Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Garda Kombëtare e Nju Xhersit shënojnë 25 vite partneriteti të qëndrueshëm dhe të suksesshëm në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
Me këtë rast, Shqipërinë e vizitoi një delegacion i SHBA, i kryesuar nga komandantja e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, gjeneral brigade Yvonne Mays.
Në ceremoninë që u zhvillua në mjediset e Forcës Tokësore në Zall Herr morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjenerallejtënant Arben Kingji, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-ve Nancy Van Horn, komandantja e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit gjeneral brigade Yvonne Mays dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura etj.
Presidenti Begaj thotë se “për Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga gurët themelorë të politikës sonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes”.
“Ai ka qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare moderne: në konsolidimin e institucioneve demokratike, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në orientimin e pakthyeshëm Euroatlantik të vendit.
Në këtë kuadër, partneriteti me Gardën Kombëtare të Neë Jersey-it zë një vend të veçantë. Ky partneritet nuk ka qenë thjesht një bashkëpunim teknik midis dy strukturave ushtarake. Ka qenë një marrëdhënie besimi, profesionalizmi dhe solidariteti.
Përmes trajnimeve, edukimit ushtarak, mbështetjes teknike, stërvitjeve të përbashkëta dhe angazhimeve operacionale, ky partneritet ka ndihmuar që Forcat tona të Armatosura të afrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira të NATO-s”,- tha Begaj.
Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në NATO. Sipas tij, këto 25 vite nuk janë thjesht një seri aktivitetesh, por një histori besimi, miqësie dhe vlerash të përbashkëta.
"Gjatë këtij rrugëtimi kemi ndërtuar së bashku kapacitete reale dhe të qëndrueshme: nga zhvillimi i trupës së nënoficerëve, që sot është një nga shtyllat më të rëndësishme të forcave tona, tek edukimi dhe formimi i oficerëve të rinj; nga bashkëpunimi në mjekësinë ushtarake dhe menaxhimin e emergjencave civile, tek përvoja e përbashkët në misione ndërkombëtare, përfshirë Afganistanin, si dhe zhvillimi i kapaciteteve në fusha të reja si mbrojtja kibernetike. Këto arritje kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit, gatishmërisë, ndërveprueshmërisë dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura” , u shpreh Ministri Nufi.
Komente







