PRISHTINË, 26 Shkurt/ATSH/.- Një delegacion i qeverisë gjermane i kryesuar nga Dirk Schattschneider, Shef i Divizionit të Evropës Jug-Lindore dhe Kaukaz gjatë një takimi sot në Prishtinë me ministrin e Financave, Avdullah Hoti shprehu përkrahjen e Gjermanisë ndaj Kosovës.
Sipas një komunikate për media, pjesë e delegacionit ishte edhe Henriette Kotter, Sekretarja e parë, Simona Wunsch BMZ, Gravenkoter KfW, si dhe James Macbeth GIZ.
Hoti falënderoi këtë delegacion duke theksuar se Gjermania ka qenë një përkrahëse e fuqishme e Republikës së Kosovës në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Ndërsa, përfaqësuesi i delegacionit gjerman Dirk Schattschneider, Shef i Divizionit të Evropës Jug-Lindore dhe Kaukaz falënderoi Ministrin Hoti për mirëpritjen dhe u shpreh se shteti gjerman ka qenë dhe do të jetë çdo herë përkrah Kosovës, për ta ndihmuar me projekte konkrete ku përfitues janë qytetarët e Kosovës.
Ai gjithashtu u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve të deritanishme.
Ndërsa, sa i përket zotimeve të vitit 2014 u dakorduan se është e nevojshme që të ketë një marrëveshje kornizë të nënshkruar dhe të formohet një ekip i përbashkët ndërqeveritar për negocim.
Gjermania deri tani ka investuar në Kosovë vetëm për zhvillimin ekonomik një shumë prej më shumë se 420 milionë euro./KosovaPress/k.s/