Forumi i Gruas Socialiste: Barazia
gjinore është sfidë e gjithë shoqërisë

Forumi i Gruas Socialiste: Barazia<br />gjinore është sfidë e gjithë shoqërisë
Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, bëri thirrje për rritje të pjesëmarrjes së grave në strukturat vendimmarrëse dhe jetën politike pas zgjedhjeve të vitit 2017 ndërkohë që vlerëson se “beteja për garantimin e barazisë gjinore, është betejë e të gjithë shoqërisë”.

Ja deklarata e plotë
Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste vlerëson se beteja për garantimin e barazisë gjinore, është betejë e të gjithë shoqërisë, e grave dhe burrave. Ajo është betejë e kohës që jetojmë dhe efektet pozitive të saj prekin të gjithë shoqërinë, pa dallim.Forumi i Gruas Socialiste e shikon barazinë gjinore si zgjidhje për sfidat e ndërlidhura me procesin e integrimit europian të vendit. Shoqëria shqiptare dhe barazia gjinore përcaktojnë shkallën e progresit të njëra-tjetrës.
Forumi i Gruas Socialiste shpreh shqetësimin se proceset zgjedhore në Shqipëri janë shoqëruar me diskriminim gjinor, sikurse: votimi familjar; përqindja e ulët e grave si komisionere zgjedhore dhe nën këtë presion edhe rastet e pjesëmarrjes së ulët të grave në votimet elektorale.
Për Forumin e Gruas Socialiste, respektimi i të drejtave të njeriut është detyrim qytetar dhe institucional, përmbushja e të cilave i takon njësoj, si grave edhe burrave. Një shoqëri e cila vepron në kuadër të parimeve demokratike, një shoqëri e cila synon të ketë qeverisje të mire dhe sistem elektoral të drejtë e të lirë, nuk ndërtohet si e tillë pa përfshirje të plotë e të denjë të të dy gjinive. Pa balancim gjinor në procesin zgjedhor në Shqipëri nuk mundtë zhvillohet demokraci gjithëpërfshirëse, pasi nuk mundtë ketë demokraci me një gjini.
Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste inkurajon gratë parlamentare të mbështesin nismën e deputeteve të mazhorancës për barazinë gjinore në vend, që të gjithë së bashku të krijojmë mundësitë që gratë dhe vajzat  të kenë kontribut  të  drejtëpërdrejtë në politikë  dhe vendimmarje. Niveli më i lartë i përfaqësimit të grave në politikë e parlament, do të sigurojë që pikëpamjet dhe interesat egrave dhe vajzave të përçohen dhe mbrohen. Kjo do të reflektojë politika më të mira për fëmijët e familjen dhe do të sigurojë modele për një shoqëri më demokratike.
Forumi i Gruas Socialiste e përcakton barazinë gjinore, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë si çështje thelbësore të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Rritja e pjesëmarrjes së grave në strukturat vendimmarrëse dhe jetën politike pas zgjedhjeve të vitit 2017 është mundësi më shumë për fuqizimin e rolit të grave në vend.
Forumi i Gruas Socialiste beson që mënyra e duhur për të garantuar progres të vazhdueshëm në këtë drejtim është fokusimi në: 1) ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë në politikë bërje dhe 2) mbështetje për fuqizimin e zërit të grave dhe vajzave në bazë.
 Asambleja e Forumit të Gruas Socialiste vlerëson se gratë janë shtylla ku gjen mbështetje shoqëria shqiptare, të cilat me punën e tyre shpesh herë të padukshme mundësojnë progresin e saj. Shqipëria ka nevojë për një platformë emancipimi e cila beson në aftësitë dhe fuqinë e gruas.
Forumi i Gruas Socialiste nxit angazhimin i cili vjen nga institucionet, nga komuniteti dhe nga familja si tre pjesët e shoqërisë të cilat përcaktojnë jetën e një gruaje që në hapat e saj të pare si dhe cilësinë e zhvillimit të familjes dhe të shoqërisë sonë.
Forumi i Gruas Socialiste do të fillojë riorganizimin e vet për të garantuar një shoqëri demokratike europiane dhe për ta bërë realitet emancipimin e plotë të gruas shqiptare në shoqëri.
Forumi i Gruas Socialiste e përcakton si çelësin e përparimit shoqëror integrimin e plotë të gruas në jetën e vendit. Shoqëritë që garantojnë barazinë gjinore janë më të suksesshmet. Ato kanë zhvillim më të shpejtë dhe demokraci më të konsoliduar. Beteja jonë për barazinë gjinore është betejë për Shqipërinë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi