Fondi Monetar jep 72.4 milionë
euro, jeni OK me reformat

Fondi Monetar jep 72.4 milionë<br />euro, jeni OK me reformat
TIRANË - Pas një OK në nivel ekspertësh, dhënë më 10 nëntor të vitit të kaluar nga misioni i radhës që vizitoi Tiranën, edhe Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi në mbledhjen e tij të djeshme rishikimin e ecurisë së ekonomisë së Shqipërisë në bazë të programit trevjeçar të asistencës, nënshkruar me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2014. Programi parashikon një mbështetje financiare prej 330.9 milionë eurosh në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste. Me vendimin e mbrëmshëm, bordi i FMN-së i hapi rrugë lëvrimit të këstit të pestë dhe të gjashtë që në total shkojnë afërsisht 72,4 milionë euro, duke bërë që shuma e dhënë deri tani të jetë afërisht 226.8 milionë euro.

Raporti shoqërues nga njëra anë jep nota pozitive për reforma të kryera nga qeveria, duke tërhequr, nga ana tjetër, vëmendjen për koncesionet, si dhe vonesat në zbatimin e masave, që duhet të sjellin reduktimin e volumit të kredive të këqija nëpër banka, si parakusht për rigjallërimin e kreditimit. Sipas zëvendësdrejtorit për Menaxhimin Min Zhu “rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur, por rreziqet janë të pranishme”. Sipas tij autoritetet shqiptare kanë treguar angazhim të fortë në zbatimin e marrëveshjes përfshirë zbatimin e reformave strukturore ambicioze dhe të vështira.Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur për herë të parë pozitivisht lidhur me ofertën e pakërkuar për menaxhimin, nga një kompani private, e sistemit on-line në raportimit e TVSH-së.

Në raportin shoqërues për lëvrimin e kësteve të radhës, Bordi Ekzekutiv i Fondit tha se ky hap është një masë e shtuar për trajtimin e rreziqeve fiskale dhe forcimin e menaxhimit të financave Publike, duke besuar se projekti është duke u vlerësuar në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare. Zyrtari i Fondit Monetar ka vlerësuar si të përshtatshëm synimin e autoriteteve për konsolidimin fiskal, duke shtuar se “për këtë qëllim, ato duhet të shmangin përjashtimet e mëtejshme nga taksat dhe normat preferenciale të taksave. Përveç kësaj, orientimi i autoriteteve për të përmirësuar sistemin e taksave duhet të përshtatet më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thekson FMN-ja.

FMN i sugjeron qeverisë shqiptare që lufta kundër informalitetit të kryhet “me përshtatje më të mirë me praktikat ndërkombëtare dhe duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te bindja vullnetare.” Ky është dukshëm një sugjerim shumë i ndryshëm nga fushata e qeverisë e vitit të kaluar, që synoi të luftojë evazionin fiskal jo përmes bindjes vullnetare, siç sugjeron FMN, por përmes shtimit të dhunës ndaj tatimpaguesve të vegjël.Fondi shprehu shqetësimin gjithashtu për faktin se investimet publike nuk po ekzekutohen siç duhet, fenonem që po u kushton shqiptarëve shtrenjtë.
--------------
Ministri i Financave Arben Ahmetaj: Tender i ri për Spitallën, në sytë e publikut
“Tenderi i Zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës për arsye të drejtpërdrejta politike, të mbështetura nga arsyetime të shëndosha teknike dhe do të rihapet sërish. Do të rihapet sërish në sytë e publikut. Kjo është diferenca, nëse doni diferencë”. Kështu u shpreh ministri i ri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili ka qenë nismëtar për zhvillimin e zonave të lira ekonomike gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

Nga foltorja e Kuvendit, Ahmetaj tha se tenderi për Spitallën do të zhvillohet sërish, ndërsa akuzoi qeverinë e kaluar për mungesë transparence. “Meqë një nga parafolësit foli për Spitallën. Ajo është rasti spektakolar i një qeverie dhe diferencës midis dy grupeve, qeverisë së vjetër dhe asaj të re. Kam dosjen e 9 zonave ekonomike që keni bërë dhe nuk kishit bërë asgjë. Ne mund të bënim të merrnim përsipër kontrollin e detajuar financiar, dhe morëm “Deloitte & Touche”. Arsyeja kryesore e refuzimit të ofertës është ajo që ka thënë kryeministri gjatë një interviste”, u shpreh Ahmetaj.

Në pritje për të marrë detyrën e kreut të Financave të Shtetit, Ahmetaj deklaroi se vendimi i Bordit të FMN-së për t’i hapur rrugë disbursimit të këstit prej 72.4 milionë euro për Shqipërinë konfirmon edhe njëherë konsolidimin e reformave në Shqipëri. Ahmetaj tha se reformat e qeverisë sollën si rezultat rritjen ekonomike prej 2.75%.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Manja: Kodi i ri Penal i nevojshëm, do i nënshtrohet konsultimit publik! Drafti reflekton 61 direktiva të BE

Manja: Kodi i ri Penal i nevojshëm, do i nënshtrohet konsultimit publik! Drafti reflekton 61 direktiva të BE