Liga e Kombeve/ Kombëtarja 'nuk ndez', Çekia na mposht 2-0 në Pragë! Pritet autokritikë pas tri ditësh kundër Gjeorgjisë

Liga e Kombeve/ Kombëtarja 'nuk ndez', Çekia na mposht 2-0 në Pragë! Pritet autokritikë pas tri ditësh kundër Gjeorgjisë

Çeki 2-0 Shqipëri, Chory shënon golin e dytë

FT/ Çeki 2-0 Shqipëri (Chory 3', 63')

Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 2-0 kundër Çekisë në "Epet Arena" të Pragës në ndeshjen e tretë të Grupit B1 në Ligën e Kombeve. Golat për çekët u shënuan nga Chory në minutat 3 dhe 63, ndërsa kuqezinjtë e Sylvinhos zhvilluan një ndeshje për t'u harruar.

Humbja e dytë radhazi në grup (pas Gjeorgjisë) dhe situata bëhet e komplikuar për tanët, kjo edhe pasi Ukraina fitoi 1-0 kundër Gjeorgjisë dhe na barazon me tri pikë. Ndërkohë që pas tre ditësh Shqipëria luan në Tbilisi kundër Gjeorgjisë dhe ka shansin për autokritikë, duke harruar këtë 90 minutash që veç disa goditjeve nga jashtë zone, u karakterizua nga gabimet në qendër të mbrojtjes, aty ku erdhën edhe dy golat e pësuar.

Pas ndeshjeve të sotme, Gjeorgjia dhe Çekia kanë nga gjashtë pikë, ndërsa Shqipëria dhe Ukraina me tri pikë janë në vendet tre dhe katër.

Komentet kryesore të ndeshjes:

90+5' Mbyllet 2-0 ndeshja në Pragë.

90' Pesë minuta shtesë.

79' Seferi merr vendin e Laçit. 

75' Asllani mahnit nga jashtë zone, portieri Kovar e ndal me majrat e gishtave.

64' Jasir Asani dhe Mirlind Daku i bëjnë vend Arbër Hoxhës dhe Indrit Tucit. Sulmuesi Tuci debuton si kuqezi.

63' Chory shënon golin e dytë te Çekia dhe të dytin personal. Një krosim nga e majta e gjeti sulmuesin vendas mes dy qendrave tona dhe me kokë mposhti Strakoshën.

52' Jasir Asani s'i beson syve, i vetëm përballë portierit vendas gjuan jashtë. Çfarë zhgënjimi që sfera përfundoi mbi kuadrat, ndërkohë që Daku priste një pasim nga krahu tjetër.

46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.

45+1' Mbyllet pjesa e parë, Çeki 1-0 Shqipëri.

45' Një minutë shtesë.

45' Edhe trajneri ynë Sylvinho merr karton të verdhë për protesta.

44' Mirlind Daku merr karton të verdhë, shihet nervoz në fushë.

43' Kombëtarja e brishtë në zonë, rrezikojmë të ndëshkohemi për herë të dytë me të njëjtën mënyrë.

42' Daku provon me forcë të futet në zonë, ndalet nga mbrojtja vendase.

23' Nedim Bajrami provon supergolin nga jashtë zone, sfera shkon pranë shtyllës pingule dhe del jashtë. Mundësia e parë për tanët.

18' Vendasit provojnë nga jashtë zone, ndal Strakosha.

3' Më pak se tre minuta dhe Chory kalon në epërsi Çekinë. Një krosim nga e djathta pa neglizhencën e prapavijës sonë, teksa sulmuesi nuk gaboi.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.

Formacionet zyrtare:

Çekia (3-4-3): Kovar; Vitik, Holes, Boril; Coufal, Soucek, Cerv, Provod; Cerny, Chory, Sulc Trajner: Ivan Hasek

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Kumbulla, Ismajli, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Bajrami, Asani, Daku Trajner: Sylvinho

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:05
Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim


Kapiteni Elseid Hysaj foli pas humbjes 2-0 që Kombëtarja pësoi në Çeki.

 "Edhe ne e dimin që i kishte mbetur pak në kokë ajo ndeshje me Shqipërinë dhe ishin më të motivuar. Në 15 minutat e para u treguan shumë të fortë. E dinim që ata ishin shumë të fortë në lojën në ajër. Edhe golat ashtu erdhën.

Ne e kishim rastin, mund të kishim barazuar ose mund të kishim fituar. Por nuk e bëmë. Pastaj ata shënuan golin e dytë dhe aty na u prenë këmbët pastaj. Duhet ta rrisim vetëbesimin, sepse ne vërtetë kemi një skuadër të mirë.

Çekia po luante sot sikur ne ishim Spanja. Në dy ndeshjet e kaluara kemi luajtur mirë. Mos të kalojmë direkt në këto momente sikur po na bie gjithçka poshtë. Duhet ta mbajmë këtë nivel ku kemi shkuar", tha Hysaj.

Ora 22:51
NOTAT/ Humbja e Kombëtares! Mirlind Daku 'ngel në klasë', Asllani dhe Ismajli më të mirët


Kombëtarja e futbollit humbi 2-0 me Çekinë në Ligën e Kombeve. Tanët zhvilluan një ndeshje për t'u harruar, ndërsa kanë dalë edhe notat sipas "SofaScore". Asllani me 7.2 dhe Ismajli me 7.0 janë më të mirët te tanët, ndërsa Daku me notën 6.2 'ngel në klasë'.

Ora 21:50
Mesazh i fuqishëm i Tifozave Kuq e Zi: Si t'ia them vëllait në Dardani që nëna Shqipëri po organizon Euro U21 me shki?!


PRAGË - Në ndeshjen mes Çekisë dhe Shqipërisë për Ligën e Kombeve, grupimi Tifozat Kuq e Zi të Kombëtares kanë përçuar një mesazh të fuqishëm kundër bashkëorganizimit të Euro 2027 mes Shqipërisë dhe Serbisë për U-21.

'Si t'ia them vëllait në Dardani që nëna Shqipëri po organizon Euro U21 me shki?!', shkruan TKZ.

Ora 21:09
FOTO/ Skandaloze nga tifozët e Çekisë, përdhosin simbolet e Shqipërisë dhe shpalosin flamurin serb


PRAGË - Çekia dhe Shqipëria po luajnë në Ligën e Kombeve. Në "Epet Arena" tifozët vendas kanë shpalosur flamurin serb në hartën e Kosovës dhe kanë përdhosur tre flamuj kuqezi. Nga foto e siguruar duket qartë se dy flamujve tanë iu javë vendosur disa shirita, ndërsa janë kthyer me shqiponjën poshtë.

Vërtet e pakuptimtë sjellja e vendasve, teksa konfliktet ballkanike janë zhvendosur në Pragë këtë mbrëmje.

Ora 19:31
FORMACIONET ZYRTARE/ Nedim Bajrami në krah, Sylvinho publikon titullarët e Pragës! Daku në majën e sulmit, Hysaj kapiten

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka zbardhur edhe formacionin zyrtar për përballjen kundër Çekisë, e cila merr jetë sot në orën 20:45 në Pragë.

Formacionet zyrtare:

Çekia (3-4-3): Kovar; Vitik, Holes, Boril; Coufal, Soucek, Cerv, Provod; Cerny, Chory, Sulc Trajner: Ivan Hasek

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Kumbulla, Ismajli, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Bajrami, Asani, Daku Trajner: Sylvinho

 

Ora 19:00
Statistikat/ Ekuilibër në letër, Shqipëria i shënon gjithmonë Çekisë

1728666071_1725742643kombetarjavsukraina.jpg

Mbrëmjen e sotme Shqipëria do kërkojë të bëjë sërish mirë në Pragë, aty ku e pret ndeshja me Çekinë. Tre herë janë përballur skuadrat mes tyre, nga koha kur Çekia u nda nga Sllovakia.

Një fitore, një barazim dhe një humbje për Shqipërinë në këto përballje. Dueli i parë daton më 8 qershorin e 2021, kur çekët na mposhtnin 3-1 në një miqësore.

Ndërkohë që sezonin e kaluar, për kualifikueset e Euro 2024, Shqipëria merrte një barazim 1-1 në Pragë më 7 shtator, me perlën e Nedim Bajramit. Ndeshja e kthimit për kualifikueset e Euro 2024 luhej më 12 tetor 2023 dhe në ‘Air Albania’ skuadra e Sylvinhos shkëlqente duke mposhtur çekët 3-0 dhe dominuar takimin.

Pesë gola kanë shënuar kuqezinjtë në përballjet direkte, teksa çekët na kanë shënuar katër herë. Përkundër balancës në shifra, forma aktuale e tanëve është për t’u lavdëruar, paçka se vijmë nga humbja minimale me Gjeorgjinë.

Ora 18:57
Llogaritë e Grupit B1, Kombëtarja duhet të fitojë kundër Çekisë

Shqipëria luan sot me Çekinë për Grupin B1 në Ligën e Kombeve, ndërsa në anën tjetër Gjeorgjia kryesuese luan me Ukrainën. Secila skuadër ka mundësi të luftojë për vendin e parë në grup, pasi diferenca është vetëm tri pikë.

Ekipi i Sylvinhos duhet të kërkojë minimumi 4 pikë në transfertat e tetorit ose mbi të gjitha të evitojë humbjen. Nëse çdo gjë shkon sipas skenarit, në nëntor kuqezinjtë mund të shfrytëzojnë dhe faktorin fushë, pasi të dyja takimet e mbetura do të luhen në "Air Albania", fillimisht ndaj Republikës Çeke në 16 nëntor dhe tre ditë më vonë ndaj Ukrainës.

Ora 18:51
VIDEO/ Kombëtarja vesh uniformën e bardhë në Pragë, brenda dhomave të zhveshjes në 'Epet Arena'


Me uniformën e dytë, atë të bardhë, kështu do paraqitet Kombëtarja në përballjen e sotme kundër Çekisë në Pragë. Ndërkohë që fusha e stadiumit duket në gjendje perfekte.

Ora 18:01
Kartonat një problem, dy yjet e Shqipërisë rrezikojnë pezullimin për Gjeorgjinë

1728662519_1728547628kombetarjashqiptare.jpeg
Jasir Asani dhe Thomas Strakosha duhet të shmangin kartonat e verdhë sot në Pragë. Nëse një nga dy yjet e Kombëtares ndëshkohet, atëherë do jetë mungesë për sfidën kundër Gjeorgjisë më 14 tetor. Dyshja u ndëshkuan me të verdhë në fitoren 2-1 kundër Ukrainës dhe një karton i dytë, sipas rregullores do bënte që futbollistët të ishin jashtë. Sot në 20:45 luhet Çeki - Shqipëri.

Ora 17:37
Sylvinho zbardh listën anti-Çeki, trajneri lë në tribunë mesfushorin


Feta Fetai, mesfushori i Kombëtares do jetë në tribunë për sfidën e sotme kundër Çekisë. Trajneri Sylvinho ka dorëzuar listën me 23 emrat në UEFA, ku shihet se djaloshi i Lokomotivës së Zagrebit do e ndjekë ndeshjen nga shkallët e "Epet Arena".

Fetai ishte grumbulluar me U-21, ndërsa më pas Sylvinho e mori me ekipin e parë për ndeshjen kundër Çekisë (sot) dhe Gjeorgjisë më 14 tetor.

Ora 17:07
S'mungon mbështetja për Kombëtaren, mësohet sa tifozë kuqezi do jenë sot në Pragë


Më shumë se 1000 do jetë numri i tifozëve kuqezi në mbështetje të Kombëtares. Shqipëria luan sot në 20:45 kundër Çekisë në Pragë për Ligën e Kombeve, teksa tifozët shqiptarë janë "infiltruar" mes vendasve.

"Epet Arena", impianti ku do zhvillohet ndeshja ka një kapacitet prej 18.887 ulësesh, ndërsa afro 450 tifozë janë pjesë e Tifozëve Kuq e Zi, ndërsa pjesa tjetër kanë udhëtuar nga shumë vende të botës për këtë duel.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artisti: 12/10/2024 00:54

    Nuk u ndezen yjet e kombetares? Kemi kombetaren me më shumë yje dhe nuk arritem te shenonim gol.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?