Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer një tjetër operacion vdekjeprurës në Paqësorin Lindor, si pjesë e fushatës kundër trafikimit të drogës.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, më 20 shkurt një njësi e Task Forcës së Përbashkët Southern Spear ndërmori një “sulm preciz vdekjeprurës” ndaj një anijeje të dyshuar se vepronte për llogari të organizatave të klasifikuara si terroriste.
Nga operacioni u raportua vdekja e tre personave, ndërsa nuk pati viktima nga pala amerikane.
“Më 20 shkurt, me udhëzimin e komandantit të SOUTHCOM, gjeneralit Francis L. Donovan, Task Forca e Përbashkët Southern Spear kreu një sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga Organizata të Caktuara Terroriste”, shkroi SOUTHCOM në X.
Ky është operacioni i gjashtë i raportuar që nga fillimi i vitit dhe i dyti brenda së njëjtës javë. Të martën, forcat amerikane goditën tre anije të tjera në Paqësorin Lindor dhe Karaibe, duke vrarë 11 persona.
Të paktën 138 persona janë vrarë deri tani në sulmet ndaj anijeve të dyshuara për drogë, si pjesë e Operacionit Shtiza Jugore, një fushatë që administrata Trump thotë se synon të kufizojë trafikun e narkotikëve.
Komente





