Në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut dhe nën moton “Dhuroni gjak. Shpëtoni jetë!”, ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Akademisë së Nënoficerëve janë paraqitur sot pranë Qendrës Mjekësore të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes për të dhuruar gjak. Ndërmjet dhjetëra ushtarakëve dhe punonjësve civilë të FA, dhanë gjak vullnetarisht shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe drejtorë drejtorish në Shtabin e Përgjithshëm. Ky veprim sa human aq edhe qytetar, rikonfirmon edhe njëherë mbështetjen e Forcave të Armatosura ndaj shoqërisë civile dhe gatishmërinë e përhershme të tyre për t’ju gjendur gjithmonë pranë njerëzve në nevojë.