Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) e ka klasifikuar Çmimin e Madh të Austrisë si një duel me rrezik të lartë për shkak të temperaturave të larta që pritet të shoqërojnë këtë fundjavë garën në Formula 1.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të kalojnë 31 gradë Celsius, çka ka detyruar organin drejtues të marrë masa shtesë për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pilotëve.
Një nga masat e parashikuara është përdorimi i një sistemi freskues, i cili përbëhet nga një veshje speciale e mbajtur poshtë tutës së garës. Sistemi qarkullon një lëng të ftohtë për të ndihmuar pilotët të përballojnë temperaturat ekstreme gjatë garës.
Megjithatë, përdorimi i këtij kostumi mbetet opsional. Pilotët që zgjedhin të mos e përdorin do të duhet të mbajnë 5 kilogramë shtesë në makinë, për të ruajtur barazinë teknike mes të gjithë konkurrentëve.
Austria bëhet kështu gara e parë e sezonit 2026 që merr klasifikimin "rrezik i lartë" për shkak të kushteve klimatike, në një periudhë kur Evropa Qendrore po përballet me një valë të fortë të nxehti dhe temperatura rekord.
Rregullorja është zbatuar edhe në të kaluarën në gara si ato të Singaporit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku temperaturat e larta kanë paraqitur sfida serioze për pilotët gjatë zhvillimit të garave.
Komente






