TIRANE- Këshilli i Ministrave ka përcaktuar procedurat e aplikimit për leje ndërtimi si dhe formularin përkatës që duhet të paraqitet te njësitë vendore për miratimin e saj. Kërkesa për leje ndërtimi paraqitet për shqyrtim përmes ngarkimit on-line të saj dhe dokumentacionit shoqërues në portalin përkatës, sipas procedurës së përcaktuar në të, ose përmes depozitimit të saj dhe të dokumentacionit shoqërues pranë sportelit të shërbimit.

“Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës verifikon nëse dokumentacioni është i plotë brenda 5 ditëve nga paraqitja e tyre. Brenda këtij afati shqyrton identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është personi i legjitimuar për të paraqitur kërkesën; plotësimin e plotë dhe të saktë të të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara në formular; paraqitjen e të gjitha dokumenteve shoqëruese të detyrueshme; pagesën e tarifës së shërbimit/aplikimit”, përcakton rregullorja.