe PS, kjo e fundit e dimë që rrënjët i ka nga komunizmi, si është e mundur që eshtrat e familjarëve tanë nuk gjenden?'– tha ajo, dhe një pjesë e demokratëve u ngritën në këmbë dhe tentuan që t'i marrin mikrofonin.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha u kërkoi demokratëve e që t’ia kalonin mikrofonin vajzës, por ata nuk bindeshin.

'PD ishte partia e parë në Europën ish-komuniste miratoi ligjin e dënimit të genocidit komunist. 10 vite pas nesh e ka miratuar Polonia këtë ligj. Me këtë ligj janë dënuar 75 eksponentë. Viktimat e komunizmit janë në numër më shumë se ato të nazizmit. Diktaturë si kjo në Shqipëri nuk ka patur askund në Europë. Qeveria socialiste që erdhi në 97 i ndërpreu dhe nxorri nga burgu ata që u dënuan për krimet e komunizmit.'- tha Berisha.

'Njerëzit kanë pak probleme me termin e demokracisë. Bëhet fjalë për të ardhmen e brezave…'- shtoi ajo dhe zërat në sallë nuk pushonin derisa i morën mikrofonin përfundimisht vajzës.

'E drejtë Stela, do të të lë takim në zyrën time në Tiranë, të premtoj,'- tha Berisha dhe vajza e konfirmoi me kokë.

Ora 19:34
Berisha kërcënon Bashën me përgjime: Në iPad kam regjistruar dokumente e bisedat me të në zyrë

Sali Berisha ka kërcënuar Lulzim Bashën se për të ka shumë dokumente që faktojnë biseda të ndryshme me të në zyrë për çështje të ndryshme.

“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra. Ato gjëra që keni kërkuar ju. Unë këtu kam shumë dokumente, unë mund të faktoj shumë gjëra që i kam thënë Lulzim Bashës në zyrë ato që i keni kërkuar dhe ju dhe e kam kritikuar. I kam kërkuar të japë dorëheqjen në 2017, kam thënë se kryetari duhet të jepte dorëheqjen. Por nuk kam ndërhyrë në problemet e brendshme të partisë dhe nuk kisha projekt për rikthimin në krye. Po të hyja pa projekt vetëm se shkaktoja kaos. Por a ishte e drejtë të mos ndërhyja në problemet e PD? S’e kam sulmuar kurrë publikisht. Ky është gabimi im”, tha Berisha.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant: 01/10/2021 18:07

    Ske faj ti berish e ka fajin sabit brokajt qe te futi ne parti E kan fajin cunat e enverit qe te dhan partin demokrate ta drejtosh ti Dhe si shperblim ua nxore eshtrat nga varri babait te tyre atij qe te beri njeri qe te mori nga mali te beri doktor

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë